Cetina përplas fort malazezët me serbët. –  Tensione për ceremoninë e mitropolitit të kishës ortodokse serbe ne Malin e Zi

4 shtator 2021

Ceremonia e marrjes së detyrës të mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, e planifikuar për ditën e diel ka rritur tensionet mes malazezëve dhe serbëve.

Ceremonia është planifikuar të mbahet në manastirin e Cetinjes, dikur kryeqytet i malazezëve dhe që sot konsiderohet si kryeqendra kulturore dhe fetare e Malit të Zi. Por, komuna, organizata dhe partia e Presidentit Milo Gjukanoviç kundërshtojnë këtë ceremoni.

Kisha Ortodokse e Malit të Zi, që zyrtarisht është nën Kishën Autoqefale të Serbisë synon shkëputjen prej kësaj të fundit. Vlladimir Veljkoviq një historian nga Serbia që merret me studimet e fesë i tha Radios Evropa e Lirë se pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kishës Ortodokse Malazeze kryqëzohen në Cetinje.

“Në radhë të parë Cetinje është kryeqyteti i vjetër i Malit të Zi dhe nga ana tjetër është gjithashtu selia e peshkopëve malazezë, gjegjësisht Mitropolia e Malit të Zi, dhe tani padyshim që kemi dy koncepte të ndryshme lidhur me simbolikën e Cetinjës”, thotë Veljkoviq.

Kjo nuk është hera e parë që ka pasur tensione në këtë qytet.

Më 1992, Mitropoliti i atëhershëm Amfilohije dërgoi anëtarë të armatosur të formacioneve paramilitare nga Serbia, të udhëhequra nga Zheljko Raznatoviq (i njohur si Arkan), në ambientet e Manastirit të Cetinjës, me arsyetimin se duhet të mbrohet nga “separatistët malazezë”.

Në 30 vitet e fundit, festat fetare në atë qytet, shënohen në praninë e forcave të shumta policore, pasi përkrahësit e Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj malazeze jo-kanonike festojnë të ndarë.

Në fillim të marsit, një grup qytetarësh qëndruan në rrugë derisa delegacioni i Qeverisë së Malit të Zi, vendosi një kurorë me lule mbi varrin e mbretit Nikolla, sovranit të fundit malazez. Qytetarët thërrisnin “çetnikë!” dhe “Mali i Zi nuk do të jetë kurrë bregdeti i detit serb”.

Cetinja ishte i vetmi qytet në Malin e Zi me shumicë ortodokse, në të cilin nuk u organizuan tubime protestuese të Kishës Ortodokse Serbe kundër Ligjit për Liritë Fetare gjatë vitit 2020. Miratimi i këtij ligji pati shkaktuar tensione të larta në Mal të Zi.

Kisha Ortodokse Serbe ka mbështetjen e një pjese të elitës politike në Mal të Zi dhe pretendon pronësinë e shumë kishave dhe manastireve të cilat pretendohen edhe nga kisha malazeze. Ligji për liritë fetare, ishte miratuar në vitin 2019, në kohën kur në pushtet ishte partia e Gjukanoviqit, dhe kërkonte nga komunitetet fetare të dëshmojnë se janë pronarë të pronave para vitit 1918.

Shoqatat kombëtare malazeze, pothuajse e gjithë opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviq dhe përfaqësuesit e komunës së Cetinjës po e kundërshtojnë ceremoninë e marrjes së detyrës së mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Ata e shohin ceremoninë si një simbol të “pushtimit” të Malit të Zi dhe një përpjekje për ta futur Malin e Zi në të ashtuquajturën “botë serbe”. Këtë ide e shfaqi për herë të parë ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Vulin tha në një tubim të partisë së tij më 18 korrik, se “detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë botën serbe” dhe “t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”. Kundërshtuesit e ceremonisë kanë kërkuar që ajo të mbahet në çdo qytet tjetër malazez, përveç Cetinjës. Ky qytet nga malazezët konsiderohet si qendër kulturore dhe historike.

Gazeta Shqip