Çfarë ka ndodhur me gjysmën tjetër të Koloseut që mungon?!
9 Janar 2023
E keni pyetur ndonjëherë veten kur e keni parë Koloseun se çfarë mund të ketë ndodhur me gjysmën tjetër?! Ju mund të shpenzoni qindra dollarë për të shkuar në Romë për të vizituar Koloseun, ose mund të kaloni me makinë përpara tij çdo ditë dhe kurrë të mos mendoni shumë për të. Pavarësisht se, aktualisht, Koloseu pret më shumë vizitorë në vit sesa shatërvani Trevi dhe Kapela Sistine të marra së bashku, ky monument i Romës perandorake ka vuajtur nga një neglizhencë e rëndë për 1,500 vite, që pasi u përdor si një arenë gladiatorësh.
“Rreth 1,500 vite plot me neglizhencë dhe me projekte të rastësishme ndërtimi”, shkruan Tom Mueller në Smithsonian, “erdhën njëri pas tjetrit”. I përdorur si një gurore pas shekullit XVI, për pjesën më të madhe të jetës së tij të gjatë, amfiteatri dhe “Hipogeumi” i tij (sistemi i ndërlikuar i tuneleve dhe punimeve tokësore që ndodhen poshtë Koloseut) u rrënuan plotësisht.
Në pjesën më të madhe të historisë së tij, njerëzit përgjithësisht e kanë injoruar Koloseun. Por, kurioziteti për historinë e tij ia vlen. Gjatë shekujve, njerëzit e mbushën Hipogeumin me papastërti dhe rrënoja, mbollën perime, ruanin sanë dhe hidhnin jashtëqitjet e kafshëve. Në pjesën e sipërme, ku ndodhet amfiteatri, korridoret e mëdha të harkuara strehonin këpucarë, kovaçë, priftërinj dhe këmbyes të monedhave, për të mos përmendur një kështjellë të Frangipane, kryekomandantëve të luftës së shekullit XII.
Në atë kohë, legjendat lokale dhe pelegrinët e përshkruanin unazën e shkatërruar të mureve të amfiteatrit si një tempull të dikurshëm të diellit. Nekromancerët shkonin atje gjatë natës për të thirrur demonët. Në fund të shekullit XVI – përpara se papët të parakalonin nëpër arenë për të nderuar të krishterët që u përdorën si ushqim për kafshët e egra – “Papa Sixtus V, ndërtuesi i Romës së Rilindjes, u përpoq ta shndërronte Koloseun në një fabrikë për përpunimin e leshit”.
Kjo sipërmarrje dështoi dhe, shumë shpejt, larmia e madhe e jetës së bimëve të egra filloi të tërheqë botanistët, të cilët arritën të dallonin rreth 337 lloje të ndryshme bimësh. Hipogeumi, mekanizmi arkitekturor falë të cilit zhvilloheshin spektaklet në pjesën e sipërme të skenës, u pastrua vetëm në vitet 1930 nga Benito Mussolini, si pjesë e përpjekjeve për të rikthyer lavdinë e Romës klasike.
Restaurimi i Koloseut filloi vetëm në vitet 1990 dhe vizitorët janë lejuar të shohin punimet e brendshme të rrënojave vetëm pas vitit 2011, pothuajse 2000 vjet që kur ai u ndërtua për herë të parë, midis viteve 72 dhe 80 pas Krishtit. I quajtur fillimisht si Amfiteatri Flavian, emri i ndërtesës u ndryshua për të treguar afërsinë e saj me Kolosin e Neronit, një monument i arrogancës perandorake, i cili është zhdukur prej kohësh.
Pra, po për sa i përket gjysmës që mungon? “Përgjigjja e shkurtër,” shkruan Dr. Ryan, “janë: tërmetet dhe papët, në këtë renditje.” Përgjigjja më e gjatë, siç mund ta imagjinoni, është shumë më e përgjakshme, pasi përfshin ngjarje të tilla si festimi 123-ditor i fitores së Perandorit Trajan në Dacia, “gjatë së cilës luftuan 5,000 Çifte gladiatorësh dhe u vranë 11,000 kafshë.”
Pas rreth 500 vitesh të këtij lloji sporti të përgjakshëm dhe rreth 1,500 vitesh të tjera amortizimi, mund të thuhet se Koloseu ka qëndruar jashtëzakonisht mirë, një vlerësim ky për inxhinierinë arkitekturore romake, e vetmja gjë që Perandoria Romake dukej se e donte më shumë sesa vdekjen e dhunshme.