Çelet në Muzeun Kombëtar ekspozita “25 vjet artist profesionist”. –
Çelet në Muzeun Kombëtar ekspozita “25 vjet artist profesionist”. –
Në Muzeun Historik Kombëtar artisti Leonardo Voci u prezantua për publikun me ekspozitën retrospektive “25 vjet artist profesionist” kuruar nga Floriana Paskali. Mbi 150 punime të kornizuara, por dhe të tjera pa korniza të cilat artdashësit patën mundësi ti shikojnë në këtë ekspozitë. Ekspozita retrospektive përmbante punë që nga rinia dhe aktiviteti i parë i tij deri në ditët tona. Kuratorja Floriana Paskali shprehet se në morinë e pikturave të tij autori ka krijuar tashmë stilin dhe individualitetin e tij artistik. “Kjo e bën të dallueshëm nga të tjerët, duke krijuar impresione të fuqishme dhe admirim tek artdashësit e shumtë shqiptarë e të huaj, që vizitojnë artin e tij. Me një karrierë 25 vjeçare, që e ka fillesën në Augsburg të Gjermanisë, Leonardo Voci me origjinë nga bajza e Malësisë së Madhe sjell si përherë në këtë ekspozitë retrospektivë stile bashkëkohore, të vendlindjes së vet, me një përzierje ngjyrash, formash të çuditshme, me sfonde herë të qeta, herë të trazuara, e shpesh irreale, që burojnë prej shpirtit të tij të vrullshëm, dhe kombinimit të shkollave autodidakte, që ka mbaruar pranë mjeshtrave të ndryshëm në Itali, si Lin Delia, e Augsburg të Gjermanisë pranë mjeshtrit Gjelosh Gjokaj”, shprehet kuratorja Floriana Paskali.
Për kuratoren e ekspozitës, artisti në krijimtarinë e tij është i ndryshëm nga të tjerët. “Ai është mjeshtër i paletës së ngjyrave, që zbret nga tonet, në gjysmë tone, e deri në një të tetën e toneve. Është i ndryshëm nga të tjerët, ka mbi 4000 punime dhe asnjëherë nuk është i njëjtë”, vijon më tej kuratorja Floriana Paskali në fjalën e saj për ekspozitën në hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Për kuratoren e ekspozitës, piktura e artistit është e dallueshme dhe origjinale. “Padyshim, piktura e tij, kompozimi i tij, ngjyra e tij është e dallueshme qartazi, është origjinale. Është autentik dhe i pakopjueshëm, duke eksploruar në ngjyra dhe në formate, duke kaluar lehtësisht nga formati i madh në të vogël, dukuri e rrallë në artin e kësaj gjinie”, shton kuratorja Paskali. Më tej ajo tregon se në këtë ekspozitë retrospektive, artisti Voci prezantonte për publikun dhe disa vepra nga 3 koleksione të miqve të tij.