Bujar Leskaj: – Çfarë duhet bërë që Primaret të jenë të suksesshme?
20 Nentor 2022
Në një shkrim në rrjetet sociale, deputeti i Partisë Demokratike ka renditur hapat që duhet të ndiqen që Primaret të jenë të suksesshme edhe në të ardhmen.
Postimi i plotë:
Partia Demokratike me Primaret po bën një hap të madh, hapin e vlerave, garës demokratike që partia u ofron anëtarëve të saj, qytetarëve e shoqërisë: të sistemit konkurrues të demokracisë funksionale e të drejtpërdrejtë ku vota e çdo demokrati sot dhe e çdo shqiptari nesër ka vlerë.
Por që Primaret të jenë të susksesshme edhe në të ardhmen duhet që:
Së pari, Partia Demokratike nuk duhet të mjaftohet vetëm me katër pikat, të cilat firmosin kandidatët në formularin e kandidimit.
Duhet të krijohet një Kod i plotë Etike në PDSH, i cili duhet të respektohet nga të gjithë në mënyrë vertikale, nga kandidatët, krerët e degëve të PDSH, deri edhe në Kryesinë Qendrore të PDSH, në mënyrë që ky proces kaq pozitivist të mos kompromentohet pa nisur mirë, duke garantuar unitetin, por edhe shpalosjen e vlerave më të mira, të cilat qëndrojnë në ADN-në e Partisë Demokratike, që nga themelimi i saj, sot e në të ardhmen.
Kodi i Etikës sot e në të ardhmen duhet të konsistojë në kryerjen e fushatave pozitiviste, të bazuar në ide, platforma e alternativa, të cilat i shërbejnë komunitetit, Partisë Demokratike dhe bashkimit, i cili do të duhet të sjellë fitoren.
Së dyti, Kodi i Etikës shmang kontestimet e pabaza dhe respektimi i tij bën që, të gjithë kandidatët, si fituesi, ashtu edhe ata të cilët do të votohen, por nuk do të marrin mbështetjen e shumicës së anëtarëve dhe simpatizantëve të PD, të angazhohen për një mbështetje të plotë për PD, duke shmangur retorikën përçarëse dhe duke kontribuuar për fitoren e saj.
a. Të gjithë kandidatët e këtyre primareve, pavarësisht rezultatit nuk duhet të vënë egon personale mbi të mirën e përgjithshme, duke u shkëputur nga PD e thelluar përçarjen, e cila mban peng PD, demokracinë dhe mban në pushtet sektin Rama!
b. Kryetarët dhe sekretarët e PD nëpër degë nuk duhet të abuzojnë me këtë proces, por të jenë të hapur, luajalë me të gjithë kandidatët, të cilëve duhet t’u krijojnë hapësirat e nevojshme që të jenë të barabartë edhe duke e mediatizuar procesin, sikundër duhet respektuar maksimalisht edhe vota e simpatizantëve.
c. Jo vetëm në këto zgjedhje, por në të gjitha zgjedhjet dhe proceset zgjedhore, në të cilat do të kalojë edhe në të ardhmen PD, duhet që kandidatët për deputetë, drejtuesit e lartë të partisë, etj, t’u nënshtrohen primareve.
Së treti: Zhvillimi i primareve duhet të zhvillohet me debat konstruktiv, duke ftuar dhe insistuar që të marrin pjesë në këtë proces kaq të rëndësishëm veç anëtarësisë edhe ajo pjesë e anëtarësisë, e cila nuk kryen jetë partiake, pjesa qytetare e shoqërisë sonë, e angazhuar apo jo në politikë, por e angazhuar në jetën qytetare, Shoqëria Civile, etj.
Gazeta Sot