![](https://i0.wp.com/www.shqiperia.com/blog/wp-content/uploads/2025/02/Rama-Veliaj-2.jpg?fit=840%2C460&ssl=1)
Bushati: – Pasi Rama burgosi Veliajn, po kërkon t’i mbivendoset Bashkisë së Tiranës. – Në zgjedhje do të kenë rol banditët e propaganduesit
14 Shkurt 2025
Analisti Andi Bushati, në intervistën e dhënë në edicionin e pasdites në SYRI TV, tha se Rama ka qenë personi që dha dritën jeshile për arrestimin e Veliajt. E për pasojë, po kërkon të mbivendoset në krye të Bashkisë së Tiranës.
Porsa i përket procesit zgjedhor, Bushati tha se edhe në këto zgjedhje, do të kenë rol banditët, propaganduesit dhe mediat që janë paguar me paratë e inceneratorit.
Bushati: Edhe më parë, Erion Veliaj thërrimet hante nga Bashkia, ishin thërrime shumë të mëdha që mos të keqkuptohemi. Por ndërtuesit e mëdhenj negocionin direkt me Edi Ramën. Mua mbrojtja që po i bën Rama Veliajt dhe përpjekja që po bën për të marrë në duar administratën e bashkisë, është në shumë se një manovër elektoral. Në vite Erion Veliaj kishte ngritur një strukturë financiare dhe një piramidë njerëzore, shumë të fuqishme për të kontrolluar elektoralisht Tiranën. Dhe Rama, pasi i ka dhënë dritën jeshile burgosjes së Veliajt, nuk do ta humbasë këtë strukturë. Prandaj ai do t’i mbivendoset Bashkisë së Tiranës.
Unë nuk është se e njoh në detaje PS, ose nuk e njoh siç e kemi njohur të paktën deri nga viti 2009, para se Rama ta kthente në një garnizon të mbyllur dhe me dorë të fortë. Por me aq sa e njoh unë si gazetar, unë jam kundër atyre që mendojnë se ka luftë të brendshme, ka rryma që mund ti hanë kokat e njëri-tjetrit etj. Unë mendoj që Rama drejton me dorë të hekurt Shqipërinë, e jo më Rilindjen.
Pra, Rama aty është absolut dhe mund të drejtojë gjithçka. Në këtë kuptim, unë nuk pres as surpriza të mëdha as në rrugën drejt zgjedhjeve. Ne në zgjedhje do të kemi sërish një palë zgjedhje të shkatërruara, ku do të kenë rol banditët, ku do kenë rol propagandues, media të ushqyera me paratë e ish-inceneratorit dhe me paratë që vazhdojnë të marrin akoma. Pra, nuk do të kemi nga ato zgjedhje që quhen të lira dhe të ndershme. E kjo qoftë me përpjekjet maksimale që po bën PD.