Bylykbashi i përgjigjet Bashës: Këto janë dhjetë arsyet përse duhet të mblidhemi në Kuvendin e 11 dhjetorit!

9 Dhjetor 2021

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi i është përgjigjur deklaratës “thumbuese” të Lulzim Bashës i cili në Ditën e Rinisë tha se kulti i individit dhe mentaliteti komunist ka edhe brenda Partisë Demokratike.

Gjatë një statusi në rrjetet sociale Bylykbashi, rendit dhjetë arsyet përse është e detyrueshme që të mblidhet Kuvendi i 11 dhjetorit. Sipas Bylykbashit është e papranueshme humbja që ka pësuar ndër vite Lulzim Basha.

Postimi i plotë:

Mosfoltorja

(si rrugë drejt kultit të individit)

Të para veç e veç, notat muzikore dikujt nuk i thonë asgjë, e dikujt i duken thjesht si simbole të vizatuara. Ashtu veç e veç notat nuk i thonë asgjë as muzikantit më virtuoz.

Por të vëna në pentagram, ato tregojnë çfarë muzike luhet.

Ky më poshtë është, i shtjelluar kronologjikisht, marshi funebër drejt kultit të individit, që ndryshe nga norma, kërkon të bëhet lider përmes humbjes.

1- Vendosi më 16 shkurt 2017, pa pyetur askënd dhe pa dijeninë e organeve te partisë, që të ngrinte Çadren. Nuk dihej kush ishin keshilltarët që ia dhanë atë ide.

Brenda Çadrës atrofizoi partinë në një stërmundim pa krye, duke ushqyer kultin e tij në tentativë për t’u bërë lider. Ai fliste, anëtarët dëgjonin dhe duartrokisnin, por nuk flisnin.

2- Vendosi natën e 17 majit 2017, pa pyetur ata që e prisnin në Çadër, që ta mbyllte atë me një marrëveshje me personin që vetë anatemonte si Djall. Madje me marrëveshje personale i dha koalicionin, armën fituese të opozitës.

Askush nuk pati mundësi të thotë diçka. Nuk dihet kush e këshilloi për këtë.

3- Nuk pyeti askënd atë pranverë të 2017 për qindramijëra dollarët e një fotoje me Trump. Nuk fitoi asgjë, ndërsa ato para i duheshin partisë si uji në shkretëtirë. Askush nuk foli dot. Dhe për këtë nuk dihet kush e keshilloi se ajo foto do ta bënte të madh, të besueshëm, fitues.

4- Nuk pyeti njeri kur hartoi i vetëm listat e kandidatëve të 2017, kur përzuri politikanë që ishin fibër politike e partisë nën pretendimin se po pastronte strukturat edhe pse kishte bashkëqeverisur me ta, njësoj si ata.

I hoqi krejt papritur e pa asnjë proces, përtej ç’kishte thënë e premtuar, i sigurt pas Marrëveshjes së 17 majit, duke i zëvendësuar me të rinj që edhe ata i hodhi tej vetëm pas një vit e gjysëm në parlament.

Nuk i la kohë askujt të flasë atë natë të listave që pasoi natën e Marrëveshjes.

E kur ata që u zbuan folën më pas, vuri portale e njerëz t’i anatemojë që të mbyllnin gojën.

Nuk dihej kush ishin këshilltarët (kujtoni etiketimin “këshilltarë mizerabël”).

5- Zhduku në Çadër e në fushatë logon dhe simbolet e partisë pa pyetur kënd. Sajoi simbole e logo të re. Filloi transplantin e palcës së PD. Simbolet që emociononin antarët nuk duheshin përdorur më.

Askush nuk i pyeti anëtarët. Ata e panë logon e huaj të Republikës së Re, heshtën e nuk thanë gjë të hutuar. Sërish nuk dihet kush e keshilloi, por sërish këshilla nuk i erdhi as nga demokratët e as nga forumet që logon e kanë në zemër dhe jo patentë tregtare.

6- Humbi zgjedhjet e 2017 si kurrë më parë si pasojë e dhurimit të koalicionit dhe marrëveshjes me atë që vetë e quante Djall.

Nuk i la askujt kohë të flasë duke u rizgjedhur me një proces rrufe. E kotë të flisje apo të kërkoje llogari, Ai ishte rizgjedhur.

7-Ndryshoi statutin e partisë në 2018 duke e piramidalizuar partinë, si repart ushtarak. Foli për pregatitje të ushtrisë për luftën që do të fillonte sërish kundër regjimit. Në ushtri nuk flitet, zbatohen urdhërat.

Filloi trasplantin e muskulit të partisë me mish të ri, herë herë të huaj. Vendosi sistemin e Ashensorit të Karrierës vetëm me një buton, atë që të çon tek kati i fundit pa asnjë ndalesë. Por butonin e ka Ai, të thërret Ai nga kati sipër nëse i pëlqen, nuk e shtyp butonin ai që kërkon të hipë.

Anëtarët që duan të bëjnë karrierë duhet të ngjiten nga shkallët spirale pa fund, që herë-herë të çojnë askund.

Po të mos flasësh e kundërshtosh, të papagallosësh atë që të japin të lexosh, ndoshta bie në sy për mirë e të vjen radha tek Ashensori i Karrierës.

8- Dogji papritur mandatet e deputetëve më 17 shkurt 2019, me një deklaratë për mediat, perkundrejt keshillave që ai veprim do ta çonte partinë në katastrofë e do t’i jepte pushtetin Ramës. Nuk pyeti askënd. Ndoshta e udhëzuan prapë këta këshilltaret e dyshimtë jashtë partisë. E deklaroi, e bëri fakt, ndezi njerëzit e pastaj bëri sikur pyeti forumet.

Dogji asetin më të madh të opozitës, grupin parlamentar, siç djeg djali plangprishës mobiljet që ka trashëguar familja ndër breza, vetëm sepse ka ftohtë një natë dimri.

Nuk pyeti as amerikanët, madje u tha që kishte pyetur deputetët ndaj nuk mund të bënte hapa pas, por këta të fundit nuk folën dot se vendimin ua kishte komunikuar Ai ndërkaq oborri mbushej me brohorima pas deklaratës së Tij për djegie mandati.

9- Vendosi të mos hynte në zgjedhjet e 2019. Vendosi të bllokonte zgjedhjet. Madje edhe vëzhguesit e huaj nuk kishin punë të rrinin, iu çua mesazh që duhej të iknin sepse zgjedhje nuk do të kishte. Kush foli nuk u dëgjua. E kotë të flisje, bindja ndaj vendimit ishte rruga e mbetur. Atë ditë humbëm edhe pushtetin vendor por Ai vetë kishte dhënë provë tjetër që mund të merrte vendime si askush, edhe pse të marra politikisht.

Nuk pranoi asnjë përgjegjësi. Kush e kritikoi u anatemua.

Kush mendoi se pasi u përzu nga partia mund të krijonte partine e tij, mirë a keq, do të sulmohej si heretik. Të mos flisje ishte më mirë. Të mos veproje aq më mirë.

Forumet u zëvendësuan de facto me këshilltarë të huaj PR, vendosnin ata se çfarë duhej bërë e thënë.

Partia tashmë ishte zëvendësuar me zyrën e shtypit.

Mund të përsëritje deri në papagallosje mesazhin e qendrës, por nuk duhej të flisje atë që mendoje.

10-Sërish erdhën zgjedhjet pas dy vitesh ku partia u atrofizua në rrugë, në aksione pa aksion. Sërish nuk pyeti kërrkënd për listat e kandidatëve. Proceset farsë të perzgjedhjes se emrave vetëm sa i vunë anëtarët kundër njëri-tjetrit dhe nuk u morën fare në konsideratë.

Fushata në kundërshtim me çdo keshillë racionale u bë si fushatë presidenciale, krejt kundër sistemit zgjedhor.

Në fushatë duhej të shkëlqente vetëm Ai, askush tjetër nuk duhej as të nxirrte ndonjë xixë e jo më të nxirrte ndonjë regëtimë shkëlqimi.

Humbi sërish, por askujt nuk i la kohë të fliste e t’i kërkonte llogari. U rizgjodh papritur. Nuk mund të merrte më pak vota se kur u zgjodh per herë te pare. Proces farsë dhe ky.

Çentralizoi më tej partinë me ndryshime në Statut.

Tha që do fillonte luftën. Sërish. Por mesa duket, bëhej gati për përplasjen finale në parti.

Me të gjitha këto Ai arriti një sukses të pa precedent: 8 vjet zvarritje me shpresën duke e bartur në kurriz të vrarë edhe për 4 vjet të tjerë.

Askush nuk foli në publik kur u rizgjodh pas gjithë këtyre dështimeve me sukses. “Ose flit tani ose hesht pëgjithmone” thotë prifti para se të celebrojë martesë.

Por kjo ishte një martesë e përçudnuar.

Martohej Humbja me Heshtjen. Ndaj sot duhet folur.

Kjo ishte rrëfenja e një rrugëtimi që një njeri nisi për tu bërë lider por e përfundoi duke ndërtuar kultin e individit të vetmuar që nuk gabon kurrë, sepse gabimet e tij i bëjnë të tjerët.

Një kult qe piedestal ka Mosfoltoren. Një kult komunist i maskuar me retorikë të freskët antikomunizmi.

Ky kult bie kur ne të flasim pa e pyetur idhullin mbi piedestal.

Më 11 dhjetor 2021 rrëzojmë Mosfoltoren që të çlirohemi nga kulti i individit! Atë ditë merrni me vete logon e PD që keni në zemër pa i marrë leje Mosfoltores.

Askush nuk të dënon pse kërkon demokraci kundër njëshit që ta ka rrëmbyer e përvetësuar.

Atë ditë flisni me votë!

Nga: TPZ.al