Britania e Madhe kundershton kërkesën e kryeministrit grek për kthimin e statujave të Partenonit
Britania e Madhe kundershton kërkesën e kryeministrit grek për kthimin e statujave të Partenonit
17 Nentor 2021
Greqia që prej vitit 1832, kërkon kthimin e skulpturave, të cilat u hoqën nga tempulli i Partenonit në Athinë në fillim të shekullit të 19-të nga diplomati britanik, Lord Elgin
Kryeministri britanik, Boris Johnson, i ka thënë homologut të tij grek, Kyriakos Mitsotakis, të martën se çështja e skulpturave të Partenonit, të cilat Greqia kërkon të kthehen nga Londra në Athinë, është çështje për Muzeun Britanik dhe jo për Qeverinë e tij.
Greqia që prej vitit 1832 kërkon kthimin e skulpturave, të cilat u hoqën nga tempulli i Partenonit në Athinë në fillim të shekullit të 19-të nga diplomati britanik Lord Elgin, në një kohë kur Greqia ishte nën sundimin osman.
Zyra e Johnsonit ka thënë se Mitsotakis ngriti çështjen e skulpturave kur të dy udhëheqësit u takuan në “Downing Street”.
“Kryeministri (Johnson) tha se ai e kuptonte ndjenjën e fuqishme të popullit grek për këtë çështje, por përsëriti qëndrimin e kahershëm të Mbretërisë së Bashkuar se kjo është një çështje për administratorët e Muzeut Britanik”, thuhet në një deklaratë.
Kjo deklaratë e hedh poshtë atë të Mitsotakisit, i cili ka thënë javën e kaluar se kjo ishte një çështje për negociata midis dy qeverive.
Të njohura në Britani si “Mermerët e Elginit”, skulpturat përbëjnë gati gjysmën e kryeveprës arkitekturore të shekullit të 5-të para Krishtit. Janë 160 metra që zbukuronte Partenonin. Shumica e skulpturave të tjera të mbijetuara janë në Athinë.
Muzeu Britanik thotë se nuk ka diskutime aktuale me Qeverinë Greke për këtë çështje. Aty thuhet se Elgini veproi ligjërisht kur hoqi skulpturat nga Athina dhe ato janë “një element jetik në këtë koleksion botëror”.
Johnson i kishte thënë një gazete greke në mars se skulpturat “u përvetësuan ligjërisht nga Lord Elgin sipas ligjeve përkatëse të kohës dhe ishin në pronësi të ligjshme nga administratorët e Muzeut Britanik që nga blerja e tyre”.
Gazeta Koha, Prishtine