Bujar Zajmit Ekspozon ne Galerine e Pejes. –
Bujar Zajmit Ekspozon ne Galerine e Pejes. –
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së piktorit tiranas Bujar Zajmi, Galeria e Arteve Pejë hapi një ekspozitë me 80 punime të mjeshtrit të penelave me rrënjë pejane. Kjo ekspozitë është organizuar në kujdesin e kryetarit të Pejës, z.Gazmend Muhaxheri dhe me organizim të përbashkët të Galerisë së Arteve dhe drejtorive për kulturë dhe ajo për integrime dhe diasporë. Ekspozita do të jetë e hapur për një muaj rresht, ndërsa punimet e përzgjedhura me motive kombëtare që janë punuar ndër vite patën efekt të menjëhershëm në publikun shqiptar. Artisti z.Bujar Zajmi, nën emocionet e nostalgjisë për vendlindjen e babait të tij dhe pritjes të organizuar nga institucionet komunale, u shpreh shumë i gëzuar për mundësinë e hapjes së ekspozitës në Pejë.
Ai ndër të tjera tha se kjo ekspozitë e bën shumë të lumtur dhe e bën të ndjejë emocione të veçanta. “Sa herë që vij në Kosovë, e ndjej shqiptarizmin”, – tha autori. Kryetari, z.Muhaxheri u shpreh i nderuar që pati rastin të kontribuojë në këtë ngjarje kulturore. “Bujar Zajmi nuk është më vetëm një qytetar i Tiranës sepse ai i ka rrënjët e Pejës, prandaj me shumë kënaqësi do ta quaja artistit pejan. Nuk mund ta fshehim krenarinë se pejanët kudo që jetojnë, janë krijues të dalluar dhe na bëjnë të ndjehemi krenar. Prandaj shpreh gjithë mirënjohjen time për autorin”. Drejtori i Galerisë së Arteve, z.Zymer Mulliqi foli për historinë e krijimtarisë së autorit dhe ndër të tjera tregoi se autori gjatë jetës së tij ka krijuar rreth 8000 punime me vlera të larta artistike. Me ekspozitën e sotme, e cila përkoi me ditëlindjen e 80-të të autorit, u hap edhe muaji i diasporës në komunën e Pejës.