Burime nga Bashkia e Tiranës për MAPO: – Teatri prishet në gusht, kur njerëzit marrin pushimet

08/05/20

Zbulohet skenari i Bashkisë së Tiranës. Gazeta MAPO mëson nga burime të besueshme se ndërtesa ku ndodhet Teatri Kombëtar do të shembet në muajin gusht.

 

 

Në vijim të vendimit për kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës të truallit të Teatrit Kombëtar, burime të brendshme nga Bashkia e Tiranës shprehen për Gazetën MAPO se “puna për shembjen e godinës së Teatrit do të nisë gjatë ditëve të gushtit“.

 

Kjo periudhë përkon me largimin e qytetarëve me pushime, por cilësohet edhe si e qetë nga politika.

 

 

Nisur edhe nga ajo çka shkruhej sot në VKM-në e qeverisë të botuar edhe në Fletoren Zyrtare, nuk flitet për rikonstruksionin e ndërtesës aktuale, siç edhe kërkojnë aktorët, Europa Nostra si dhe opozita, por për shembjen e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e një Teatri të ri.

Për aktorët dhe shoqërinë civile kjo është e papranueshme pasi shkatërrohet trashëgimia kulturore që mbart ndërtesa e Teatrit e cila daton që nga vitet ’30. Ndërsa për opozitën kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, fsheh interesa mafioze pas projektit për Teatër të Ri.

Mbetet për t’u parë me interes se çfarë do të ndodhë javët në vijim, kur aktorët, ata të cilët janë bërë gardianët e deritanishëm të Teatrit, kanë paralajmëruar sot se s’do lejojnë të preket godina dhe se do ta mbrojnë atë me çdo kusht.

Ndërsa nga ana tjetër kemi vendosmërinë e kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj për ta prishur atë.

Gazeta Mapo