Brukseli Vuçiçit: – Zbato marrëveshjen me Kosovën, ose të presin pasoja
11 Prill 2023
Bashkimi Evropian është duke insistuar që Kosova dhe Serbia e kanë për obligim që të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, bashkë me aneksin për të, pasi në të kundërtën do të përballen me pasoja.
Palët kanë arritur pajtueshmëri për Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve më 27 shkurt në Bruksel, derisa për aneksin më 18 mars në Ohër.
Lidhur me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje është deklaruar të martën sërish, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai është përgjigjur në pyetjet rreth deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili është cituar – nga mediat në Serbi – të ketë thënë se do t’i zbatojë disa pjesë të Marrëveshjes, por disa tjera nuk do t’i pranojë.
Vuçiç, po ashtu, është cituar të ketë thënë se, qëndrimet e tij për moszbatim të disa pikave të Marrëveshjes, ua ka shprehur qartë disa bashkëbiseduesve evropianë.
Duke u përgjigjur në pyetjen se “a është e vdekur Marrëveshja, pasi njëra palë thotë se nuk do t’i zbatojë disa pjesë të saj”, zëdhënësi i BE-së ka thënë se “Marrëveshja është gjithsesi e gjallë dhe në lëvizje“.
“Përderisa nuk komentojmë deklaratat e mundshme, pa e njohur kontekstin, dhe pa dashur të hymë në komente të secilës deklaratë rreth kësaj Marrëveshjeje, dua të fokusohem në Marrëveshjen si të tillë. Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, u pajtuan në Ohër që të nisin menjëherë zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes, përfshirë edhe aneksin.
Kjo është ajo për çfarë jemi pajtuar. Ky është obligimi politik që të dyja palët morën dhe ajo që shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së presin nga ato”, ka thënë Stano, duke përsëritur se është shumë qartë se ajo për çfarë janë pajtuar palët, duhet të zbatohet.
Gazeta Sot