10 Dhjetor 2024

Në orët e para pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad në Siri, qindra qytetarë kanë marshuar drejt vendit që për shumë prej tyre përfshinte sundimin e tij shtypës: burgun famëkeq “Saydnaya”.

Kompleksi famëkeq ushtarak është përdorur për të burgosur dhjetëra-mijëra njerëz që kanë kundërshtuar qeverinë siriane gjatë dekadave.

Në mesin e atyre që kërkonin njerëz që janë zhdukur brenda mureve të këtij burgu ishte edhe mjeku Sharvan Ibesh, shefi ekzekutiv i grupit të ndihmës Bahar.

Ai mbërriti atje në mesnatë për të ndihmuar një shoqe të kërkonte babanë e saj, i cili besohet se është mbajtur në këtë burg për 13 vite.

Doktor Ibesh në intervistë për BBC përshkroi skena “kaosi”, me qindra njerëz brenda burgut që përpiqeshin të gjenin të dashurit e tyre.

“Ishte shumë zhgënjyese. Ne nuk e gjetëm atë dhe nuk morëm asnjë informacion. Shoqja ime është shumë e mërzitur sepse për 13 vjet ajo ëndërronte të gjente babanë e saj. Na thanë se shumë të burgosur janë zhvendosur në një vend tjetër”, tha ai.

Sipas tij qindra njerëz kanë dalë nga ky burg. Grupi i mbrojtjes civile siriane, Helmetat e Bardha po kërkojnë ndërkohë për të burgosur në Saydnaya pas rrëfimeve të të dënuarve për hyrjet sekrete në qelitë e nëndheshme, megjithëse asnjë nuk është gjetur ende.

Një xhami 20 km larg po përdoret si vendtakim për të burgosurit e liruar dhe familjet e tyre. Kur Ibesh vizitoi Saydnaya të dielën, ai pa disa njerëz të sapo liruar në një gjendje të traumatizuar dhe rrëfen një nga historitë më prekëse, që është derivat i shtypjes nga regjimi i Asadit.

“Një grup njerëzish rrethuan dy burra që sapo ishin liruar, duke u përpjekur t’i ndihmonin. Ata ishin mbajtur në burg për disa vite dhe ishin të çorientuar. Ata nuk e dinin as sa ishte ora. Njerëzit rreth tyre pyesnin ‘si e ke emrin’ dhe ‘sa vjeç je?’, por ata as që mund t’ju përgjigjeshin atyre pyetjeve. Ishte e vështirë të thuash sa vjeç ishin duke i parë. Burrat ishin krejtësisht të humbur, ata thjesht shikonin përpara”, tha Ibesh.

Regjimi i Asadit burgosi qindra mijëra të burgosur politikë. Grupi i Shoqatës së të Burgosurve dhe të Zhdukurve në burgun Saydnaya me bazë në Turqi e përshkroi atë si një “kamp vdekjeje”.

Gjatë gjithë luftës civile, e cila filloi në vitin 2011, forcat qeveritare mbajtën qindra mijëra njerëz në kampet e paraburgimit, ku grupet e të drejtave të njeriut thonë se tortura ishte e zakonshme.