
Britanikët kërkojnë nga SPAK dhe KQZ verifikimin e kandidatëve për deputet për të kaluarën kriminale, listë me…
7 Prill 2025
Teksa një muaj e pak ditë na ndan nga zgjedhjet e 11 majit, një furtunë duket se po përfshin skenën politike shqiptare, ku mësohet se autoritetet britanike i kanë kërkuar zyrtarisht SPAK dhe KQZ-së verifikimin e plotë të kandidatëve për deputetë, për të kaluarën e tyre kriminale. Në fokus janë emra të mëdhenj si Ilir Meta, Sali Berisha, tashmë “non-grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, apo edhe kreu i PSD, Tom Doshi i sanksionuar nga Uashingtoni, si dhe kandidatë nga PD dhe PS që po hetehon nga SPAK, ndërsa një listë me 16 kandidatë është në proces hetimi për akuza të rënda, përfshirë burg, evazion, ndryshim identiteti dhe vepra penale në BE. KQZ ka dërguar zyrtarisht emrat në Prokurori për verifikim të thelluar, ndërsa bie në sy prania e partive të reja me numrin më të madh të kandidatëve të dyshuar.
Nga krahu tjetër, SPAK ka zbuluar një plan të posaçëm hetimi, me struktura që do të veprojnë në të gjitha qarqet për të parandaluar dhe goditur krimet zgjedhore. Kryeprokurori special, Altin Dumani ka marrë vetë drejtimin e hetimeve, ndërsa britanikët kërkojnë standarde të larta transparence, për të shmangur infiltrimin e elementëve me precedentë kriminalë në Kuvendin e ri. Ndërkohë, një platformë online është vënë në dispozicion për denoncime nga qytetarët, ndërsa investimet publike do të ndalohen gjatë fushatës për të shmangur manipulimet elektorale. Por e gjithë kjo panoramë tregon se zgjedhjet parlamentar të 11 majit sapo janë kthyer në një betejë të pastërtisë penale, ku ligji për dekriminalizimin pritet të tronditë themelet e disa partive. Pra lista e “të dyshuarve” sapo ka dalë në dritë, ndwrkohw qw ora e llogaridhënies ka nisur të trokasë fort.
Konkretisht, javën që shkoi ambasada britanike ka pritur në një takim kreun e SPAK, Altin Dumani, Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela dhe kreun e KQZ, Ilirjan Celibashi për të informuar ambasadorët mbi strategjinë e hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore. Gjatë takimit, u trajtuan qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve në hetimin e shkeljeve zgjedhore, duke marrë parasysh mjedisin aktual të operimit, si dhe strategjinë për të minimizuar rreziqet e mundshme në procesin e ardhshëm zgjedhor. Përmes një njoftimi, Ambasada Britanike thekson se mbështet angazhimin e Shqipërisë për të garantuar që zgjedhjet e 11 majit të jenë transparente, të ndershme dhe të sigurta.
“Ambasada Britanike ftoi Kryeprokurorin e Posaçëm, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Komisionerin Publik të Zgjedhjeve për të informuar ambasadorët mbi strategjinë e hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore, e publikuar në vitin 2025. Sesioni i informimit trajtoi qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve në hetimin e shkeljeve zgjedhore, duke marrë parasysh mjedisin aktual të operimit, si dhe strategjinë për të minimizuar rreziqet e mundshme në procesin e ardhshëm zgjedhor. Marrëveshja e re mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mirëprit nga komuniteti ndërkombëtar si një hap i rëndësishëm për të siguruar qartësi në rolin dhe përgjegjësitë e secilit institucion. Ambasada Britanike mbështet angazhimin e Shqipërisë për të garantuar që zgjedhjet e 11 majit të jenë transparente, të ndershme dhe të sigurta”, njoftoi ambasada e Britanisë.
KQZ jep detajet
Ndërkohë sa i takon kalimit në filtra të kandidatëve për deputet që garojnë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka treguara edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili ka zbardhur një listë me 16 emra që po verifikohen. Mes 16 kandidatëve të dërguar për verifikim të thelluar nga KQZ në Prokurori, rezulton se disa prej tyre kanë qenë të dënuar me burg, kanë ndryshuar emrin dhe mbiemrin, janë nën hetim për evazion fiskal, janë dëbuar nga vendet e BE-së apo janë prangosur për veprën penale të vjedhjes.
Bie në sy se mes kandidatëve janë emra nga partitë e reja, si ato të Lapajt, Shehajt dhe Qorrit, kanë numrin më të madh të personave me të shkuar në konflikt me ligjin. Nuk mungon as Partia Social Demokrate e Biznesmenit Tom Doshi me katër kandidatë. Komisioneri vendosi dhe kryerjen e verifikimit të thelluar për 16 kandidatë për deputet në zgjedhjet për Kuvend:
- Z Gramos Fejzi Ismailaj, kandidat për deputet i propozuar nga subjekti zgjedhor, Partia “Aleanca Demokracia e Re”, Qarku Vlorë;
- Z. Ndriçim Asqeri Kamberaj, kandidat për deputet i propozuar nga subjekti zgjedhor Partia “Aleanca Kombëtare Shqiptare”, Qarku Vlorë;
- Z. Arjel Selami Rragami, kandidat për deputet i propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Djathtas Për Zhvillim”, Qarku Shkodër;
- Z. Desard Xhevdet Muzhaqi, kandidat për deputet i propozuar nga subjekti zgjedhor Partia “Koalicioni Euroatlantik” Qarku Elbasan;
- Z. Dritan Vesel Tafhasaj, kandidat për deputet i propozuar nga subjekti zgjedhor Partia Lëvizja Bashkë, Qarku, Kukës;
- 6. Zj. Adela Ferhat Qemali, kandidat për deputet i propozuar nga subjekti zgjedhor Partia “Mundësia”, Qarku Tiranë;
- Z. Altin Avni Muceku, kandidat për deputet i propozuar nga subjekti zgjedhor Partia “Mundësia”, Qarku Tiranë;
- Z. Entela Skënder Sula, i propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet-Adriatik Lapaj”, qarku Tiranë;
- Z. Erjon Ismail Selmani, i propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet – Adriatik Lapaj”, Qarku Lezhë;
- Z. Euglen Mario Gjini, kandidat për deputet i propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, Qarku Fier;
- Z. Gazmir Dod Memaj, kandidat për deputet i propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Nisma- Shqipëria Bëhet”, Qarku Shkodër;
- Z. Florjan Afrim Tomçini, kandidat për deputet i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialdemokrate”, Qarku Dibër;
- Z. Klaudio Klement Zotaj, kandidat për deputet i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialdemokrate” Qarku Vlorë;
- Z. Kreshnik Gjon Gjonaj, kandidat për deputet i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialdemokrate” Qarku Lezhë;
- Z. Lisman Sami Pellumaj, kandidat për deputet i propozuar nga subjekti zgjedhor Partia “Socialdemokrate” Qarku Shkodër;
- Z. Geront Mexhit Stefo, kandidat për deputet i propozuar nga subjekti zgjedhor, Partia “Aleanca Demokracia e Re”, Qarku Korçë;
SPAK zbret në terren
Nga ana tjetër, kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka miratuar një plan masash në kuadër të hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Sipas SPAK, masat bazohen në një urdhër të marrë disa javë më parë, të drejtuesit Altin Dumani, të nxjerrë bazuar në legjislacionin penal dhe procedural në fuqi, si dhe në zbatim të “Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin 2025”, të kësaj strukture të posaçme të hetimit – strategji që ende nuk është bërë publike. Menaxheri i këtij plani masash do të jetë vetë drejtuesi i SPAK, prokurori Altin Dumani.
Veprat penale që do të hetohen në kuadër të këtij plani masash janë korrupsioni aktiv e pasiv në zgjedhje, si dhe çdo vepër penale në kuadër të krimeve zgjedhore e kryer nga krimi organizuar apo nga zyrtarë publikë të nivelit të lartë. Në kuadër të mundësimit të zbatimit të masave është parashikuar ngritja e një grupi hetimor që do të përbëhet nga një strukturë qendrore dhe grupet hetimore të terrenit, që do të kryejnë veprime hetimore gjatë periudhës zgjedhore. Struktura qendrore do të drejtohet nga Dumani dhe do të përfshijë prokurorë, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, hetues financiarë, ekspertë, si dhe staf administrativ mbështetës. Edhe grupet hetimore në terren do të kenë në përbërje të njëjtë dhe do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në 61 bashkitë në të 12 qarqet. Detyra e grupeve hetimore në terren do të jetë parandalimi dhe hetimi i veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturën shtetërore si dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor.
Për të mbështetur zbatimin e planit të masave, SPAK ka parashikuar të krijojë një platformë e posaçme ku do të administrohen denoncime nga qytetarët dhe institucionet. Në dispozicion të denoncuesve është parashikuar të vendoset një numër emergjence, raportime online dhe adresë email-i. Informacionet që do të merren nëpërmjet kësaj platforme konsiderohen të natyrës informuese. Sipas SPAK, kallëzime penale do konsiderohen vetëm ato që depozitohen në prokurori në formë të shkruar dhe në formë të rregullt procedurale. Në këto raste, prokurorët janë të detyruar që të marrin vendime dhe të njoftojnë kallëzuesin vetëm për këto kallëzime penale. Një tjetër grup pune i posaçëm do të ketë si detyrë të monitorojë të dhënat e bëra publike në media dhe rrjetet sociale, që më pas tu përcillen Strukturës Qendrore dhe grupeve hetimore në terren.
Nën monitorimin e SPAK do të jetë dhe përdorimi i buxhetit dhe investimet publike, procedurë që do të kryhet nga hetues të hetimit financiar dhe ekspertë të kësaj fushe. Në njoftim thuhet se investimet publike nuk do të lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore. SPAK u bënë thirrje institucioneve shtetërore dhe private, shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve që të angazhohen aktivisht në mbështetje të këtij procesi, duke kontribuar në zbatimin e ligjit dhe transparencën zgjedhore.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkaq kujtojëmë se janë mbi 1200 zyrtarë publik e politikanë të prekur në 10 vite nga ligji i dekriminalizimit. Ndërsa deputetët që humbën mandatin emisioni Fact Check i sjell në një kronologji nga vendimet e prokurorisë deri tek vota e KQZ. Ligji i dekriminalizimit, i miratuar në vitin 2015, kishte për qëllim të parandalonte individët me të kaluar kriminale të ushtronin funksione publike në Shqipëri. Ky ligj ndikoi në disa deputetë dhe kryebashkiakë, të cilët u detyruan të linin postet e tyre për shkak të të kaluarës kriminale të padeklaruar. Disa prej tyre janë: Arben Ndoka (PS): Dha dorëheqjen në shtator 2015 përpara se KQZ t’i hiqte mandatin, pasi kishte një hetim për fshehje të një dënimi në Itali; Dashamir Tahiri (PDIU): Në dhjetor 2016, KQZ i hoqi mandatin për shkak të dënimeve në Itali për falsifikim dokumentesh.; Shkëlqim Selami (LSI): Po në dhjetor 2016, humbi mandatin për shkak të një mase sigurie në Itali për pjesëmarrje në organizatë kriminale; Armando Prenga (PS): Në shkurt 2017, prokuroria kërkoi heqjen e mandatit për precedentë të mëparshëm penal, por Prenga dha dorëheqjen para se KQZ të vendoste; Aqif Rakipi (PDIU):
Në dhjetor 2017, prokuroria kërkoi heqjen e mandatit për fshehje të të kaluarës kriminale, duke e çuar në 7 numrin e politikanëve të prekur nga ligji i dekriminalizimit; Gledion Rehovica (LSI): Po në dhjetor 2017, humbi mandatin për të njëjtat arsye si Rakipi; Edhe pse s’u prek nga Ligji i Dekriminalizimit i cili s’ishte miratuar ende në atë moment, ish deputeti Mark Frroku dha dorëheqjen në nëntor të vitit 2015 teksa ndodhej në masën e arrestit në burg; Përveç këtyre, Mhill Fufi, Artan Gaçi dhe Omer Mamo si dhe ish deputeti Tom Doshi u verifikuan për efekt të ligjit të dekriminalizimit por ata nuk e humbën mandatin.