Çarjet në Kalanë e Gjirokastrës, – Situata është emergjente. –
Arkiteti Kreshnik Merxhani për ‘Fax News” është shprehur se çarjet në Kalanë e Gjirokastrës janë shqetësuese. Sipas tij në njërën kullë të kalasë ka çarje të madha dhe kjo është një situatë emergjente dhe duhet të ndërhyet menjëherë.
“Që në vitin 1979 ka pasur disa çarje në kala dhe këto çarje janë ende aktive. Kemi të bëjmë me një situatë vërtet emergjente. Kanë qenë prezente këto çarje në vitet ’80, ka vijuar në vitet ’95, ’97, pastaj kanë vijuar pothuajse në çdo dy vjet. Tani ka një relacion ku tregohen edhe dëmet që ka dhënë tërmeti i Janinës dhe nga ky tërmet çarjet janë thelluar. Jo me larg se para 20 ditësh ka pasur edhe çarje shkëmbinjsh. UNESCO me partnerët e saj ka deklaruar se duhet të ishte ndërhyrë që prej vitit 2014, situata është urgjente. E gjitha këto na bën ne të alarmohemi dhe të bëhet një ndërhyrje. Ndërhyrjet në kala duhet të jenë emergjente.”, u shpreh Merxhani.
Gazetarja e “Fax News” Ervina Shehaj është shprehur në një lidhje direkte nga Gjirokastra se gjatë komunikimit me drejtorin e Monumenteve, ky i fundit ka thënë që ende nuk është marrë asnjë masë për kalanë.
Foto:Arkiteti Kreshnik Merxhani