Çfarë janë intelektualët sot?
Çfarë janë intelektualët sot?
Nga Ilir Kalemaj
Ky shkrim merr shkas dhe nga intelektualomania dhe shpërdorimi i një termi që si shumëçka tjetër merr përmasa sa inflacioniste, aq edhe banale në Shqipërinë e sotme. Në literaturën shkencore ka shumë definicione për intelektualët dhe inteligjencën, ku jo rrallëherë këto dy terma përdoren në vend të njëra-tjetrës, megjithëse jo domosdoshmërisht nënkuptojnë të njëjtën gjë.
Robert Mikels kur flet për intelektualët nënkupton “persona që posedojnë njohuri ose në një sens më të ngushtë, gjykimi i të cilëve, i bazuar në reflektim dhe njohuri, rrjedh më së tepërmi nga shqisat ndjesore sesa në rastin e jointelektualëve”.
Filozofi gjerman Ficte (Fichte) shkon akoma më tej kur thotë se njohuria e tij [intelektualit] “duhet të aplikohet për të mirën e shoqërisë; ai duhet t`i bëjë njerëzit të ndjejnë nevojat e tyre të vërteta dhe t`i njohë ata me mënyrat e plotësimit të kënaqësive të tyre.
Ndërsa nga ana tjetër e medaljes, kemi figura të njohura të rretheve shkencore amerikane, si neokonservatori Norman Podhoretz, i cili i sheh intelektualët thjeshtë si “profesionistë, që merren me studimin, propagandimin dhe shpërhapjen e ideve, mënyrave të sjelljeve dhe ideologjive.”
Këta, sipas Podhoretzit, mund të jenë me apo pa edukimin formal, me apo pa inteligjencë të jashtëzakonshme. Ndërsa përsa i përket inteligjencës, fjalë që çuditërisht vjen nga rusishtja (megjithëse me bazë latine), pavarësisht se ka shumë kuptime për të, më tepër pranohet se është klasa apo shtresa shoqërore ku intelektualët bëjnë pjesë.
Teori të ndryshme të shkencave politike, sidomos përsa i përket intelektualëve dhe inteligjencës, flasin për një klasë të re, të përbërë pikërisht nga ky grupim shoqëror dhe që interesat e të cilëve jo domosdoshmërisht përputhen me atë të grupeve të tjera të rëndësishme shoqërore, si tregtarët apo biznesmenët, punëtorët apo çfarëdolloj grupimi tjetër shoqëror. Ajo çka e veçon inteligjencën apo grupin e intelektualëve nga pjesa tjetër e shoqërisë, (megjithëse shpeshherë ata janë promotorët e ndryshimeve të mëdha), është edukimi, apo më saktë “edukimi i certifikuar,” nëse do përdornim një shprehje të Mishel Fukosë.
Përsa i përket operimit në treg dhe sipas logjikës së rregullave të tregut të këtyre intelektualëve, ajo çka i dallon ata, sipas Bourdjesë, është se janë pikërisht ata të cilët janë mbajtësit dhe transportuesit e “kapitalit kulturor,” i cili mund të shkëmbehet si çdo lloj malli tjetër në treg.
Alvin Gouldner, një tjetër politolog amerikan, e vë theksin te një aspekt tjetër që intelektualët kanë dhe që i dallon ata nga pjesa tjetër e shoqërisë (megjithëse në këtë grup ai fut shumicën e njerëzve me diplomë), dhe kjo veçori është posedimi i ligjërimit kulturor kritik (ang. Critical Culture Discourse).
Kjo i bën ata që mos t`i përtypin sloganet, propagandën zyrtare apo qoftë edhe tekstet shkollore në mënyrë apriori, por t`i vënë gjithmonë në diskutim duke bërë pyetje, apo duke hulumtuar më tej për të gjetur të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë shpeshherë është subjektive dhe e pamundur të dallohet ngaqë është e mbështjellë në mekanizmat e pushtetit apo ligjërimit dominant në shoqëri (sikundër do shpreheshin Fukoja apo Habermasi), ose mund të ketë një formë mëse objektive, por qëndron e fshehur me sy të lirë dhe duhet të kërkohet dhe të zbulohet (nëse do perifrazonim Eduart Saidin).
Edhe përsa i përket ndarjes së intelektualëve, disa i ndajnë ata në “tradicionalë” dhe “organikë” si Antonio Gramshi apo në “të specializuar” dhe “universalë” si Fukoja. Për të thjeshtëzuar argumentin, nëse do ndërmerrnim qasjen e Fukosë, i cili me anë të intelektualit universal nënkuptonte atë të gjithanshmin, i cili nuk qëndron vetëm në “kullën e fildishtë,” por zbret me ‘këmbë në tokë’ dhe jep opinionin apo mendimin e tij për çështjet më të prekshme që shqetësojnë shoqërinë ku ai jeton.
Si tipin model të cilit ai i referohet, shpesh duke e quajtur edhe të fundmit të sërës së tij, është Zhan Pol Sartri, impakti i të cilit la një gjurmë të thellë, jo vetëm në shoqërinë franceze, por dhe në mbarë Evropën, gjatë kohës që ai jetoi (pavarësisht qëndrimeve shpesh kontradiktore politike). Por, sipas Fukosë, për shkak të ndryshimeve të ndryshme dhe si rrjedhojë e procesit të pandalshëm të modernizimit, po shkohet përherë e më shumë drejt specialistit, teknokratit, ekspertiza e të cilit nevojitet përherë e më shumë në një botë përherë e më të globalizuar dhe dinamike.
Një ndryshim ky jo i vogël që bën që zërat, të cilët normalisht i japin formë hapësirës publike, si analistë, akademikë, profesorë universitetesh dhe gazetarë të kenë një impakt gjithnjë e më të vogël, ose duke u profilizuar ngushtësisht, të humbasin një element sa domethënës, aq edhe të nevojshëm për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik: erudicionin. Por nëse erudicioni është vetëm mjeti, ashtu sikundër edhe stili, apo forma për t`u bërë më atraktivë, idetë janë qëllimi dhe vetëm transmetimi i tyre në një formë apo tjetër në shoqëri, ka impaktin e promovimit të ndryshimeve apo reformave të cilat tërheqin njerëzit dhe imponojnë detyra dhe obligime mbi klasën politike.
Në një ese të paradokohe, Ron Zyerman diskuton lëvizjet sociale dhe rolin e individëve të caktuar (intelektualëve) për t`i dhënë formë debatit shoqëror, për të pjekur një agjendë të re dhe aftësinë për të transmetuar edhe çështje në dukje irrelevante, në qendër të vëmendjes së debatit publik. Si shembull ilustrues, ai sjell promocionin e lëvizjes ekologjike, që filloi në SHBA, diku nga vitet 60-të dhe ku promotor u bënë një grup analistësh, novelistësh dhe profesorë universiteti.
Ishte një vepër letrare, “Pranverë e Heshtur,” e botuar në 1962 nga shkrimtarja Rachel Karson, ajo që i dha shtysën fillestare një lëvizjeje që megjithëse e margjinalizuar fillimisht, jo vetëm fitoi një popullaritet të paparë brenda një harku të shkurtër me bazë mjedisin apo të paktën çështjet e ambientit u adoptuan nga parti të ndryshme, kryesisht social-demokrate apo ekologjike, duke bërë të mundur jo vetëm një debat rreth tyre, por edhe kthimin e tyre në agjenda të mirëfillta politike që më vonë u shndërruan në politika. Me të drejtë shtrohet pyetja, po në Kosovë dhe Shqipëri kush janë intelektualët dhe cili është roli i tyre?
Ёshtë e vështirë t`i përgjigjesh kësaj pyetje, sidomos po të kesh parasysh reminishencat e sistemit komunist ku në Shqipëri fjala kuadro ishte ekuivalenti i dikujt me shkollë të lartë dhe si rrjedhojë logjike, edhe i intelektualit, megjithëse shpesh inputi i tyre në shoqëri ishte ekuivalent me të qenurit thjesht shërbyes dhe servil i regjimit. Në fakt, kjo më tepër se faji i tyre, ishte një zgjedhje e imponuar, pasi në të kundërtën të priste burgu apo internimi dhe jo të gjithë e kanë kurajën civile që karakterizon disidentët e vërtetë, të cilët sakrifikojnë çdo gjë për hir të idealit. Në Kosovë, shpesh elitat ishin të sponsorizuara prej Beogradit dhe të detyruara të konformoheshin me vijën zyrtare të tij.
Nëse jo, vençarisht me dukshëm pas 1981-shit por edhe më parë (rasti Demaçi, vëllezërit Gërvalla etj), persekutoheshin, burgoseshin apo më keq). Sot më tepër se kurrë më parë, është koha që jo vetëm partitë të fillojnë të ideologjizohen, për të lëvizur nga kulti i liderit, por edhe debatet në sferën publike të bëhen në mënyrë konstruktive, të reflektojnë problematika dhe të ngrihen në nivelin kulturor dhe civil që ju takon. Shoqëria civile, media dhe vencarisht ata intelektualë publikë zëri i të cilëve mbart peshë dhe vizion, përherë e më tepër duhet të luajnë rolin natyral të watchdog-ut apo pushtetit të katërt për të nënvizuar dhe kritikuar me forcë deformimet e klasës politike, por në të njëjtën kohë të formësojnë dhe mundësojnë, madje detyrojnë klasën politike të lëvizë nga demagogjia drejt riprodhimit të ideve dhe politikave. Vetëm atëherë do të krijoheshin kushtet për t`iu afruar sadopak idealit habermasian të participatory democracy (demokracisë me pjesëmarrje), ku qytetari ta ndjejë veten të përfshirë realisht në vendimmarrje dhe ku media dhe shoqëria civile kryejnë rolin e përçuesve mes elitës politike dhe nevojave reale të elektoratit që (duhet të) përfaqësojnë.