Çfarë do të ndodhë me ardhjen e Escobar nesër? Zheji: Do të shuajë me çdo çmim vatrën e brendshme në PD. Lubonja: Amerikanët po sillen si prindër të këqinj! Nuk janë më as arbitër, janë kthyer në…
Çfarë do të ndodhë me ardhjen e Escobar nesër? Zheji: Do të shuajë me çdo çmim vatrën e brendshme në PD. Lubonja: Amerikanët po sillen si prindër të këqinj! Nuk janë më as arbitër, janë kthyer në…
8 dhjetor 2021
Gjatë emisionit “Pikat mbi i” në News 24 u diskutua ardhja në Tiranë ditën e nesërme e të dërguarit special amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, si dhe ndikimi që ai do të ketë në zhvillimet e brendshme në vend.
I ftuar në emision, analisti Artur Zheji, e cilësoi vizitën e Escobar si pjesë të një turi gjeopolitik në të gjithë Ballkanin, i cili ka ka lidhje kryesisht me ndikimit rus në rajon.
Sipas Zhejit zhvillimet në PD krijojnë destabilitet dhe objektivi primar i Escobar do të jetë shuarja e vatrës së konfliktit me çdo kusht, në mënyrë që të mos ketë hapësirë për influencat gjeopolitike.
“Unë e shoh se ky është një tur dhe jo një vizitë e dedikuar për Tiranën zyrtare dhe ngjarjet që po ndodhin brenda Partisë Demokratike apo situatën e maxhorancës. Ne jemi pjesë e një gjëje më të madhe, ne vërtitemi rreth tyre dhe jo ata rreth nesh. Janë hapur disa vatra në Ballkan, pas supervatrës që është hapur në Ukrainë, specialistët që e njohin Ballkanin thonë që kemi një ekspasion rus, sidomos pas largimit të amerikanëve nga Afganistani, për t’iu thënë të gjithëve që nuk ka më diktat amerikan në botë. E them këtë se qoftë situata e nderë në Bosnjë Hercegovinë, qoftë deklarimet në Maqedoninë e Veriut ku flitet për një negociatë të nëndheshme me Bullgarinë, qoftë situata me Gjukanoviçin në Malin e Zi, i cili akuzon Rusinë për ndërhyrje të administratës së tij, si dhe qoftë konfliktet e herëpashershme në Kosovë, kanë bërë që Escobar të ndërmarrë këtë tur.
Escobar vjen te ne, si vend anëtar i NATO-s, për tu pozicionuar më fort në linjën e kundërpozicionit me tentativat ruse nga njëra anë dhe e dyta të pakësojmë vatrat e konfliktit të brendshëm, me atë që po ndodh në Partinë Demokratike. Në gjuhën gjeopolitike quhet një vatër e brendshme, pastaj ka të drejtë Luli apo ka të drejtë Saliu, nuk është ky objektivi, objektivi i gjeopolitikës është shuarja e vatrës me çdo çmim që Shqipëria të jetë kompakt në rreshtimin gjeopolitik. Thënë kjo Escobar do ketë një agjendë gjeopolitike me qeverinë dhe një agjendë për të thënë gjërat e veta në partinë Demokratike”, tha Zheji.
Nga ana tjetër, analisti Fatos Lubonja, theksoi se Shqipëria nuk është ende një vend i emancipuar pasi nuk mendon me kokën e vet. Sipas tij duhet ta gjykojmë me një mendim kritik ardhjen e Escobar, pasi ShBA-të nuk po luajnë më as arbitrin në skenën politike, por janë kthyer në një lojtar në fushën e qeverisë.
“Nuk mendoj se Escobar është shpëtimtari ynë. Ideja ime është që këtu ne kemi 30-vjet dhe në vazhdimësi të një historie të mëparshme, nuk jemi bërë akoma populli emancipuar në kuptimin që do të thoshte Buda, “që të besosh që një gjë është e vërtetë nuk do të thotë pse e thotë një njeri i ditur, as sepse shkruhet në libra, as sepse e them unë, por sepse e ke analizuar me mendjen tënde kritike”. Këtu ka dy probleme, problem i lirisë së njeriut. Kjo lidhet edhe me një problem shumë konkret, që është se nëse ti do të sundosh një popull është duke punuar për atë popull , ose mënyra tjetër është se nëse ky popull beson në një zot, atëherë mashtro zotin dhe bëji gjërat në emër të zotit. Liria e vërtetë është siç thotë Buda kur ta takosh Budën vrite Budën që do të thotë mendo me kokën tënde. Konkretisht ne kemi marrë amerikanët në këtë lojë dhe presim që të vijë Escobari dhe të thotë se “Berisha është i mirë apo i keq, a po mbështet Bashën apo jo”? E patë Klintonin me Ramën është e qartë me kë është ShBA-ja. Ne duhet të mendojmë me kokën tonë dhe sipas meje është ta mendojmë në mënyrë kritike ardhjen e Escobarit, pasi edhe sikur zoti të mbaj qëndrimin më të mirë të mundshëm ti prapë nuk je rritur, je prapë fëmijë. Këtu kemi të bëjmë me ata që e kanë më të lehtë për të mashtruar zotin për të sunduar se sa të punojnë me shqiptarët për shqiptarët.
Amerikanët sillen në rastin më të mirë sillen si prindër të keq, ose për interesat e tyre siç kanë bërë gjithmonë dhe në këtë rast sakrifikojnë një vend. Kemi ambasadën amerikane që as arbitrin nuk bën, bën lojtarin në fushën e qeverisë dhe kërkon një opozitë siç e do Edi Rama. Një opozitë fasadë!”, tha Lubonja.
Gazeta Panorama