“Çështjen e I.M e ka sqaruar vetë personi i përndjekur”- Ilir Meta: – Rilindasit mavi dhe blu të “mprehin” brisqet…
26 Tetor 2022
Gazeta Panorama
Kryetari i Partisë së Lirisë, ka ironizuar nismën e PS dhe PD për hapjen e dosjeve duke i cilësuar ata rilindas mavi dhe blu në përpjekje për të lidhur emrin e Ilir Metës me Sigurimin e Shtetit.
Meta shprehet se asgjë nuk e ndal Ilir Metën në misionin e vet për të rivendosur pluralizmin politik ndërsa shton se në krye të opozitës nuk ka për të pasur më Lulushë.
“Të gjithë rilindasit mavi dhe blu të “mprehin” brisqet për të lidhur emrin e Ilir Metës me Sigurimin e shtetit. Inkriminimi i Autoritetit të manipulimit të dosjeve Rama-Basha me falsifikime dhe manipulime të opinionit publik do të marrë përgjigjen e duhur dhe ndëshkimin ligjor. Asgjë nuk e ndal Ilir Metën në misionin e tij për të rivendosur pluralizmin politik. Çështjen e I.M e ka sqaruar vetë personi i përndjekur nga Sigurimi i Shtetit.
Turp për të gjithë ata faqezinj që bëjnë si opozitarë dhe janë vetëm korporata të fëlliqura të korruptuar nga Edi Rama. Në krye të opozites s’ka për të patur as Lul dhe as Lulushë. Shpresoj që emisionet e stisura për rëndësinë e “hapjes” së dosjeve të mos sponsorizohen nga paratë e incineratorëve”, shkruan Meta.