Çfarë është planifikuar? Delegacioni i lartë i KiE zbarkon në Tiranë, zbardhet axhenda
Çfarë është planifikuar? Delegacioni i lartë i KiE zbarkon në Tiranë, zbardhet axhenda
31 JANAR 2020
Në fillim të shkurtit pritet që në Tiranë të zbarkojë një delegacion i nivelit të lartë të KiE. Në qendër të diskutimeve do jenë zhvillimet pas ’30 qershorit’. Dihet tashmë se standardet e këtyre votimeve ishin skandaloze, pavarësisht se nuk kishte garë.
Ndërkohë prej asaj kohe, një numër në rritje kryebashkiakësh të zgjedhur nga Edi Rama, kanë rezultuar si të lidhur me krimin.
NJOFTIMI
Një delegacion i Kongresit të Autoriteteve Lokale e Rajonale të Këshillit të Evropës do të bëjë një vizitë të nivelit të lartë në Tiranë nga 4 më 6 shkurt. Në qendër të vizitës do të jetë situata e demokracisë në vend dhe veçanërisht zhvillimet që nga zgjedhjet e fundit lokale, mbajtur në qershor 2019.
Delegacioni do të përbëhet nga Presidenti i Kongresit, Anders Knape (Suedi, EPP/CCE), Presidenti i Dhomës së Rajoneve, Gunn Marit Helgesen (Norvegji, EPP/CCE), Presidenti i Dhomës së Autoriteteve Lokale, Xavier Cadoret (Francë, SOC/G/PD) dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kongresit, Andreas Kiefer.
Programi përfshin takime me Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, Zëvendësministren e Brendshme Romina Kuko, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe kryetar i Delegacionit Shqiptar në Kongres, Erion VELIAJ, dhe me Kryetarin e KQZ, Klement Zguri.
Veç këtyre, janë planifikuar takime edhe me një përfaqësues të kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialist, Edi Rama, dhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Delegacioni do të shkëmbejë pikëpamje me përfaqësues nga Shkodra, me kryebashkiaken Voltana Ademi dhe kryetaren e Këshillit Rajonal të Shkodrës, Greta Bardeli. Programi do të plotësohet nga takimet me përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, OJQ ndërkombëtare e vendase dhe shoqata të vetëqeverisjes territoriale, si dhe me Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca.
Gazeta Sot