“Buxheti i 2023”. Rama pranon: – Kemi hyrë në një epokë kërcënimi
17 Tetor 2022
Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do të vazhdojë të mbështesë qytetarët dhe kategoritë më të prekura nga kriza ekonomike.
Sipas tij buxheti i 2023 planifikohet të jetë sa dyfishi i 2013.
“Kemi bërë një diskutim të frytshëm dhe natyrisht që kemi ndarë edhe detyrat në bazë të këtij aktivitetit që nis nesër për tu shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe për të komunikuar për qeverisje vendore.
Kemi hyrë në një epokë të një kërcënimi të madh. Ne si pjesë e Europës jemi të detyruar të përballemi me kërcënime të kësaj epoke, që ka sjellë si pasojë përveç bombave dhe krimeve në Ukrainë edhe rritjen e çmimeve të energjisë, në të gjithë botën, dhe sigurisht edhe në Shqipëri.
Është inflacion lufte dhe kosto që i paguan aventurës së diktatorit si Putin. Edhe pse nuk ka sjellë qeveria inflacionin, i takon qeverisë të lehtësojë peshën e kësaj lufte, mbi shpatullat e familjeve.
Kemi bërë gjithçka kemi mundur. Po finalizojmë buxhetin e vitit të ardhshëm që është dyfishi i buxhetit 2013 që tregon se ka ndryshime pozitive. Ky dyfishim është i bazuar tek domosdoshmëria që t’i mbështesim të gjithë,” tha ai.
Nga Ora News