Brisida Shehaj: – Baba Mondi, mos na përdor ne bektashinjve
24 Shtator 2024
Prej dy ditësh jam munduar të informohem për këtë nismën e re të Edi Ramës për të përdorur Bektashinjtë, pjesë e të cilëve jam dhe vetë.
Sa herë shkoja në atë seli të shenjtë që fëmijë (fillimisht me kuriozitet për të mësuar diçka më shumë) në derë na priste gjithmonë Kryegjyshi Haxhi Dede Reshat Bardhi.
Një njeri i mrekullueshëm që deri ditën e fundit të jetës u mundua me gjithçka të mbante dyert hapur dhe të na bashkonte të gjithëve.
Një njeri që jetoi për të na përcjellë ato vlera për të cilat Bektashinjtë duhet të jenë krenarë, pasi kanë luftuar mbi të gjitha për Shqipërinë që sot e gëzojmë të gjithë.
Na mësoi të duam njëri-tjetrin e të qëndrojmë të bashkuar si komunitet, na mësoi të mos ndjekim paranë e të mos bëjmë keq por të ndihmojmë më të pamundurit.
Ikja e tij për mua dhe sot që shkruaj këtë status është një dhimbje që nuk kalon, por mbi të gjitha ikja e tij ishte fundi i një epoke për komunitetin tonë.
E di që tani ka nga ata që do komentojnë e do thonë të kundërtën, por kjo është e vërteta ime dhe jo vetëm.
Drejtimi i ri që pasoi nuk eci në rrugën e nisur të harmonisë, sot jemi të përçarë, sot ne nuk e dimë më as sa jemi, as ku jemi, e presim të na bëjë censin Rama. Sot, ndryshe nga komunitetet e tjera që janë të mirëorganizuar, jemi të përçarë sepse kështu bëhesh kur nuk drejtohesh më nga e mira, por nga INTERESI PERSONAL.
Prandaj sot kam një thirrje për Baba Mondin, mos na përdor për interesa të politikës. Mos na përdor ne si komunitet sepse është turp që s’do e lash dot. Mos na përdor ne si komunitet në dëm të kombit se paraardhësit tanë të gjithë kanë dhënë jetën për të dhe flamurin.
Unë jam krenare për të shkuarën tonë dhe me sa mundem do jem aty që e tashmja të mos na shkatërrojë të ardhmen. Asnjë nismë e gatuar në errësirë e mbi të gjitha e pa konsultuar me komunitetin nuk mund të jetë në të mirë të tij dhe të vendit.