14 Mars 2025

Mineralet e Ukrainës janë bërë thelbësore për gjeopolitikën globale, me presidentin amerikan Donald Trump që kërkon një marrëveshje me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për t’i aksesuar ato. Por cilat janë saktësisht këto minerale dhe pse janë kaq të kërkuara?

Ukraina njihet shpesh për tokat e saj të gjera bujqësore dhe trashëgiminë industriale, por nën sipërfaqen e saj ndodhet një nga formacionet gjeologjike më të jashtëzakonshme në botë, “Mburoja ukrainase.”

Kjo masë e madhe shkëmbi kristalin të ekspozuar, e formuar më shumë se 2.5 miliardë vjet më parë, shtrihet në një pjesë të madhe të Ukrainës.

Ajo përfaqëson një nga blloqet kontinentale më të vjetra dhe më të qëndrueshme të Tokës. Formacioni ka kaluar nëpër shumë faza ndërtimi malor, formimi dhe lëvizjeje të magmës, si dhe ndryshime të tjera gjatë kohës.

Këto procese gjeologjike krijuan kushte të favorshme për formimin e disa depozitave minerale, duke përfshirë litiumin, grafitin, manganin, titanin dhe elementët e rrallë të tokës.

Të gjitha këto janë tani thelbësore për industritë moderne dhe tranzicionin global drejt energjisë së gjelbër.

Ukraina ka depozita që përmbajnë 22 nga 34 mineralet kritike të identifikuara nga Bashkimi Europian si thelbësore për sigurinë energjetike.

Kjo e pozicionon Ukrainën ndër vendet më të pasura me burime minerale në botë.

Gara ndërkombëtare

Ndërsa bota garon për t’u dekarbonizuar, kërkesa për mineralet kritike po rritet me shpejtësi. Automjetet elektrike, turbinat me erë, panelet diellore dhe sistemet e ruajtjes së energjisë kërkojnë litium, kobalt dhe elementë të rrallë të tokës, të cilat Ukraina i ka me shumicë.

Çmimi i litiumit është rritur nga 1500 dollarë amerikanë për ton në vitet 1990 në rreth 20,000 dollarë për ton vitet e fundit. Kërkesa pritet të rritet pothuajse 40 herë deri në vitin 2040.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, numri i automjeteve elektrike parashikohet të kalojë 125 milionë deri në vitin 2030.

Një rritje e ngjashme pritet edhe për metalet e tjera të baterive. Çdo makinë elektrike kërkon shumë më tepër litium sesa pajisjet elektronike të zakonshme. Për shembull, një bateri e modelit Tesla S kërkon rreth 63 kg litium me pastërti të lartë.

Ukraina ka tri depozita të mëdha litiumi. Këto përfshijnë Shevchenkivske në rajonin e Donjeckut, si dhe Polokhivske dhe Stankuvatske në rajonin qendror të Kirovogradit, të gjitha brenda Mburojës ukrainase.

Pavarësisht potencialit të madh mineral, shumë prej depozitave të Ukrainës kanë mbetur kryesisht të paeksploruara për shkak të luftës me Rusinë, e cila ka ndërprerë operacionet minerare dhe ka dëmtuar infrastrukturën.

Depozita e litiumit në Shevchenkivske përmban përqendrime të larta të spodumenit, minerali kryesor që përmban litiumin dhe përdoret në prodhimin e baterive.

Rezerva e tij vlerësohet në 13.8 milionë tonë xehe litiumi. Megjithatë, nxjerrja e tij kërkon një investim të vlerësuar nga 10 deri në 20 milionë dollarë për eksplorim përpara se të fillojë shfrytëzimi minerar.

Ndërkohë, depozita në Polokhivske përmban rreth 270,000 ton litium dhe konsiderohet si një nga vendet më të mira për litium në Europë.

Kjo për shkak të kushteve të saj të favorshme gjeologjike, duke e bërë nxjerrjen më të leverdishme ekonomikisht.

Por litiumi është vetëm një pjesë të burimeve minerale të Ukrainës. Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA, së, Ukraina renditet globalisht si prodhuesi i tretë më i madh i mineralit rutil, duke përbërë 15.7% të prodhimit total botëror.

Ajo është prodhuesja e gjashtë më e madhe e xeheve të hekurit (3.2% e prodhimit total) dhe titanit (5.8%), si dhe prodhuesja e shtatë më e madhe e xeheve të manganit (3.1%).

Ukraina ka gjithashtu rezervat më të mëdha të uraniumit në Europë, i cili është thelbësor për energjinë bërthamore dhe armët.

Ajo zotëron depozita të konsiderueshme të elementeve të rrallë të tokës, duke përfshirë neodimin dhe disproziumin, të cilat nevojiten për prodhimin e gjithçkaje, nga telefonat inteligjentë deri te turbinat me erë dhe motorët elektrikë.

Për më tepër, Ukraina ka rezervat më të mëdha të provuara të xeheve të manganit në botë. Ka rreth 2.4 miliardë ton të përqendruara kryesisht në Basenin e Nikopolit, në shpatin jugor të Mburojës ukrainase.

Rëndësia strategjike e mineraleve të Ukrainës ka fituar njohje në diplomacinë ndërkombëtare. Negociatat e fundit dypalëshe midis Ukrainës dhe SHBA-së, nënvizojnë rëndësinë gjeopolitike të këtyre burimeve.

Një marrëveshje e propozuar për mineralet do të përfshinte që Ukraina të kontribuonte me 50% të të ardhurave të ardhshme nga burimet minerale shtetërore, nafta, gazi dhe materialet e tjera të nxjerrshme në një fond investimesh për rindërtimin e vendit pas luftës. Ky fond do të menaxhohej bashkërisht nga Kievi dhe Uashingtoni.

Po mineralet e vetë SHBA-së?

Interesi i SHBA-së, së për mineralet e Ukrainës pasqyron një shqetësim më të gjerë gjeopolitik mbi kërkesën në rritje, luhatjet e çmimeve dhe pasiguritë në zinxhirin e furnizimit.

Ndonëse SHBA-ja ka shumë nga të njëjtat minerale kritike si Ukraina, ajo historikisht ka zhvendosur minierat dhe rafinimin në vende të tjera për shkak të rregullave mjedisore, kostove të larta të punës dhe tregjeve të huaja më tërheqëse.

Kjo ka çuar në një varësi nga importet, veçanërisht nga Kina, e cila dominon prodhimin dhe përpunimin e mineraleve kritike. Sigurimi i aksesit në mineralet e Ukrainës në këmbim të mbrojtjes ushtarake do t’i lejonte SHBA, së të shmangte blerjen e këtyre mineraleve nga Kina.

Strategjia federale e SHBA-së në fakt deklaron se do të japë përparësi diversifikimit përmes partneriteteve të sigurisë minerale, me synimin për të krijuar një zinxhir furnizimi më të qëndrueshëm dhe elastik.

Mineralet kritike të SHBA, së janë të shpërndara nëpër disa rajone gjeologjike, duke përfshirë Malet Apalashe, Brezin Kordiler dhe Mburojën Prekambriane të ekspozuar në pjesë të rajonit të mesperëndimit.

Ndonëse SHBA-ja ka zhvilluar burime të konsiderueshme litiumi, veçanërisht në Luginën Clayton të Nevadës dhe Malin Kings në Karolinën e Veriut, pjesa më e madhe e prodhimit aktual të litiumit vjen nga “operacionet me shëllirë.” Kjo përfshin nxjerrjen nga tretësirat e kripura, si uji i detit ose liqenet saline, një proces që mund të jetë më i kushtueshëm sesa minierat shkëmbore.

Kalimi global drejt energjisë së gjelbër dhe transportit elektrik po përshpejtohet, dhe mineralet janë në qendër të këtij tranzicioni.

Rreth 80% e litiumit të prodhuar globalisht përdoret për prodhimin e baterive.

Prodhuesit kryesorë të automjeteve po investojnë miliarda dollarë në prodhimin e automjeteve elektrike, duke nxitur një kërkesë të paprecedentë për mineralet që fuqizojnë këtë teknologji.

Pasuria minerale e Ukrainës e pozicionon atë si një lider të mundshëm në revolucionin e energjisë së pastër. Sapo të rikthehet stabiliteti, Ukraina do të ketë një mundësi të artë për të riformuar zinxhirin global të furnizimit me minerale kritike.

Edhe me një ndarje prej 50% për SHBA, në, Ukraina do të mund të financojë infrastrukturën e saj vendase, rritjen e industrisë, krijimin e vendeve të punës dhe rimëkëmbjen ekonomike.