Çarli Çaplin, aktori më i madh i historisë së kinemasë botërore
Çarli Çaplin, aktori më i madh i historisë së kinemasë botërore
Kur bota vuante pasojat e Luftës së Parë Botërore, shumë njerëz gjetën shpresë në filmat e tij, edhe pse pas komikes së tyre fshihej një jetë e trishtuar. Në një sondazh mbarëbotëror të drejtuar nga kritikë të filmit, Çaplini votohet si aktori më i madh i historisë së kinemasë. Shfaqja tek ai, nga zbavitje e rëndomtë, shndërrohej në art.
Çarli Çaplini u lind në Londër. Ishte duartrokitur për lojën e tij që 5 vjeç, kur zëvendësonte në skenë të ëmën. Dhjetë vjeç, nën drejtimin e të atit, iu bashkua një trupe teatri për fëmijë dhe filloi të japë shfaqje në të gjithë vendin. Gjashtëmbëdhjetë vjeç ishte ndër aktorët më popullorë në Londër. Tre vjet më vonë, pas kthimit nga Amerika, më 1916 vendos të xhirojë filmin e tij, duke krijuar karakterin e famshëm të Endacakut. Bashkë me të mëdhenjtë e Hollivudit, D.W. Grifith, Mary Pickford dhe Douglas Fairbanks, themelon studion “United Artists”.
Pas karrierës së suksesshme, jeta private e artistit ishte shumë e vështirë. Martesat me vajza shumë më të reja se ai në moshë, përfunduan në mënyrë dramatike me divorce. Më në fund martesa e tij e katërt zgjati deri në fund të jetës së Çaplinit, më 1977. Në kohën e periudhës së Makartizmit, në Amerikë, Çaplini dyshohej si përkrahës i komunizmit sidomos për komedinë e tij të zezë “Dritat e Skenës” 1952. Vendimi për të ruajtur qytetarinë angleze u pa me dyshim nga autoritetet dhe FBI e ndiqte për evazion fiskal. Ndërsa diskutohej dëbimi i tij, autoritetet amerikane e ndaluan të hyjë në Amerikë kur ishte duke u kthyer nga pushimet me familjen. Më në fund vendoset në Zvicër ku xhiron dy filma dhe shkruan autobiografinë.
Më 1972 i jepet Çmimi Oscar për karrierën, dhe autoritetet i japin leje speciale për të hyrë në Amerikë.
Mjeshtër i tragjikomedisë. Bileta e tij e suksesit ishte “Endacaku”: bastuni, mustaqet, veshja karakter. Por ai krijoi një karakter krejtësisht kontradiktor: Endacakun, zotërinë, poetin dhe të braktisurin, i trazuar nga ëndrrat, i intriguar nga shkenca. Ishte kjo figurë që mbeti maja e karrierës së tij që vijoi me 35 filma.
Ky perfeksion kontrollonte gjithë procesin e realizimit të filmit. Ai donte një skenë ku një karrocë cirku ecte në vetmi. Qëllimi ishte që t’i shtonte një ndjenjë të hollë komedive të tij. Çaplini e kishte kuptuar dobësinë e njeriut përballë natyrës dhe ishte i bindur se humori është e vetmja mënyrë për t’i bërë ballë asaj. E qeshura, besonte Çaplini, lind prej kontradiktës. Spektatori shpërthen në të qeshura kur Endacaku e gjen veten herë pas here në situata të pavolitshme. Përvoja e tij e hershme në jetë i pat mësuar se e qeshura dhe dhimbja janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ai thoshte se në rini, romanin “Oliver Tuist” të Dikensit e mbante poshtë jastëkut. Kjo tregon se asnjëherë nuk e harroi fëmijërinë e tij të varfër.
Regjisori Jean Cocteau, një nga artistët e talentuar të shekullit të njëzetë, thoshte se Çaplini e përdor të qeshurën si gjuhë universale për të gjithë popujt e botës, pavarësisht moshës dhe racës. Kurse regjisori Haward Hawaks e quante “Don Kishoti i komedisë”. “Dritat e skenës” ishte i fundit dhe më mbresëlënësi film i Çaplinit. Në atë film ai i kthehet pas karrierës 40-vjeçare si aktor. Aty shprehet se jeta mund të jetë e mrekullueshme nëse ti nuk i frikësohesh asaj. Gjithçka për të cilën ti ke nevojë është kuraja dhe imagjinata. Ai mendonte se në jetë ka gjëra më të tmerrshme sesa vdekja, prandaj prej jetës nuk duhet hequr dorë.