Britania e Madhe ishte vendi i parë evropianoperëndimor që synoi një vend të tretë për azilkërkuesit. Italia lidhi së fundi një marrëveshje të ngjashme me Shqipërinë.

Qeveria britanike ka dështuar me planet e saj për t’i dëbuar azilkërkuesit në Ruandë. Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar ka konfirmuar se planet e qeverisë për procedurat e azilit në Ruandë janë të paligjshme. Gjyqtarët të mërkurën kundërshtuan njëzëri kërkesën përkatëse nga qeveria e Londrës.

Gjykata e Lartë theksoi se ekzistonte rreziku që azilkërkuesit në vendin e Afrikës Lindore të mos kishin një gjykim të drejtë. Gjykata iu referua, ndër të tjera, raporteve nga organizata e OKB-së për ndihmën për refugjatët UNHCR.

Vendimi konsiderohet si një dështim për kryeministrin Rishi Sunak, i cili donte të përdorte Planin e Ruandës, për të dekurajuar emigrantët që të hynin në vend në mënyrë të parregullt me anije përmes Kanalit Anglez. Vitin e kaluar, më shumë se 45.000 njerëz arritën në Mbretërinë e Bashkuar në këtë mënyrë. Shifra e këtij viti është më e ulët se një vit më parë, rreth 27.000.

Gjykata e Lartë konfirmon vendimin e qershorit të apelit

Ministri i Brendshëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly tha të mërkurën se qeveria do të shqyrtojë të gjitha opsionet e disponueshme pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Bashkuar.

Cleverly tha në një deklaratë se”partneriteti ynë me Ruandën, megjithëse i guximshëm dhe ambicioz, është vetëm një pjesë e një sërë masash për të ndaluar dhe adresuar imigracionin e paligjshëm”.

Ai shtoi se qeveria britanike do të kërkojë edhe më tej “të gjitha rrugët e mundshme për të prishur modelin e ulët të biznesit të bandave kriminale që vënë në rrezik jetë të pafajshme për përfitimet e tyre ekonomike dhe egoiste.”

“Synimi ynë është ta kthejmë marrëveshjen tonë në një traktat sa më shpejt të jetë e mundur,” u tha të mërkurën Cleverly deputetëve.

“Kjo do t’u tregojë qartë gjykatave tona dhe Strasburgut se rreziqet e përcaktuara nga Gjykata sot janë marrë parasysh (dhe) do të jenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.”

Pagesë e majme nga Britania e Madhe për Ruandën

Nën ish-kryeministrin Boris Johnson, një vit e gjysmë më parë Mbretëria e Bashkuar nënshkroi një marrëveshje me Ruandën në Afrikën Lindore për transferimin e azilkërkuesve atje.

Marrëveshja parashikonte që migrantët mund të aplikojnë për azil në Ruandë dhe – nëse e fitonin – të jetonin atje, në vend që të ktheheshin në Britaninë e Madhe. Londra do t’i paguante Ruandës 120 milionë paund (rreth 137 milionë euro) për këtë koncept.
Protestuese para shpalljes se vendimit te Gjykates se Larte, 15.11.2023Protestuese para shpalljes se vendimit te Gjykates se Larte, 15.11.2023

Deportimi në vendin e Afrikës Lindore, më shumë se 6.400 kilometra larg, synonte të pengonte migrantët që kalojnë Kanalin Anglez nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar me varka. Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi me shumicë se Ruanda nuk mund të konsiderohet një vend i tretë i sigurt.

Gjykata Britanike e Apelit kishte vendosur që në qershor se vendi i Afrikës Lindore nuk ishte një vend i tretë i sigurt. Qeveria britanike e apeloi këtë vendim në Gjykatën e Lartë.

Numri në rritje i njerëzve që udhëtojnë ilegalisht përmes Kanalit Anglez drejt Britanisë së Madhe ka qenë prej kohësh halë në sy për qeverinë në Londër. Kufizimi i imigracionit dhe mbajtja e kontrollit mbi kufijtë britanikë ishte një nga premtimet e Brexit-it. Kritikët theksojnë se nuk ka rrugë ligjore hyrjeje për njerëzit që kërkojnë mbrojtje.

dw-