Bujar Zajmi: – Humori është
gjëja më serioze e kësaj bote! –

Trokitja e portës së apartamentit në rrugën e Durrësit, ku mbërrihet përmes disa kthinave mes pallatesh plot kujtime nga Tirana e vjetër, na fton me buzëqeshjen e bashkudhëtares së devotshme Miranda.

Korrik 2017,

Gazeta Shqiptarja.com

Trokitja e portës së apartamentit në rrugën e Durrësit, ku  mbërrihet përmes disa kthinave mes pallatesh plot kujtime nga Tirana e vjetër, na fton me buzëqeshjen e bashkudhëtares së devotshme Miranda.

Sapo hyn, ndjehet ajri i shpirtit krijues të artistit që dashuron jetën. Të dy po ndiqnin me pasion në ekran, një koncert të tipit vjenez në një stacion gjermanishtfolës. I bashkohemi këtij momenti të bukur e të gëzueshëm, e menjëherë mbas përfundimit, ku një kujtesë si shirit filmi i jetës së tij  ndaj fenomeneve të para në tri kohë në art, kulturë e shoqëri. Pasi ka shpalosur mendimin e tij kritik, drejtohemi për tek njëra nga odat, dhoma e pritjes e improvizuar si studio.

Befasohemi nga ngjeshja e punëve nëpër mure, e ngado nëpër mjedisin e tij të fantazisë piktorike. Kjo na la të kuptojmë menjëherë se asnjë minutë nga jeta e tij si artist pamor nuk ishte çuar dëm. Në prezantimin një  nga një të punëve, Miranda tanimë bashkpunëtore e tij, me dashurinë e saj, afrohet për të na i shpjeguar motivet që lëvizin në pikturat e Bujarit.

Marrim kënaqësi estetike nga  soditja e ngadaltë dhe nga mënyra sesi ajo i percepton këto punime.  Prej kohësh vitit ’93, ( kur u provua nga një amerikan se ishin të shitshme në tregun e artit) ajo i kundron me një sy të ri krijesat artistike të bashkudhëtarit. Vlerësimi që ajo i bën duket sikur ajo ka zbuluar një përmasë të re dashurie në personin me të cilin ka udhëtuar gjatë.

Bujar Zajmi

Bujar Zajmi si grafist i shkollës gjermanike të Lajpcigut, i qëndron konseguent ekuilibrit mes njollave të errëta e të dritshme, në punët e realizuara në  teknikat e vajit mbi telajo, vizatime, akuarele, akrelik, kolazhe .

Kombëtarja  e tretur me modernitetin e formave, shpalohet plot larmi ngjyrash  pothuajse në të gjitha kuadratet e tij .


Një sintezë e prurjeve nga kostumet kombtare, ritet e traditat shqiptare të krahinave të ndryshme kryesisht të Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë së Mesme, Tiranës e rreth saj  lidhen me motivin e dashurisë së çiftit e bukurisë femërore.

Tek ciklet e nudove, autori e ngre në lartësi estetike aktin e mëmësisë, tek gruaja duke e parë të hyjnizuar paralelisht ashtu si aktin e krijimit në art.

Ndërthurja e formave me fantazi, ruan gjurmët e gjalla të reales dhe vijon me shprehinë e ndjesive fine, duke i dhënë pamjes femërore, ngarkesën e një ikone shqiptare.

Entiteti që realizohet natyrshëm në bashkimin mes burrit e gruas, në një krijesë të vetme te ky autor, na vjen  me puthitjen e formave si një endës i cili jo vetëm thur po din edhe të presë në mënyrë harmonike.

Kjo duke më qartë te  kolazhi ose cikli i “punëve të dorës” që ai ka shpikur me copëza revistash të ngjitura në teknikën e përzier  tempera me akuarel dhe pastel,duke na dhuruar krijesa me motive nga bota e faunës, njerëz të kukullëzuar, imazhe  të deformuara qëllimshëm  deri në efektin e komikes sepse humori për të vijon të mbetet më serioz se gjithshka .

Në punimet e Bujar Zajmit ose “Zejmit” si pëlqente ta thërriste mjeshtri i tij piktori Abdurrahim Buza, shohim mprehtësinë e fuqinë grafike të vizatimit në sistemet e vijëzimeve, të vijë lakuarave, vijë drejtave madje më shpesh vij thyerave  me të cilat sendërton format parake të gjysëm rrethit, drejtkëndëshit, elipsit e trekendëshave kënddrejtë e barabrinjës. Madje me vijëlakuarat tek bukuritë femërore e vijëthyerat tek elementët “arkitektonikë” të kostumit kombtar të malësorit  na krijon ndjesinë e thellësisë ose përmasës së tretë, vëllimit brenda pikturës.

Ajo që na befasoi është e verdha si ngjyrë e rrallë por mbizotëruese tek një punë me motivin “Ati dhe Bija” të stilizuar me maska e gjeometri forme të thjeshtë trekëndore, e konturime të forta. Lëvizja e krijuar mes dy imazheve dhe drita e shpërndarë përmesë kësaj të verdhe të përndezur na godet me  emocionin e një lidhjeje shpirtërore (ashtu si me trashëgimtaren në art stilisten e njohur Anila Zajmi ) deri në sintezë, sepse maska jo vetëm fsheh por zbulon me gjuhë vizuale.

Meqenëse si artist në intervistat e drejtpërdrejta shprehet se e ka “ngjyer penelin në gjirin e nanës” vijon të na befasojë pareshtur me këtë qumësht Rozafe. Motivet  kombtare, si parabola  me humor të zgjedhur, i shohim të abstraguara deri në kufirin e një projekt cikli që pret të formësohet në qeramikë ose skulpturë.

Marrim një dhuratë, imazhin e një violinçeli me pamjen e njeriu  që duket sikur na sheh me njërin sy në profil, punë e cila regjistrohet nga autori  në librin e tij përshtypjeve  të miqve në vite, si ritual i “kënaqësisë së të dhënurit” nga piktori.  Krijesat artistike nderen në shumë nga muret e shtëpisë, por para se të dalim, shkelim edhe në dhomën e gjumit të bashkudhëtarëve Bujarit  dhe Mirandës. Këtu i përftojmë më të imëta e me finesë ndjesish, kuadrot me motivet e dashurisë.  “Njeriu ” qenka përgjigja në këtë dalje nga galeria familjare e Bujar Zajmit si forma që i përmban të gjitha brenda tij. Artisti duke na lexuar me sy  e buzëqeshur me zemër, na lë takim në një kohë tjetër, për të akumuluar e sjellë vlera të reja në artet pamore.

Biografia
07.07.1939 Piktori Bujar Zajmi lindi në Tiranë, në një familje të ardhur nga Peja, Kosova.
1960-1962  Kreu specializimin në poligrafikë në Universitetin e Lajpzig në Gjermani.
1963-1967  Kreu studimet e larta në degën pikturë në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë
1967-1971  Punon si piktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”, Tiranë
1972-1975  Punon si redaktor artistik në revistën “Në shërbim të Popullit”
1975-1978  Shef i Sektorit të Pullave Postare në PTT
1978-1992 Shef i Redaksisë së Botimeve të Ilustruara “8 Nëntori”
1993-1994  Redaktor në Gazetën “Kosova”
1995-2000  Shef i Sektorit të Shtypshkrimeve në BK (Biblioteka Kombëtare)

Ekspozita të artistit

Bujar Zajmi

1990 Ekspozitë në Pallatin e Kulturës, Tiranë, Shqipëri
1992 Ekspozitë në Munch pranë Këln-it, Gjermani
1993 Ekspozitë në Galerinë Te&Gi
1998 Ekspozitë në Ambasadën Shqiptare në Romë, Itali
2000 Ekspozitë në Galerinë “Santa Barbara, Buesnos Aires, Argjentinë
2000 Ekspozitë në Ministrinë e Jashtme, Montevideo, Uruguaj
2000 Ekspozitë në Galerinë  “Mall Gallery”, Londër, Angli
2003 Ekspozitë në Përfaqësinë e Komunitetit Europian, Tiranë, Shqipëri
2004 Ekspozitë në Galerinë  “Jozef”, Durrës, Shqipëri
2006 Ekspozitë në Bankën Amerikane, Tiranë, Shqipëri
2007 Ekspozita “Vizion dhe shprehi”, Galeria Kombëtare e Kinës, Pekin
2007 Ekspozitë retrospektive  “Meditim” në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, Shqipëri
2007 Ekspozitë në Galerinë  “Vangjush Mio”, Korçë, Shqipëri
2008 Ekspozitë në Galerinë  “Priftuli”, Durrës, Shqipëri
2008 Ekspozita “75 Portrete”, në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, Shqipëri
2009 Ekspozitë në Galerinë  “Eduart Lir”, Berat, Shqipëri
2011 Ekspozitë në Galerinë  Gagl-Prim, Berlin
2011 Ekspozita “Tirana”, në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, Shqipëri
2012 Ekspozitë në Art-Club, Berlin
2015 Ekspozita “Koleksion Privat” në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë
2015 Ekspozitë në Espac e 26 Diferent Rochereau, Paris