Butrinti me koncesion.- Parlamenti publikon marrëveshjen “sekrete” pas presionit të medias dhe opozitës.
Butrinti me koncesion.- Parlamenti publikon marrëveshjen “sekrete” pas presionit të medias dhe opozitës.
– 27.04.22
… Në dokumentin në fjalë, përmendet 258 herë fjala “biznes”.
Vetëm një ditë pas publikimit të artikullit “Skandali/ Butrinti me koncesion me marrëveshje sekrete. Dokumenti i depozituar në Kuvend ka vetëm 1 nen” nga “Gazeta Shqiptare”, qeveria është detyruar të publikojë dokumentin e “Marrëveshjes Për Administrimin E Nënzonave Të Trashëgimisë Kulturore Dhe Peisazhit Kulturor Pjesë E Parkut Kombëtar Të Butrintit”.
Fjala “biznes” përmendet 258 herë në dokument
Në dokumentin në fjalë, përmendet 258 herë fjala “biznes”. Si fillim, përmendet togfjalëshi “plani i biznesit”, te “lista e shtojcave”, më pas përmendet në lidhje me “Qendrën e Vizitorëve”.
Kjo e fundit “nënkupton tërësinë e infrastrukturës të përbërë nga një ndërtesë për ofrimin e shërbimeve, informacionit dhe orientimeve për vizitorët, duke përfshirë pa u kufizuar në rrethimet, parkimet dhe zyrat e stafit të parashikuara për t’u ndërtuar sipas Planit të Menaxhimit dhe Planit të Biznesit, me fonde të financuara nga Fondacioni”.
Më pas, thuhet se “Fondacioni, në përputhje me Planin e Biznesit, do të krijojë Grupin Shkencor të Butrintit si një organ këshillimor për çështjet tekniko-shkencore, që do të përfshijë ekspertë të fushave të ndryshme që mbulojnë veprimtaritë e Administrimit të Pasurisë Kulturore”.
Sipas Ministres së Kulturës, Elva Margariti marrëveshja parashikon që Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Riçard Hoxhes.
Ndërsa në Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit do të punësojë një Drejtor për Sitin, i cili do të ngarkohet me detyrën për të zhvilluar të gjitha operacionet e sitit, me anë të një plani menaxhimi dhe investimi shtatëvjeçar, të përditësuar në baza vjetore, me miratim të Bordit dhe financim të Fondacionit.
“Drejtori për Sitin”
Në dokumentin e publikuar thuhet se “Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit do të punësojë një Drejtor për Sitin, i cili do të ngarkohet me detyrën për të zhvilluar të gjitha operacionet e sitit, me anë të një plani menaxhimi dhe investimi shtatëvjeçar, të përditësuar në baza vjetore, me miratim të Bordit dhe financim të Fondacionit”.
Më tej, theksohet se “Fondacioni mund të ofrojë shërbime për publikun, të tilla si, por pa u kufizuar në:
(a) pritjen, përfshirë ato të asistencës e të argëtimit për fëmijët, shërbimet e informacionit, të guidave dhe asistencës didaktike, dhe qendrave të takimit;
(b) kafeterinë, ushqimin e garderobën”.
Në një historik të shkurtër për Butrintin në vitin 1993, thuhet se “Kur Fondacioni Butrinti filloi veprimtarinë e tij në vitin 1993, zona ishte një peizazh ‘homerik’ i pazhvilluar” dhe se “Një barakë dhe një kafene e vogël gjendeshin jashtë portës kryesore, poshtë zonës tashmë të rezervuar për vendparkim”.
Më pas, dokumenti i sapo bërë publik flet për “Hotel Livia”. Në tekst theksohet se “Hotel Livia ofron ambiente kafeneje dhe restoranti në një kopsht të këndshëm me hije, që frekuentohet nga vizitorët. Hoteli ka edhe 12 dhoma që rezervohen në bazë sezoni. Ndërkohë që mund të mirëmbahet struktura e kateringut në katin e parë, kjo ndërtesë mund të shndërrohet në një qendër burimesh arsimore për grupet shkollore dhe studiues nga Grupi Kërkimor i Butrintit i propozuar bashkë me zyrat për stafin e sitit në katet e sipërme në planin afatgjatë”.
Sakaq, përmendet edhe perudha e pandemisë së COVID-19, ku nënvizohet se “Përpara Covid-19, turizmi ishte një nga sektorët më të mëdhenj, me rritjen më të shpejtë në ekonominë botërore, duke gjeneruar më shumë se 7.5 trilionë dollarë amerikanë në vit dhe duke mbështetur rreth 10% të profesioneve në ekonominë botërore”.
“Kjo ka prekur edhe udhëtimet ndërkombëtare, veçanërisht udhëtimet ajrore; hotelet dhe anijet kroçere; kafenetë, baret, lokalet, restorantet dhe klubet e natës; teatrot, kinematë dhe hapësira të tjera shfaqjesh”, theksohet më pas, ndërsa përmendet edhe “Kala Venecia”.
Në lidhje me këtë “kala”, thuhet se “Kafeneja e vogël pranë Kalasë Veneciane drejtohet nga një palë e tretë, me marrëveshje qiraje me Ministrinë e Kulturës. Ky ambient duhet të ruhet dhe të vendoset nën menaxhimin e Sitit”.
Absurde që teksti i marrëveshjejes mbahet sekret!- Ina Zhupa
Ina Zhupa i përplasi mikrofonin, reagon Ministrja e Kulturës: Spektakël i shëmtuar – Report-tv.al
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa reagoi të martën në një përballje pothuajse fizike me ministren e Kulturës për këtë çështje. Zhupa e quajti absurd faktin që teksti i një marrëveshjeje mbahet sekret, sikur të bëhej fjalë për një bazë ushtarake bërthamore, dhe jo një sajt arkeologjik.
Për deputeten demokrate, kjo marrëveshje jep me koncesion parkun e Butrintit dhe rrezikon identitetin historik të sajtit arkeologjik.
“Duam të japim një trashëgimi kulturore me marrëveshje sekrete”, tha deputetja Zhupa.
Nga ana e saj, Ministrja Margariti deklaroi në komision se krijimi i fondacionit për menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit krijon mundësi që ai të prodhojë të ardhura nga biletat e turistëve.
“Fondacioni i posaçëm do të kontribuojë në arkën e shtetit në fondin e trashëgimisë materiale”, tha ministrja.
Për menaxhimin e Butrintit debati ishte i fortë edhe disa pak vitesh, kur ministrja e Kulturës hodhi idenë e ndërtimit të një restoranti me ushqim të shpejtë brenda parkut.
Kush do ta menaxhojë Butrintin?
“Fondacioni është i organizuar dhe vepron në përputhje me këto akte ligjore dhe rregulloret e brendshme ose udhëzimet e miratuara nga Bordi i Drejtorëve. Organi më i lartë vendimmarrës i Fondacionit është Bordi i Drejtorëve, i cili përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, të cilët emërohen për një mandat 2 (dy) vjeçar dhe mund të riemërohen për një numër të pakufizuar mandatesh”, thuhet përsa i përket ondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
Por, kush do ta menaxhojë fondacionin? Organet drejtuese janë dy: Bordi i Drejtorëve dhe Drejtori Ekzekutiv. Ky bord drejtorësh përbëhet nga Elva Margariti, Martin Mata, Aleksandër Sarapuli, Flonja Boriçi dhe Richard Hodges, ndërsa Drejtori Ekzekutiv do të jetë Lorenc Bejko.
Gazeta Shqiptare.