25 Gusht 2024

Nga Prof. Dr. Elmas LECI*

Pjesa e Parë

Arkivat në Shqipëri e Moskë tregojnë edhe për rolin e Shqipërisë në gjeopolitikën e dikurshme sovjetike. Ka plot fakte, që çuan në prishjen e Stalinit me Titon, si çështja e Federatës Ballkanike, anashkalimi i Moskës nga Beogradi, deri te çështja shqiptare e Divizionit, që i doli në shteg Stalinit. Mbi të gjitha, ndonëse kryesorja ishte Federata Ballkanike e iniciuar dikur nga Stalini, por që ky vetë “kur pa se Tito po dilte primar në Ballkan e më tej, e ‘dënoi’ idenë e Federatës Ballkanike dhe ‘përgjegjësinë për të i a mveshi Titos’.1) Shqipëria në këtë mes nga Stalini u gjet si “kleçka” nga ku ai u kap dhe e konsideroi ardhjen e Divizionit ushtarak jugosllav në Shqipëri një prapaskenë të Titos, kur vetë në vitin 1946 në bisedë me të dërguar e lartë të Titos (Gjilas e Kardel) nuk kishte ndonjë kundërshti që Shqipëria “të gëlltitej nga Jugosllavia”

Një radiogram okupimi tepër sekret

Në rrethana tepër sekrete më datën 19 janar të vitit 1948, Tito nga Beogradi në “fshehtësi” të sovjetikëve i dërgoi Enver Hoxhës në Tiranë një radiogram shifër me kërkesën “për të lejuar dislokimin e një divizioni të tij në bazën ushtarake të Korçës”.2) Kërkesa sipas “argumenteve” të J.B.Titos, lidhej me “mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake greke nga Jugu”. Dokumentet tregojnë se Enver Hoxha e dha menjëherë pëlqimin për “Po!, dislokimit”. Këtë e pranon edhe vetë ai në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 3 mars të vitit 1948 se, “për çështjen e ardhjes së Divizionit jugosllav në Korçë, Mareshallit i u përgjigjëm: Po!”.3) Në dokumentet arkivore përsëri tregohet se radiogramin shifror tepër sekret të Titos, menjëherë e kishin zbuluar sovjetikët. Por ndonëse gjërat lëviznin në fshehtësi, as Enver Hoxha nuk u tha sovjetikëve për radiogramin jugosllav, as sovjetikët nuk i thanë gjë Enver Hoxhës.

Gjërat dolën më vonë, kur Jugosllavia u përjashtua nga Informbyroja. Shumë kanë bërë insinuata se “sebepi i prishjes së Stalinit me Titon, ishte në mes Shqipëria”. Të jetë e vërtetë?! Të shpalosim dokumentet dhe të shohim të vërtetën! Me të marrë telegramin e Titos dhe kthimin e dakordësisë, Enver Hoxha në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm urdhëroi menjëherë masat realizuese nga strukturat ushtarake shqiptare dhe vënien në punë të Shtabi të Përgjithshëm të Ushtrisë për konkretizimin e vendimit të Titos. Këto masa organizative si vetë urdhri, tregojnë predispozicionin e plotë të tij për realizimin e planit të okupimit jugosllav. Por këtë, okupimin, në mbledhjen e Byrosë Politike më 20 janar të vitit 1948, Enver Hoxha përpiqet ta justifikojë me shprehjen se “propozimi i Titos motivohej nga interesat e mbrojtjes së Shqipërisë nga sulmi nga ana e Greqisë”.

Në fund të janarit, një javë pas radiogramit për Enver Hoxhën dhe pikërisht më 26 janar 1948, Tito dërgoi në Tiranë për të konkretizuar masat për pritjen e Divizionit të tij në Korçë gjeneralin D. Kupreshanin, me në dorë edhe një mesazh tjetër personal të Titos për Enver Hoxhën. Në fakt Enver Hoxha për dislokimin e Divizionit jugosllav në Shqipëri, e kishte dhënë verdiktin qysh më 20 janar 1948, një ditë pas radiogramit të Titos. Mirëpo ngjarjet zhvillohen ndryshe. Thamë që sovjetikët e kishin zbuluar radiogramin sekret të Titos për dislokimin e Divizionit jugosllav në Korçë dhe Stalini kishte marrë informacion të plotë e qartë për “lëvizjen” e Titos. Kjo e shtonte edhe më shumë “zullumin” e Titos te Stalini, pasi ai më parë kishte avancuar edhe me Konfederatën Ballkanike. Aty nis çështja! Nëpërmjet ambasadorit në Tiranë, sovjetikët e njoftuan Enver Hoxhën që Jugosllavia po provonte ta aneksonte Shqipërinë.

Dhe ja sipas ambasadorit sovjetik Çuvakin, ja cili ishte pak a shumë formulimi i njoftimit sovjetik: “Ne nuk e dinim se jugosllavët nën pretekstin e mbrojtjes së vendit tuaj nga një sulm prej fashistëve grekë, donin të sillnin njësitë e ushtrisë së tyre në territorin e Shqipërisë. Ata u përpoqën ta bënin këtë në një mënyrë shumë të fshehtë. Në fakt qëllimi i tyre në këtë drejtim ishte krejtësisht armiqësor, sepse ata synonin ta përmbysnin situatën në Shqipëri”. E vërteta është se qëndrimet dhe veprimet e Titos për Federatën e “kultin e individit” të karshillëkut kishte kohë nuk i pëlqenin Stalinit, përfshi edhe ato për Shqipërinë si një sebep i vogël, që ky i fundit i kish marrë vesh që në mesin e vitit 1947, më saktë që në qershor të vitit 1947, ku kemi faktin që Komiteti Qendror i Jugosllavisë filloi ta “dënonte” edhe publikisht Enver Hoxhën, duke e akuzuar se “ai kishte marrë një rrugë individualiste dhe antimarksiste”. Fill pas këtyre akuzave, Shqipëria bëri edhe një “shkelje” tjetër duke realizuar blerjen e disa makinave bujqësore në Bashkimin Sovjetik, për të cilat jugosllavët deklaruan se “Shqipëria nuk mund të bënte asnjë marrëveshje me shtetet e tjera pa lejen e Jugosllavisë”.

Ky qëndrim, thuajse deri kërcënues, shprehte idenë e diktatit dhe të patronatit se çdo gjë duhej bërë “me lejen e Jugosllavisë”. Në fakt, urdhri jugosllav mbisundonte si ide e padiskutueshme te pothuajse të gjithë anëtarët e Byrosë Politike të saj kohe dhe veçanërisht te Koçi Xoxe, të cilët ishin për shkëmbime tregtare vetëm me një partner e jo me shumë. Vetëm Nako Spiru një anëtar “antijugosllav” i Byrosë, për veprimet anashkaluese ndaj Jugosllavisë i u kundërvu në një farë mënyre si Enver Hoxhës, po ashtu edhe me Koçi Xoxen dhe anasjellas. Meqenëse askush nuk e përkrahu Nako Spirun, ai duke e parë situatën si të pashpresë për veten e tij, sepse pati frikë “që dominimi i Shqipërisë nga Jugosllavia ishte i pashmangshëm, në nëntor të vitit 1947 kreu vetëvrasje apo e vranë”! Jemi në kohën që Koçi Xoxe në plenumin e 8-të të mbajtur në mars të vitit 1948, e intensifikoi punën për të forcuar pushtetin e vet. Madje ai në atë Plenum e akuzoi Enver Hoxhën se “ai ishte shkaktar i ftohjes së marrëdhënieve me jugosllavët” dhe deklaroi se ”misioni ushtarak sovjetik duhej të dëbohej e të sillej një jugosllav tjetër në vend të tij”.5) Por Enver Hoxha “qëndroi” dhe plenumi tregoi se përkrahja për të ende nuk kishte rënë e ndërsa kur Jugosllavia u prish me Bashkimin Sovjetik, mbështetja për Enver Hoxhën u rrit edhe më shumë.

Më 1 korrik të vitit 1948, Qeveria Shqiptare u bëri thirrje të gjithë këshilltarëve e teknikëve jugosllavë të largoheshin nga vendi dhe në mënyrë të njëanshme anuloi të gjithë Traktatet dhe Marrëveshjet me Jugosllavinë. Koçi Xoxe u përjashtua nga partia dhe e arrestua, periudhë që zgjati në hetuesi deri më 13 qershor të vitit 1949, kur edhe e ekzekutuan me pushkatim. Siç e theksuam, radiogramin tepër sekret për dislokimin e Divizionit ushtarak jugosllav në Korçë e kishte marrë vesh Stalini dhe informimi i ishte bërë diplomatikisht nga ambasadori sovjetik në Beograd Llavrentjev. Më 21 janar të vitit 1948, ambasadori Llevrentjev do ta njoftonte Stalinin se “nga jugosllavët është vendosur për dislokimin e Divizionit të 2-të të këmbësorisë në Shqipëri, në rajonin e Korçës”. Pak më vonë nga Tirana, edhe Enver Hoxha, i shkroi Stalinit po të njëjtin informacion, vetëm me një ndryshim, se i shkroi propozimin e Titos dhe jo miratimin që i kishte bërë vetë Enver Hoxha dislokimit të Divizionit jugosllav në Korçë. Propozimi i Titos, “motivohet -i shkruante Enver Hoxha Stalinit, -nga interesat e mbrojtjes së Shqipërisë nga një sulm nga ana e Greqisë”. 6)

Në fakt këtë që cituam nga Enver Hoxha, ai duhet thënë se e përligj edhe në kujtimet e veta, ku shkruan se “në fund të janarit 1948, në Tiranë mbërriti gjenerali jugosllav Kupreshanin, i cili më solli edhe një mesazh “tepër urgjent dhe të rëndësishëm” të Titos, që mbante datën 26 janar 1948″. Duke i dorëzuar mesazhin, Kupreshanin i tha Enver Hoxhës se “ne disponojmë informacione se në Greqi po përfundon përgatitja e sulmit ndaj jush, qëllimi fillestar i të cilit janë kufijtë tuaj juglindorë… Në këto kushte udhëheqja jonë, duke shfaqur shqetësim të jashtëzakonshëm dhe besnikëri të detyrimeve të saj, që rrjedhin nga Traktati për Miqësinë dhe Ndihmën Reciproke, e konsideron të domosdoshme të ndërmarrë një seri masash urgjente. Përsa i përket kryesores prej tyre, – vazhdoi ai – atëherë unë do doja ta cilësoja tekstualisht atë që shoku Tito ju shkruan juve në mesazhin e dhënë prej meje. Ja si ju shkruan juve shoku Tito:(dhe ambasadori i lexon Enver Hoxhës tekstin e mesazhit të Titos). “Duke pasur parasysh një situatë të tillë të paqartë, unë ju kërkoj juve që të na jepni bazën e Korçës për vendosjen e një Divizioni dhe të shërbimeve teknike ndihmëse. Me këtë do të krijohen kushtet për organizimin e mbrojtjes më mirë nga ju të sektorit të kufirit nga ana e detit dhe në rast provokacioni njësitë tona mund të ndërhyjnë më shpejt”.7)

KOMANDANTI QË SHPREHU DAKORDËSINË PËR OKUPIMIN

Më tej për okupimin e Shqipërisë, më 25 prill 1948 në Byronë Politike Enver Hoxha do të shprehej me “sinqeritet” se, “ne kemi qenë dakord për ardhjen e Divizionit jugosllav në Korçë, por kemi vënë në dijeni qeverinë sovjetike sa për informacion dhe kemi vazhduar të marrim të gjitha masat sikundër ramë dakord”. “Kur Stalini u prish me Titon, – shkruan ambasadori sovjetik në Tiranë Çuvakin, – Enver Hoxha më tha se – ky hap ishte i gabuar, ishte një rrezik i madh për paqen në Ballkan, që mund të krijohej si rezultat i futjes në territorin e Shqipërisë të një Divizioni të huaj në zonën, e cila ishte fqinje me teatrin e veprimeve luftarake”.8) Çuvakini në kujtimet e tij demaskon tërë prapaskenën e Enver Hoxhës lidhur me dislokimin e Divizionit jugosllav në Korçë, ku ai tregon edhe bisedimet organizuese të menjëhershme mes Shefave të Shtabeve të Përgjithshme, atij Jugosllav e Shqiptar, gjë që u bë për palën shqiptare në bazë të një Urdhri të veçantë të Enver Hoxhës në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare.

Ngjarja dhe masat tregojnë qartësisht predispozicionin e plotë të Enver Hoxhës për plotësimin e planit të okupimit. Këtë e tregon edhe mbledhja e Byrosë Politike më 20 janar të vitit 1948, ku Enver Hoxha i parashtron dhe argumenton asaj mbledhje se ”propozimi i Titos motivohet nga interesat e mbrojtjes së Shqipërisë”. 9) E vërteta se në kuadrin e gjeopolitikës sovjetike, ngjarjet zhvillohen në dy plane. Sovjetikët, siç rezulton nga dokumentet e kishin zbuluar më parë Radiogramin e Titos për dislokimin e Divizionit në Korçë, se sa ata t’i informonte Enver Hoxha. Tendencën dhe planin e Jugosllavisë, nëpërmjet ambasadorit të tij në Tiranë, Stalini ja prezanton Enver Hoxhës, ku i thekson se ”Jugosllavia po provonte ta aneksonte Shqipërinë”! Ç’komedi po luhej?! Vetë Stalini dikur në vitet ‘46-të u kishte thënë udhëheqësve jugosllavë Tito e Gjilas, “ta gëlltitnin Shqipërinë”!, ndërsa tani pas dy tre vjetësh, fliste për kujdesin që duhej treguar pasi Jugosllavia po përgadiste ”aneksimin e Shqipërisë”. Dhe ja cili ishte pak a shumë formulimi i Stalinit, sipas ambasadorit Çuvakin: “Ne nuk e dinim se jugosllavët, nën pretekstin e mbrojtjes së vendit tuaj nga një sulm prej fashistëve grekë, donin të sillnin njësite të ushtrisë së tyre në territorin e Shqipërisë.10) I shantazhuar dhe i terrorizuar se dislokimi i forcave ushtarake jugosllave në Shqipëri, ishte fundi i pushtetit të tij, në ato kushte Enver Hoxha vendosi të luaj me “dy porta”.

Nga një anë ta miratonte dislokimin e forcave ushtarake jugosllave në territorin shqiptar, që ishte nënshkrim individual i një pushtimi dhe nga ana tjetër ta njoftonte Stalinin për “propozimin” jugosllav, por jo për vendimin e tij. Në fakt “loja” i doli si për mbarë. “Unë e informova Stalinin nëpërmjet ambasadës sovjetike për kërkesën e Titos, – shkruan ai në kujtimet e tij. Përgjigjja e Stalinit nuk vonoi, ajo erdhi disa ditë para fillimit të Plenumit të 8-të. “Stalini na njoftoi se ai nuk shikonte ndonjë rrezik të sulmit të mundshëm dhe ra dakord me mendimin se dërgimi i Divizionit jugosllav nuk shkaktohej nga domosdoshmëria”.11) Në fakt, gjithnjë është ngritur pyetja: Përse Enver Hoxha nga njëra anë edhe e miratoi dislokimin e Divizionit jugosllav në Korçë, dhe nga ana tjetër e njoftoi edhe Stalinin për kërkesën e Titos për dislokimin!? Këtu dhe për këtë të vjen në ndihmë analiza.

Në atë situatë Enver Hoxha, por edhe Koçi Xoxe që u bënë bashkë në vendimin për dislokimin e Divizionit jugosllav, por edhe për njoftimin e Stalinit, u trembën se “mos Shqipëria pushtohej nga forcat greke dhe ato amerikano-britanike, çka do t‘i detyronte dy krerët e regjimit që të arratiseshin në Jugosllavi, ku nuk do të qenë të sigurt, jo vetëm se me shumë gjasë edhe vetë Jugosllavia me këtë rast do të invadohej nga amerikanët, por edhe se Tito do të kërkonte të gjente fajtorë për disfatën, në mënyrë që të shfajësonte veten, dhe nuk ishte çudi që të fajësonte Enver Hoxhën po e po, por edhe Koçi Xoxen. Në se gjërat do të shkonin më keq dhe të gjithë bashkë, Tito, Hoxha dhe Xoxe do të detyroheshin të arratiseshin në Bashkimin Sovjetik, atëherë atje Stalini, nuk do të hezitonte që t’i eliminonte të gjithë, për t’i dhënë Perëndimit të kuptonte se si ai nuk kishte përgjegjësi për atë që kishte ndodhur.12) Në këto rrethana Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe për herë të parë, vendosin së bashku që të ndërmarrin një veprim që bie ndesh me një kërkesë të jugosllavëve, njoftimin e Stalinit.

Duke kujtuar këtë episod, Stalini, gjatë kohës së vizitës së 23 marsit të vitit 1949, i kujtoi Enver Hoxhës se “ne nuk e dinim se jugosllavët me pretekstin e “mbrojtjes” së vendit tuaj nga sulmi i fashistëve grekë, synonin të dislokonin në RPSH njësi të ushtrisë së tyre. Ata përpiqeshin ta bënin këtë në fshehtësi të madhe… Njoftimi nga ana juaj lidhur me këtë ishte i dobishëm për ne, sepse në rast të kundërt, ne nuk do të dinim asgjë për këtë divizion, të cilin ata kishin ndërmend ta dislokonin në territorin tuaj. Ata jepnin të kuptoje sikur ky hap ndërmerrej me pëlqimin e Bashkimit Sovjetik”.13) Edhe Eduard Kardeli në kujtimet e tij e paraqet këtë episod në formën e mëposhtme:”Ne u premtuam shqiptarëve t’u dërgojmë atyre në formën e ndihmës, nëse do të duhej, një Divizionin tonë. Për këtë, në të vërtetë, ne nuk e njoftuam Bashkimin Sovjetik, sepse ishim të bindur se atë do ta informojnë shqiptarët, sepse kjo ishte punë e tyre. Dhe ata kështu vepruan. Por nga Moska atëherë ndërhynë menjëherë që ne të mos e bënim këtë hap dhe ne e anuluam Vendimin tonë”.14) Ndërsa në takimin e Enver Hoxhës me Stalinin po më 23 mars të vitit 1949, për dislokimin e Divizionit jugosllav në Korçë u zhvillua edhe ky dialog:

Stalini: “Në letra, nuk ishin sqaruar të gjitha çështjet, pasi asokohe ne nuk dinim gjithçka. Më vonë mësuam se jugosllavët donin të dërgonin një Divizion në Shqipëri, jo për qëllimin e mbrojtjes së Shqipërisë nga agresioni grek, por për të përmbysur regjimin. Ne këtë e mësuam vonë, ashtu si edhe shqiptarët.
Hoxha: “…për dërgimin e Divizionit në Shqipëri menduam se ata e kishin koordinuar më parë me ju atë lëvizje.
Stalini: “Jugosllavët po përpiqeshin ta dërgonin fshehtas atë Divizion atje,…Ne i mësuam qëllimet e jugosllavëve edhe nga informacioni juaj. Kur i kritikuam, jugosllavët thanë se ishte një gabim i madh dhe kërkuan falje.”15)

E vërteta është se siç e tregon edhe dialogu i mësipërm i Stalinit, kërkesa e Titos për dislokimin e Divizionit ushtarak jugosllav në Shqipëri dhe Miratimi që dha paraprakisht Enver Hoxha, nuk kaloi aq lehtë e pa vëmendje në Moskë. Për atë akt juridik të Titos, akt pushtimi, më 28 janar të vitit 1948 nëpërmjet Molotovit, Stalini ngarkoi ambasadorin e BRSS në Jugosllavi A.I.Llavrentjev, që ta takojë Titon ose Kardelin dhe t’u transmetonte: “Në Moskë morëm njoftimin se Jugosllavia ka ndërmend në ditët e ardhshme të dërgojë një Divizion të saj në Shqipëri, në kufijtë e saj jugorë. Meqenëse Moska nuk mori të njëjtin informacion nga Jugosllavia, atëherë pyesim nëse ky njoftim përputhet me realitetin?! Moska trembet se në rast të futjes së forcave jugosllave në Shqipëri, anglosaksonët do ta vlerësojnë këtë si pushtim të Shqipërisë nga forcat jugosllave dhe shkelje të sovranitetit të saj, në të njëjtën kohë mundet që anglosaksonët ta shfrytëzojnë këtë fakt për ndërhyrje ushtarake në këtë çështje, me pretekstin e “mbrojtjes” së pavarësisë së Shqipërisë. Moska kërkon shpjegime! Molotov”.16)

Lidhur me gjeopolitikën e kohës, grindjet apo marrëdhëniet e Stalinit me Titon, ka hamendësime se ato ndodhën përfundimisht edhe për çështjen e “pushtimit të Shqipërisë”. Vladimir Dedijeri biograf i Titos, në kujtimet e tij shkruan se “grindja e parë mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë ishte për Shqipërinë. Kjo, nuk është kaq e vërtetë. Ka ndikuar edhe Shqipëria, por grindja Stalin-Tito ishte për “vendin e parë”, ishte rivaliteti”.17))

Kjo e fundit, “rivaliteti” në kuadrin e gjeopolitikës sovjetike që konkludon Dedejeri, është më se e vërtetë, por këtu dedeksojmë për qëndrimin e mëparshëm të Stalinit, i cili në vitin 1946 në prezencë të Titos, po ai Stalin në Moskë i ishte drejtuar Milan Gjilasit se “Shqipëria duhej të gëlltitej nga Jugosllavia” dhe ky qëndrim i tij, ishte në njëfarë mënyre një konfirmim i çdo lëvizjeje të jugosllavëve ndaj Shqipërisë? Ndoshta strategjia e Stalinit, siç u argumentua edhe më sipër, ishte t’i linte jugosllavët të bënin ç’të dëshironin me Shqipërinë, me qëllim që më vonë ai të kishte material për t’i demaskuar. Të ishte vërtet kështu?!

Milovan Gjilasi, pas vendimit të Titos për dislokimin e Divizionit ushtarak në Korçë, ka pohuar se “në fakt Tito donte ta përdorte pozicionimin e forcave për të përforcuar pozicionin jugosllav në Shqipëri, duke pasur frikë nga humbja e territorit të saj si rezultat i shtimit të pjesëmarrjes sovjetike në çështjet e Shqipërisë”.18)

Gazeta Panorama