Bukinistët e Parisit në kohë pandemie
Bukinistët e Parisit në kohë pandemie
10 Tetor 2020
Çelësat që tringëllijnë të varur në një zinxhir të gjatë, librashitësi Jerome Callais, hap stendën e tij të librave me pamje nga Sena. Callais është një nga 227 librashitësit e Parisit, që tregtojnë libra të dorës së dytë, përgjatë 3 kilometrave argjinaturë buzë lumit, një traditë kjo e nisur prej shekujsh, e që vazhdon edhe në këto ditë të vështira pandemie.
“Unë jam Jerome Callais, kam punuar si bukinist për 30 vite në Quai de Conti. Unë jam bukinist, një profesion i veçantë në Paris, i cili ekziston prej 450 vitesh”, thotë ai.
Edhe pse ky biznes nuk ka qenë kurrë fitimprurës, Callais thotë se mungesa e vizitorëve në qytet i ka ulur shitjet akoma më tepër. Sipas tij, para pandemisë, 1/3 e klientëve ishin vizitorë të huaj dhe po aq vizitorë të tjerë nga zona jashtë Parisit. Bukinistët lejohen të shesin edhe suvenirë apo kartolina, edhe pse në sasi të kufizuar sa ¼ e stokut, por ata klasifikohen si librashitës dhe për pasojë nuk përfitojnë nga skemat mbështetëse të qeverisë për sektorin e turizmit.
Pergatiti Viol Xhafaj
A2 CNN