Çfarë biseduan nënkryetari i KMSH dhe Baba Mondi me presidentin e Izraelit? Ish-myftiu Gurra: – Pikëpyetje e madhe
24 Shtator 2024
fillimisht në një intervistë për gazetën amerikane Neë York Times dhe mbrëmë nga Selia e OKB-së, Kryeministri Edi Rama njoftoi “transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar”.
Si çdo zhvillim të rëndësishëm që e marrim vesh përmes medias ndërkombëtare, edhe këtë herë lëvizja e Ramës duket e mirëmenduar pasi i paraprin javës së Tij në OKB.
Pas fjalës që mbajti mbrëmë në “Samitin e së ardhmes” në Nju Jork, reagoi për herë të parë edhe Selia Botërore e Bektashinjve. Ajo e cilësoi menjëherë një “nismë të jashtëzakonshme”, që sipas saj do të sjellë “një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes”.
Për këtë çështje u diskutua në një program televiziv ku i ftuar ishte edhe ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra. Ndër të tjera, ai tha se në një farë mënyre po i bëhet edhe karshillëk komunitetit mysliman.
“Kjo çon ujë në një ndarje të re, një diskriminim pozitiv ndaj Kryegjyshatës Botërore me myslimanët dhe bashkëvëllezërit tanë të krishterë.
Jo unë personalisht, por asnjë besimtar i besimit mysliman në Shqipëri nuk ushqen dhe nuk duhet të ushqejë një lloj xhelozie, apo një dashakeqësi ndaj shtimit të numrit të një bashkësie tjetër në mënyrë të natyrshme. Në një rast si ky nuk është aspak rasti.
Deri diku edhe karshillëk.”, tha Gurra.
Ndërkohë, ai ngriti dyshime në lidhje me një takim të para pak ditëve të Baba Mondit, nënkryetarit të Komunitetit Mysliman dhe Presidentit të Izraelit në Tiranë. Ai theksoi se ky takim lë shumë hije dyshimi.
“Një pjesë e mirë e qytetarëve myslimanë, por edhe shqiptarët ndoshta, por nuk po i përfshij, kanë një mijë e një pyetje për takimin e vetëm të nënkryetarit të Komitetit Mysliman dhe të Baba Mondit me Presidentin izraelit.
Në rrafshin kombëtar nuk mbaj mend dhe kjo është e natyrshmja që drejtuesit e bashkësive fetare në takime apo përfaqësime të kenë ndarje mes tyre pa ndërhyrje të politikës. Rasti konkret, para një jave, në takim ka qenë vetëm Baba Mondi dhe një nënkryetar i komunitetit.”, – tha Gurra.
Nga Gazeta Sot, 23 Shtator 2024.