Bushati: Duhet unanimitet dhe bashkëpërgjegjësi për integrimin

19/10/19

Ish-ministri i Jashtëm i qeverisë Rama dhe anëtari i kryesisë së PS, flet për negociatat, për marrëdhëniet me Ramën, situatën brenda mazhorancës, dekriminalizimin, fitoren e Albin Kurtit dhe i kthehet debatit për idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Në analizën e ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati “mbyllja e derës” nga BE duhet parë në disa plane; nga problemet e brendshme të BE-së, por dhe përgjegjësitë që vijnë nga qeveria shqiptare dhe klasa politike shqiptare në përgjithësi si bashkëpërgjegjëse për polarizimin politik të vazhdueshëm.Bushati një zë kritik i hapur, shumë herë i vetmuar, brenda Partisë Socialiste që ka sot pushtetin, flet edhe për problemet brenda shumicës, me elementët e inkriminuar që janë kandiduar në poste të rëndësishme apo janë pranë partisë. Bushati beson se “kordoni sanitar”, sic e ka quajtur ai, realizohet duke i dhënë më shumë hapësirë mendimit të anëtarësisë në vendimarrje dhe duke mos mbajtur si partnerë “persona, të cilët, agjenci të specializuara apo partnerë ndërkombëtarë, i kanë identifikuar si të papërshtatshëm”.

Edhe pse u largua si ministër, si dhe nga drejtimi politik i qarkut të Shkodrës, Bushati nuk e sheh karrierën e tij politike në PS të përfunduar duke besuar se PS-ja e ka të nevojshme debatin e brendshëm.

Në lidhje me Kosovën, Bushati beson se plani apo ideja e ndryshimit të kufijve bie në kundërshtim me strategjinë kombëtare të sigurisë. Ai duket skeptik ndaj të ashtuquajturit “Shengen Ballkanik”, por beson se energjia duhet kanalizuar në krijimin e një hapësire të përbashkët ekonomike me Kosovën. Fitorja e Albin Kurtit në Kosovë përshëndetet me entuziazëm nga Bushati, i cili e sheh këtë si “triumf të së resë mbi të vjetrën”.

***

Intervistoi: Blerina Gjoka 

Zoti Bushati, si e shikoni qëndrimin e mbajtur nga Franca për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe reagimin e qeverisë shqiptare që këmbëngul që s’ka të bëjë me ne, por është çështje e brendshme e BE-së?

Franca ka një qëndrim që ka artikuluar gjatë kësaj periudhe sipas të cilit kërkon të reformohet më tej Bashkimi Europian dhe të thellohet procesi i integrimit brenda familjes europiane dhe më pas të përgatiten procedurat për hyrjen e vendeve të reja në BE siç është dhe rasti i Ballkanit Perëndimor. Presidenti Macron e ka lidhur në mënyrë figurative faktin që një vend anëtar i BE është në procesin e daljes dhe ka kërkuar më shumë rregulla dhe më shumë mirëkuptim brenda vetë unionit.

Në gjykimin tim procesi i thellimit dhe reformimit të mëtejshëm të BE nuk ka pse dhe nuk duhet ta pengojë zgjerimin e tij. Sepse nisja e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë do të ishte një proces që do të zgjaste të paktën një dekadë dhe kjo do t’i krijonte mundësinë, qoftë Shqipërisë për të vijuar me procesin e anëtarësimit në BE, ashtu dhe vetë BE për të avancuar procesin e reformave brenda vetes. Ka një pikëpamje të drejtë për sa i përket nevojës për të reformuar procedurat dhe metodologjinë e zgjerimit. Në rast se shohim procesin e anëtarësimit të Serbisë, Malit të Zi, për të mos folur për Turqinë, është e qartë që kohëzgjatja është përtej çdo imagjinate.

Mali i Zi i ka nisur negociatat në vitin 2012 dhe ka hapur pothuajse të gjithë kapitujt me përjashtim të një kapitulli dhe ka arritur të mbyllë vetëm 3 përkohësisht. Serbia që ka hapur 17 kapituj dhe ka mbyllur vetëm 2 përkohësisht në një proces të nisur që në 2014-ën. Me këto ritme, procesi rrezikon të bëhet i paparashikueshëm dhe vështirësisht i kuptueshëm se kur këto vende do të jenë gati për t’u anëtarësuar në BE. Prandaj “diagnoza” e Francës duhet shoqëruar më një plan të qartë alternativ se si nga kjo “krizë” të krijohet një mundësi që të reformohet paralelisht procesi i anëtarësimit të vendeve tona në BE dhe nga ana tjetër ne të konsolidojmë procesin e reformave.

Macron vuri theksin te numri i azilkërkuesve shqiptarë dhe është krijuar ideja se po penalizohet dhe Maqedonia e Veriut prej nesh… Procesi i liberalizimit të vizave tradicionalisht është konsideruar veçmas nga procesi i anëtarësimit, kujtoj këtu rastin e 10 vendeve që u bënë pjesë në 2004 në BE apo Bullgarisë e Rumanisë e Kroacinë më vonë. Liria e lëvizjes brenda BE është një proces i cili negociohet në paketë si pjesë e 4 lirive kryesore të tregut të brendshëm me BE, prandaj në këtë kontekst mendoj se BE ka ndjekur rendin e duhur dhe me Shqipërinë.

Ka kohë që ekziston ky fenomen shqetësues i azilkërkimit nga shtetas shqiptarë në Francë, një fenomen që u shfaq fillimisht në Gjermani. Ne e adresuam me autoritetet gjermane. Edhe me autoritetet franceze është punuar mjaft ngushtë për ta zbutur këtë fenomen, por natyrisht është një fenomen shqetësues sepse keqpërdorimi i lirisë së lëvizjes penalizon dhe qytetarët e tjerë shqiptarë që e kanë zbatuar këtë liri të fituar që në 2011.

Çfarë mendoni për mënyrën si ka reaguar qeveria, a duhet të kishte harxhuar më shumë energji për të plotësuar kushtet sesa për të bërë propagandë e për të gjetur “fajtorët”?

Shqipëria meritonte nisjen e bisedimeve të pranimit që në 2018-ën kur edhe u zhvillua “beteja” e parë ndërmjet vendeve anëtare të BE-se e ku më pas u përcaktua një kalendar me afate për 2019, përfshirë organizimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që simbolizon nisjen e këtij procesi. Dua të sqaroj një element që është thelbësor.

Nëse kthejmë kokën e të shohim procesin e integrimit europian nuk gjejmë dot një moment që BE të ketë qenë 100% gati për të mikpritur një vend dhe nga ana tjetër është shumë e vështirë të gjejmë një rast që një vend ka qenë 100 % gati për të hedhur hapin e radhës. I gjithë procesi i anëtarësimit bazohet mbi parimin e kushtëzimit demokratik. Besoj se Shqipëria në rast se do të kishte një klimë politike më bashkëpunuese ndër vite sot ndoshta do të ishte përpara Malit të Zi dhe Serbisë. Kritere, kushte, standarde e detyra shtëpie do të kemi gjithmonë.

Një nga kritikat që i bëhet procesit të zgjerimit sot është fakti që kur të ulemi në tryezën e bisedimeve, nëse do të mbahet kjo metodologji, për të përcaktuar kushtet që duhen përmbushur nga vendi aspirant për hapjen e një kapitulli duhet të ketë unanimitet nga të gjitha vendet anëtare. Imagjinoni sa e ngushtë po bëhet dera, nga derë e madhe po bëhet deriçkë për në BE. Kjo imponon një qasje krejt tjetër dhe një bashkëpërgjegjësi më të madhe për këtë proces.

Meqë po flasim për përgjegjësinë, kryeministri Zaev e sheh moshapjen e negociatave të lidhur me fatin e qeverisë së tij dhe të tij si kryeministër i vendit, a duhet të vlente dhe për Shqipërinë e njëjta aksiomë?

Mendoj se logjika kryesore që duhet të orientojë të gjithë këtë proces është logjika e bashkëpërgjegjësisë. Na duhet një pakt kombëtar për reformat kryesore shtet-ndërtuese sepse për Shqipërinë dhe për vende të tjera të rajonit nuk ka alternativë tjetër përkundrejt alternativës së anëtarësimit në BE. Më shumë se 80 % e tregtisë e vendeve të Ballkanit Perëndimor realizohet me BE.

Mbi 80 % e kapitalit të bankave prezent në vendet e Ballkanit Perëndimor është gjithashtu kapital perëndimor. Po kështu vlerat europiane janë model udhërrëfyes për vendet e Ballkanit Perëndimor. Çështja shtrohet a jemi të gatshëm për të bërë secili detyrën në këtë proces? Nuk diskutohet se kur vjen fjala për zbatimin e reformave përgjegjësinë e kemi ne që jemi në krye të punëve të vendit. Ndërkohë që për të rënë dakord për këto reforma përgjegjësia është e përbashkët. A jemi përkujdesur sa duhet përkundrejt  një procesi gjithnjë e më impenjativ teksa BE nuk është në ditën e saj më të mirë?

Zhvillimet politike të paprecedenta, si djegia e mandateve dhe mospjesëmarrja në zgjedhje e opozitës, mungesa e imagjinatës për të prekur horizontin shoqëruar me mungesën kapacitetit për më shumë kompromise nuk reflektojnë potencialin real të Shqipërisë. Me të drejtë njerëzit e lidhin këtë proces me të mirat dhe me reformat që ata kanë mundësi t’i “prekin”, sepse njerëzit në fund të ditës nuk hanë kapituj, njerëzit e kanë të lidhur procesin me zhvillimin dhe demokratizimin e jetës në vend.

Zoti Bushati, ju keni tërhequr vëmendjen e opinionit publik për kritikat tuaja brenda Partisë Socialiste. Çfarë keni parasysh me kordon sanitar, kur i referoheni masave për të mos lejuar persona të inkriminuar në PS?

Partia Socialiste është një familje e madhe politike e socialistëve, progresistëve, demokratëve, e njerëzve që besojnë te vlerat e demokracisë liberale dhe socialdemokracisë. 30 vjet nga rënia e komunizmit ne duhet të përmirësojmë sistemin e përfaqësimit të vlerave në parti dhe në institucionet përfaqësuese. Sot, kemi një gjeneratë njerëzish të shkolluar, njerëz të spikatur në komunitet, aty ku PS ka lënë gjurmë të prekshme për sa i përket administrimit të qeverisjes në pushtet qendror apo vendor.

Sot, kemi njerëz që janë në diasporë e duan të kontribuojnë për vendin duke qenë pjesë e PS, e mbi të gjitha e një PS sa më të shëndetshme dhe inspiruese për nga vlerat që përçon. Vështruar në këtë kontekst, ne duhet të nxjerrim edhe disa mësime nga eksperienca e hidhur me njerëz që në të shkuarën kanë pasur probleme me ligjin.

Vijoj të mbetem i mendimit se përgjegjësia ligjore është individuale, por ne si drejtues të PS-së na takon të adresojmë përgjegjësitë politike duke zgjeruar radhët e vendimmarrjes në parti, duke bërë bazën e partisë pjesë të kësaj vendimmarrje; qoftë për trupat përfaqësuese në nivel vendor, por dhe për ato në nivel qendror dhe duke ia nënshtruar vendimmarrjet një mbikëqyrjeje sa më të imët nga ana e strukturave të partisë dhe komunitetit.

Si i përgjigjeni ju kritikave, që thonë se ju aty ishit, kur në qeverisje erdhën persona me të shkuar kriminale, dhe nuk e keni ngritur zërin?

Çdo familje, përfshi dhe familjen politike, çështje të tilla i diskuton brenda vetes. Më pas miraton nisma që synojnë frenimin apo parandalimin e fenomeneve të tilla që në fakt gërryejnë besimin e njerëzve tek politika dhe jeta publike në përgjithësi. Në fund të 2014-ës miratuam një rezolutë në Kuvend për dekriminalizimin.

Ndërkohë që në 2015-ës rezoluta u kthye në ligj, i cili është një nga ligjet më të ashpra që ne kemi krahasuar me vende të tjera që janë prekur nga i njëjti virus. Mirëpo, fakti që i njëjti fenomen na u përsërit edhe në 2019-ën tregon që duhen më shumë mekanizma politikë dhe një reformim i jetës politike, sepse jo çdo gjë mund të zgjidhet me ligj.

Cila mendoni se është e ardhmja juaj në PS pas largimit që kryeministri ju bëri nga drejtimi politik i qarkut Shkodër? A janë këto të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar se karriera juaj në PS është mbyllur?

Unë jam anëtar i kryesisë së PS, jam deputet që në 2009-ën, jam duke ushtruar të gjitha përgjegjësitë e mia dhe pikëpamjet që unë kam parashtruar, qoftë në forumet e partisë, apo në publik, janë pikëpamje që unë besoj se e shëndoshin PS-në dhe klimën politike brenda radhëve tona.

Në një parti politike njerëzit bëhen së bashku për të dhënë kontributin e tyre për çështje të ndryshme. Ne kemi diskutime e debate dhe për fenomene të tjera të politikës që janë normale brenda një familje politike. Nuk e kam konceptuar asnjëherë karrierën time politike brenda PS të lidhur me një situatë të caktuar.

A ndiheni vetëm?

Nuk ndihem vetëm, sepse e para PS-ja pa debat dhe pa diskutime është e pakonceptueshme. Nuk ndihem vetëm sepse në rast se do të flasësh me strukturat e PS kudo qofshin ata nuk ka një anëtar të saj që nuk do të dëshironte të thoshte fjalën e vet për ekipin që do duhet ta përfaqësojë në këshillin bashkiak, në bashki, në Kuvend apo strukturat vendimmarrëse në PS.

Në fund të ditës pjesëmarrja në një parti politike ka të bëjë, jo vetëm me angazhimin, po dhe me zërin që ka secili prej anëtarëve në këtë proces. Një gjë të tillë e them dhe nga eksperienca ime personale në qarkun Shkodër ku më shumë se sa opinionet personale të njërit apo tjetrit vlen reformimi i partisë dhe plazmimi i disa proceseve, ku baza e partisë duhet të ketë rolin kryesor në vendimmarrje.

Le të kthehemi tek një çështje që u konsiderua një “patate e nxehtë” në rajon. Çfarë fshihej pas planeve për korrektim kufijsh? Sa e rrezikshme ishte kjo ide për Ballkanin?

Ne nuk kemi arsye të humbim kohë me plane apo ide që nuk funksionojnë dhe që nuk janë në favor të faktorit shqiptar në rajon. Ne kemi nevojë për të çliruar energji pozitive dhe për të thelluar bashkëpunimin mes Shqipërisë e Kosovës, për ta transformuar hapësirën mes dy vendeve në radhë të parë në një hapësirë të përbashkët ekonomike. Për këtë nuk kemi pengesa as nga BE e as nga ata që mund të mos ia duan të mirën Shqipërisë e Kosovës.

Shpesh, pengesa në këtë drejtim jemi vetë ne. Pra, burokracia nga të dyja anët e kufirit e në disa raste interesat e kalcifikuara që nuk kemi arritur t’i çmontojmë. Ne duhet të përqendrohemi në fuqizimin ekonomik të faktorit shqiptar në rajon për të vijuar dhe në fusha të tjera. Vetëm nëpërmjet një procesi të tillë do të jemi në gjendje të kontribuojmë më shumë për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.

Sa e ndihmon këtë proces “Shengeni Ballkanik” që firmosi Rama me Vuçiç e Zaev? 

Unë nuk e kam lexuar si “Shengen Ballkanik” dhe as si marrëveshje përfundimtare. Por si një deklaratë me angazhime të hapura dhe për vende të tjera të rajonit, Malin e Zi, Kosovën e Bosnjën.

Si i keni pritur zgjedhjet në Kosovë?

Është fitorja e të resë mbi rrënojat e të vjetrës. Uroj që Albini dhe Vjosa, si dy fituesit kryesorë të këtyre zgjedhjeve, të shkojnë drejt një koalicioni të qëndrueshëm, një koalicioni që në radhë të parë do të duhet të krijojë ndryshim jo thjesht rotacion.

MAPO.AL/