Bythëshiturit…
Bythëshiturit…
Nga Naun Kule
Sa herë bëhet fjalë për armiq brenda nesh, mendja na shkon te armiqtë e klasës në regjimin komunist. Paçka se kishte edhe ndër ta, të lidhur me zbulimet e huaja, rrezikshmëria e tyre duket hiçgjë përballë këtyre të sotëve të cilët, paguhen, dekorohen e gradohen nga të huajt, për dobinë e shteteve fqinj. Dhe, ndërsa thuhet e shkruhet për lista e pagesa agjenturash që kanë rrënuar ndër vite Shqipërinë, njerëzit ngrenë supet dhe bëjnë të paditurin, sikur gjithsa shkruhet e thuhet, dihej e njihej. Se, nuk mund të mos e njohësh atë që, ndonëse punon pranë teje deri edhe në zyrën a shoqërinë tënde, axhendën e përditshme ia dërgojnë inkonjito nga…larg e nga lart. Edhe pyetjet në emisionet mediatike për ministrat, për kryetarin e partisë a të gjykatës, ia sajojnë ata, pagatorët. Ndaj edhe përgjigjet janë të tilla që e çojnë ujin në mullirin e tyre…
Është e vërtetë se shteti grek, qoftë vatra apo çatia e hershme e demokracisë, vitet e fundit u mbërthye nga një krizë ekonomike që shqetësoi financat vendase dhe monitoruesit europianë.
Dhe kjo gjendje ende s’është shëruar. Kryeministri Cipras herë e ve dhe herë e heq kravatën…(Do ta veri kur Greqia të shlyejë borxhet…?)Pra Greqia financohet me borxhe nga taksapaguesit europianë aq sa ka futur në siklet miqtë, nëse duhet ndihur më, apo mjaft. Por, edhe pse me kësi halle, vazhdon zakonin e vjetër; të paguajë qindra mijë euro për bythëshiturit shqiptarë-grekomanë dhe jo vetëm. Synimi është të retushojë pamjen dhe të moderojë politikën e saj nacionaliste duke ushqyer pararojat dhe prapavijat e synimeve asimiluese, shekullore, çuditërisht ende nën orekset ekstremiste helenike të Megaliidhesë.
Por jo vetëm për individë dhe antishqiptarë të devijuar nga kombtarizma e tyre. Shteti grek paguan shuma kolosale edhe për kishat dhe shkollat greke në Shqipëri të cilat, janë vatrat e hershme helenike të politikës së tij asimiluese.
“…Fushat ku propaganda greke shfaqet më fortë janë shkolla dhe kisha…Priftërinjtë dhe mësonjësit grekë në Shqipëri, me armën tejet të fuqishme të fesë,…i shërbejnë injorancës dhe paragjykimeve. Prifti këtu është një dhelpër greke i cili… emrin e atdheut e ka zëvendësuar me atë të Greqisë…Nxënësit shqiptarë greqizohen edhe përmes lutjeve gjoja fetare. Mësimi i përditshëm nis me lutjen-betim, në kor:
-Atdheu im i dashur, e bukura Greqi, /Si nënë tjetër do të dashurojë!
Do të jap jetën në altarin tënd…Dhe në s’bëhem biri yt besnik,
Le të kem mallkimin e Perëndisë. Amin! (Prof.F.Liço,Rev.Stud.hist.Tir.1980, nr.2,fq.14)
Pranimi i një prifti grek në krye të ortodoksisë dhe asgjësimi i Autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare, përzënia deri me dhunë e burrit të shquar të pavarësisë së saj, Imzot Nolit, është pagesa më fitimprurëse që kanë bërë financat greke, ndaj pavarësisë shqiptare.
“…Futja në dorë e kishës ortodokse shqiptare është fitorja më e madhe e Greqisë në shekullin e njëzetë…” shkruan N.Stavros në librin e tij për Ballkanin.
Për kishën ortodokse investimet greke janë aq të shumta sa i duhet Sinodit progrek dhe kryetarit të tij grek; të ngrejë, ushqejë dhe mbajë në këmbë një sistem të tërë kishash e shkollash greke ku gëlojnë e vegjetojnë një takëm grekomanësh militantë e puthadorë. Nuk janë kursyer paratë edhe për të ngritur nga themelet kisha të reja ortodokse (gjoja me fonde personale…?!) në fshatra të gjysmuar nga braktisja emigruese ose në fshatra me popullsi krejt myslimane. Pyetja është; përse u duhen këto kisha synimeve afatgjata greke? Për asgjë, veçse të instalojnë e “groposin” në këto ndërtesa kulti, arkitekturën dhe gjurmët e ndikimit grek.
Shembulli më flagrant i investimeve afatgjata greke është ai i rindërtimit të manastirit në Kolkondas (Fier), ku janë hedhur qindra milionë për të shtuar e shtruar konakët e tij tek mblidhen e lloisin eksponentë të tillë grekë të sojit Ksera, dhjaku Dule, të mikëpritur nga kryepeshkopi. Gjithë qëllimi është të ringrihet kulti dhe legjendat për misionarin antishqiptar Kozma Etolin (Shën Kozmain, 1714-1779) për ta pasur atë, si “gur sinori” në shtrirjen deri në Shkumbin, drejt“Vorio Epirit” siç vazhdojnë ende klithmat e “korbave”ekstremistë.
Por nga konakët e lartuar të manastirit të Kolkondasit duken kishat e shkatërruara të Shën Gjergjit në Libofshë, e Shën Kollit në Vanaj, etj, të cilat, po i zë çatia poshtë. Presim me vite të ndërtohet biblioteka e manastirit të Ardenicës (ishte dikur më e begaçmja në Ballkan…!), për të cilën, projektet dhe premtimet përsëriten pafund. Por, për ndërtime dhe riparime të tilla, nuk gjenden paratë…?!
***
-I kemi në mesin tonë…!
Pas botimit të librit “Shenjtëri të vjedhura”, u gjenda në një lumë kritikash të rrepta nga ithtarët grekomanë.
Libri është një studim i dokumentuar me foto e faksimile për veprimtarinë 300 vjeçare antishqiptare të kishës greke për të helenizuar ortodoksit shqiptarë nën moton mesjetare bizantine, “një fe-një atdhe”-Nga shën Kozmai tek Janullatosi-
Në mjediset intelektuale atdhetare, libri u prit shumë mirë. Fjala ishte për atë që të gjithë e dimë; rreziku i ekspansionit grek ndaj të krishterëve ortodoks shqiptarë, sidomos në jugun e Shqipërisë e posaçërisht, të banorëve ortodoks të Myzeqesë.
Pikërisht këtu, kisha greke ngul gjithnjë e më thellë “gozhdën e Nasradinit”; paguan pa hesap, mbi dorë e nën dorë, për të zbukuruar manastirin e Kolkondasit (gjoja të shën Kozmait), ndrequr nga Ali P.Tepelena (1814), për qëllimet e tij politike.
Libri dritëson me dokumente dhe fakte mashtrimet grekomane se si dhe pse misionari antishqiptar Kozma Etoliani, vrarë dhe varrosur në Kolkondas 240 vjet më parë, paska lënë litarin jashtë…
Ndonëse i harruar, varrosur e zhvarrosur disa herë nga përmbytjet e lumit këtu, u sajuan disa eshtra të “shenjtit”, para të cilave erdhën nga Greqia, bënë kryq e u lutën edhe burra me emër të shtetit grek si ish presidenti i Greqisë, zoti Karlos Papulias, ish-ministrja e kulturës zonja Melina Mërkuri, etj.
Në ditëvrasjen e tij (24 gusht 1779) bëhet panair i madh në këtë manastir, ku autobusët me vizitorë të ardhur nga Greqia, sarhoshur me verën e vreshtave të Ardenicës, hedhin vallen “palikaris” dhe luten për…shpirtin e Kozmait.
Libri në fjalë denoncon pikërisht këto veprime antishqiptare të cilat, fqinji ynë jugor na i bën ditën për diell.
Mirëpo, s’ishte kjo e keqja më e madhe. Ishte ajo për të cilën të vjetrit thoshin: “Mirë ujku që më hëngri delet, po ç’t’i bëj qenit tim që hëngri bashkë me ujkun…?!”
Me librin e porsabotuar, kisha tërhequr mbi vete zemërimin e “intelektualëve” grekomanë e filogrekë, të cilët nuk kursyen as vërejtjet, as paralajmërimet as kërcënimet…!
-Kafe me një prift…
Ditën që një gazetë e Tiranës botoi shkrimin tim kritik “Hirësi Janullatos, zoti flet edhe shqip !” mora shumë telefonata, pro e kundra. Preka një problem fare të njohur, por të pranuar në heshtje si një e keqe që u dashka ta vuajmë. Prifti grek apo shqiptar grekoman, meshon greqisht. Besimtarët shqiptarë bëjnë kryq dhe…Krishti u ngjall! Solla edhe ngjarjen e ndodhur gati një shekull më parë, në fshatin Ndërnënas të Myzeqesë. Besimtarët asokohe, e përzunë priftin e tyre-J.Z, djalë fshati, sepse Pashkët e atij viti i meshoi greqisht! Ishte viti 1929…!
Sërish, reagimet e kalemxhinjëve të paguar, m’u vërsulën me sharje e fyerje. Si ekstremist dhe ateist, kisha fyer Hirësinë dhe kisha minuar harmoninë fetare…?!
Më i zellshmi në këtë lukuni grekomanësh, ishte një “profesor i shquar”, Pirro P., drejtues i Lidhjes së intelektualëve ortodoks, pranë Sinodit të KOASH-it i cili, në shkrimin kritik më akuzonte veç të tjerash edhe si mosmirënjohës ndaj Hirësisë të cilin, “Zoti desh dhe e solli mes nesh…?!”
Shefi i tij, kleriku A, në takimin mujor të intelektualëve ortodoks, urdhëroi prerë dhe ashpër që besimtarët të mos lexojnë libra si ato të autorit N.K… Kisha ka librat e saj që i boton vet, siç ka edhe autorët e saj që ia shkruajnë…!
Kësisoj, libri im “Shenjtëri të vjedhura”,-Tiranë, 2015, u dënua me “vdekje” para se të lexohej. E kishte lexuar udhëheqja…!
***
Pas kërkesave të përsëritura të klerikut At N., u takuam në një kafe në qendër të Tiranës. Iu ula ballaz, në prani të “shkesit” që na bashkoi dhe e pyeta:-Kush të ka dërguar?
U tkurr nga e papritura e pyetjes dhe u zbyth në yryshin e axhendës së shefave. M’u betua se vinte miqësisht, se ishim të një feje dhe bashkëvendas…(myzeqar edhe ky…?!). Vinte sepse nuk ndihej mirë në misionin fetar kur lexonte ato çka shkruaja unë për fetarët e rremë të çdo besimi të cilët, të fshehur pas veladonit dhe mjekrës së zezë…, mashtrojnë besimtarët.
-Ç’libra ke lexuar për Kozmain? ia ndërpreva përdëllimin fals.
-Po ç’nevojë ka të këndojmë libra…! Të shenjtin Kozma na e kanë lënë amanet gjyshërit. Bënin kryq para ikonës së tij….
-Gjyshërit dhe stërgjyshërit ishin analfabetë. Kurse ti dhe soji …
Gjithsesi, unë kam lexuar jo më pak se katër-pesë…! Murgu grek Kozma Etoliani, mallkonte gjuhën shqipe si gjuha e djallit. Bënte thirrje që gjyshërit tanë të mos luteshin shqip se nuk i kuptonte zoti. Se gjuha e Krishtit është vetëm greqishtja… Ndaj, edhe ne jemi grekë..?! Atyre që premtonin të flisnin greqisht edhe në familje, i gostiste me dhurata. Dhe, mirë e bënte; greku për Greqinë apo jo? Po ne…?
-Ne e kemi të shenjtë zoti…Kemi një manastir me emrin e tij…
-Manastirin e kemi nga Ali Pashë Tepelena, që e ndërtoi për synimet e tij politike, 35 vjet pas vdekjes së murgut Kozma…!
Fshati aty ka kishën e lashtë, shën Marinë. Ashtu si ortodoksia shqiptare ka të shenjtët e vet, siç i kanë ortodoksit e gjithë botës. Kozmai nuk ishte as shqiptar, as i shenjtë. Ishte një misionar i Megaliidhesë greke i cili, po të mos ishte varrosur në Kolkondas, sot, s’do t’i dihej as emri.. Gjithsesi, uratë, ç’kërkoni nga unë…?
Përnguli sytë një moment -Të mos shkruani më! Mos…
-Sa të mundem! i thashë. -Madje do më pëlqente të shkruaja edhe për ty. Edhe për kolegët e tu…Pse jo? Siç kam shkruar për disa klerikë, krishterë e myslimanë atdhetarë, dëshmorë e heronj të kombtarizmës. Bëhu edhe ti si njeri nga ata. Bëhu një Papa Kristo Negovan, një At Stath Melani…Apo s’i njeh..!?
Bëhu një Papa Saqellar i Kolkondasit, Papa Isaija i Semanit apo Ikonom Dhima i Ardenicës…Pas kësaj, do të shkruajnë për ty e të tjerë, më shumë dhe më mirë se unë…!
-Zhgënjim dhe keqardhje…!
Tek vizitoja varret e prindërve në varrezën e kishës së vendlindjes-Libofshë, u përballa me një ish nxënësin tim-prift.
-Zoti….N…! të kam pasur këtu !
I murrëtyer në surrat, tregonte me dorën lart çaçkën e kokës nxirë nga kamillafi. -Por tani…. Ëhëëë..! Se atë që ke bërë ti, s’e ka bërë as turku ! Ja kështu…! As turku! Ai që tororis ti në libër është i shenjtë! More vesh ? Hirësia, de…! I shenjtë…!
Dy priftërinj ndërhynë për ta qetësuar kolegun zelltar duke kërkuar edhe ndjesë, pasi urata në fjalë, ishte ca i “fandaksur” pas shefit, pagator…Përkundër këtij “shërbëtori të zotit” dhe mohonjësi të shqiptarizmës, disa miq intelektualë në rrethet e Vlorës e më tej, fotokopjuan kapituj, pikërisht nga ky libër dhe, me komente të ndryshme, u a dërguan miqve afër dhe larg.
***
Reagime të tilla, madje të dyfishta, më erdhën edhe pas botimit të shkrimit kritik “Serbët dhe grekërit, takohen në Libofshë”
Bëhet fjalë për dy fqinjët tanë jugveriorë, për fat (të mirë apo të keq?) të dy popuj ortodoks. Serbët hapin shkollë serbe këtu, në mes të Myzeqesë dhe kërkojnë gjurmë të ikonografisë sllave në manastir të Ardenicës dhe kishat përqark.
Kurse grekët, himnizojnë misionarin antishqiptar Kozma Etolianin në manastirin e Kolkondasit, 5-6 km më tej… !?
Gjithsesi, zhgënjimin më të madh e pësova me njërin nga miqtë që e vlerësoja shumë. Autor i shumë librave, me emër e profil të njohur publikisht. Dy-tri librat e mi edhe i ka redaktuar –
-Ç’po shkruan?,- më pyeti në kafe. Isha në gjysmën e punës me librin “Shenjtëri të vjedhura”. Paçka se ia thosha së pari, kuptova se ai e dinte.-E ç’të duhet kjo punë?!, më tha- Merru me Myzeqenë, ke plot tema për të shkruar…!
-Jo! i thashë, -Kam vite që mbledh material dhe dokumente për synimet helenizuese të kishës greke ndaj ortodoksëve shqiptarë. Sidomos tani që KOASH-i s’është më si dikur. Ndërhyrjet greke, ekstremizmi, helenizimi vazhdojnë që nga shën Kozmai gjer sot, te Janullatosi. Tri shekuj pretendime, asimilim…!
-A e ke takuar ndonjëherë kryepeshkopin?
-Jo, asnjëherë!
-Unë e kam takuar dy herë. Është personalitet, burrë i ditur…
-S’kam dyshim! Ta marrin në Greqi, ta bëjnë, siç…
-Dëgjo mua, për ne është humbje kohe kjo që bënë ti. Se, nuk ndreqim gjë. Jo një libër të bësh ti a unë…Janë fuqi madhore në mes… Politikë e lartë, s’pyesin për librat tanë…!
Shtoi ftesat për kafe dhe në secilin takim, i njëjti avaz. Kur botova librin, nuk më tha asnjë fjalë…As unë..! Kuptohet; e humbëm njëri-tjetrin…!
Por ndërsa me këtë krijues u zhgënjeva, me pasuesin e tij me të njëjtën axhendë, u zëmërova. Edhe ky, një i vetëquajtur “studiues” një delirant grekoman. Guxoi të ndalë në rrugë një familjarin tim për të më dërguar mesazhin kërcënues të axhendës greke. I tundi gishtin tregues dhe iu zbraz hakrrueshëm:
-Thuaj atij…(dmth, mua…!?), se është duke gabuar rëndë. Dhe gabimi i rëndë, është faj që ndëshkohet..! Nuk na takon ne, ortodoksëve të shkruajmë kundër kishës tonë! Kundër ortodoksisë. Ne që pagëzohemi me emrat e shenjtorëve të ortodoksisë si Thanas, Jani, Kristo, Vasil, etj…!
Ja, pra! Ky “intelektual atdhetar” bythëshitur, guxon të kërcënojë mes të ditës e mes të rrugës…!Në emër të kujt?! Sigurisht, në emër të pagatorëve, të axhendës antishqiptare… Por jo vetëm. Edhe modeli antishqiptar i ndonjë qeveritarit tonë nuk flet për mirë. Ka mbi një çerek shekulli që ndonjëri nga shtetarët tanë të të gjitha qeverive, mban mbi supe akuza për bashkëpunim me agjentura të huaja dhe veprime antishqiptare. As një gjemb s’u ka hyrë. Përkundër kësaj, merren në qeveri, bëhen shtetarë, deputet, ministra…!? Kësisoj u shtohet trimëria edhe bythëshiturve të tjerë, që mbajnë peng progresin shqiptar. “Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë dhe myslimanë, por në shqiptarë dhe antishqiptarë”, shkruante Faik Konica.
***
Pas gjithë këtyre bëmave, s’ka nevojë të lexosh listat e antishqiptarëve të shitur të cilët, paguhen nga të huajt për të shkatërruar popullin dhe kombin e vet.
Mjafton të citojmë kasapin e Ballkanit, kriminelin serbomadh Milosheviçin i cili, pohon me gojën e vet shumën e paguar nga shteti serb agjentëve shqiptarë për të punuar kundër Shqipërisë. 40 milionë $ për 6 mijë shqiptarë-agjentë të UDB-(“Dita”,24.10, 2018). Besoj se fqinji jugor, e kapërcen edhe këtë shumë…?
Gjithsesi, të gjithë këta agjentë të të huajve, shtetarë apo çobenj të thjeshtë, edhe pse në lista sekrete e përgjithësisht të fshehur, ata rrëfehen me gisht. Flasin gjëmat dhe bëmat e tyre në kurriz të Shqipërisë. I gjen me emër e mbiemër në tranzicionin e pafund të Shqipërisë së rrënuar. I gjen në dhimbjen e çdo emigranti dhe pritjes së pashpresë të prindërve që plaken e shkojnë me sytë nga dera…Ata janë në mes tonë…!
Ndoshta, ndonjëri, edhe në kryen tonë…!?
”Janë mes tonë”, që nga koha e Naimit të madh, të cilit, Shqipëria dhe emri shqiptar i jepte nder…! Ndaj thirrja e apostullit të shqiptarizmës, sokëllin ende: “…Po, po mos u qoftë thënë…!” Kurrë mos paçin gjë në dorë…!
Nga: Gazeta Dita.