“Bujar Sheshi”, Opozita kallëzim penal në Prokurori: Hetim Arta Markut dhe pezullim nga detyra
“Bujar Sheshi”, Opozita kallëzim penal në Prokurori: Hetim Arta Markut dhe pezullim nga detyra
29 janar 2019
Krerët e grupeve parlamentare të opozitës, Vasili dhe Spaho, kanë depozituar në prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal ndaj kryeprokurores Arta Marku.
Në dokumentin e depozituar në organin e akuzës kërkohet që të nisë procedimi penal ndaj Arta Markut për shpërdorim detyre lidhur me rastin e Bujar Sheshit, si dhe pezullimin nga detyra të saj.
Akuza
Opozita akuzon kryeprokuroren Marku se ka nuk ka kryer verifikimet e plota për Bujar Sheshin, anëtarin e KLP-së, për të cilën Autoriteti i Dosjeve ka pranuar se në moshë të re ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit. Opozita akuzon se, Arta Marku ka shpërdoruar detyrën duke kualifikuar Bujar Sheshin si kandidat për në KLP, pa pritur më parë përgjigjen e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve. Ndërkohë, vetë prokurori ka mohuar se ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit dhe i ka cilësuar dokumentat e Autoritetit të Dosjeve, të falsifikuara.
Pak ditë më parë, në një konferencë nga selia e LSI-së, Petrit Vasili sqaronte edhe akuzat për shpërdorim detyre nga shefes së organit të akuzës.
“Arta Marku është e ngarkuar me detyrë nga ligji që të verifikojë integritetin e figurës për të gjithë ata që kandidojnë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, organ i ngritur nga Reforma në Drejtësi. Saktësisht neni 279 përcakton se Prokurori i Përgjithshëm verifikon përmbushjen e kritereve ligjore sipas procedurave të parashikuara në nenin 109 të këtij ligji dhe në rast se kandidati nuk plotëson kriteret, Prokurori i Përgjithshëm njofton kandidatin dhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Në rastin e një prokurori të caktuar Bujar Sheshit, Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku i është drejtuar me shkresë në datën 26 tetor 2018, ky është dokumenti i cili citohet në vendimin e Autoritetit të Verifikimit të Dosjeve për të kërkuar verifikimin e figurës së këtij prokurori dhe Autoriteti përkatës i verifikimit mbi dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit i kthen përgjigje znj. Arta Marku në përputhje me procedurat e veta në datën 22 janar 2019. Pra në datën 22 Janar. Por çka ndodhur realisht? Arta Marku pa pritur aspak këtë përgjigje, pikërisht në datën 31 tetor, vetëm pesë ditë mbas dërgimit të shkresës te Autoriteti i Dosjeve e ka përcjellë këtë kandidat, si kandidat pa asnjë lloj problemi dhe si plotësisht të përshtatshëm për të vazhduar kandidimin në KLP dhe praktikisht ky zotëri është anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sot Arta Marku ka shpërdoruar haptas dhe qartë një shpërdorim detyre nga më të rëndit, që ka prodhuar pasoja nga më katastrofike, për shkak se ndërtimi i institucioneve të reja të drejtësisë sot është ndërtuar nga njerëz, integriteti i të cilëve nuk është verifikuar”, shprehej ai.
“Pra të nderuar qytetarë, i drejtohet në datën 26 Tetor me një shkresë Autoritetit të Dosjeve, nuk pret fare përgjigjen e tyre. Autoriteti i përgjigjet me datë 22 Janar, pak ditë përpara, por kjo zonjë nuk pret fare vetëm 5 ditë pasi i çon shkresën Autoritetit, ia dërgon kandidatin si të përshtatshëm dhe ai zgjidhet, ndërkohë që mbas 3 muajsh vjen një shkresë, e cila rezulton me probleme serioze për këtë kandidat, i cili tashmë gëzon mandatin e KLP-së. Qartazi ligji ka rënë përtokë dhe cili është veprimi minimal që duhet të ndodhë në këtë rast? Shkarkimi i menjëhershëm i Arta Markut”, tha Vasli dy ditë më parë.