Çfarë na tha Maksi, le ta kujtojmë …
Çfarë na tha Maksi, le ta kujtojmë…
– 31.08.21
Nga Suzana Varvarica Kuka
– Dita e fundit e gushtit është dhe dita kur lindi Maks Velo, 31 gusht 1935. Ai ishte një ndër personalitetet mediatik që do t`i mungojë debatit kontradiktor, konstruktiv e inteligjent të paneleve, si dhe mendimeve në faqet e mediave të shkruara. Ai iu drejtua publikut drejtëpërdrejtë, ashpër dhe pa doreza. Publiku i tij, më i kritikueshëm, ishte klasa politike e të gjitha kohërave të jetës së vet, sepse në vorbullën e saj zbulonte zanafillën e së keqes, për të cilën thoshte se prej aty ajo, e keqja, mund të merrte përmasa që nuk mund t`i bëje ballë. Ai ishte intelektual, arkitekt, piktor pasionant dhe një personalitet kundërshtues i mendimeve mbi faktet në jetën e tij, e cila u ndesh në kufirin ku përplaseshin faktet e kalvarit komunist, që i mori tharmin e lirisë së tij “absurde” dhe fakteve të jetës së tij në lirinë e “cunguar” paskomuniste. Ai është një nga figurat njerëzore shqiptare, e cila ka në përbërjen e kujtesës së vet jetët paralele të strukturuara në një histori sa të dhimbshme aq dhe të dijshme, me ndjesi njerëzore sa sociale dhe psikologjike. Në intervistat dhe librat e tij na ka lënë me qindra mendime, të cilat përbëjnë në ditët e sotme një grup të dhënash, që mbase nesërdej do të shërbejnë si elemente antropologjikë të zbulimit të një individi që shkatërrohet e deformohet nga komunizmi dhe sesi ringrihet duke u vetndërtuar mes dyshimesh, pas shkërmoqjes së ideologjisë proletare.
Pas burgut, pas rënies së komunizmit dhe në përpjekje të riformimit të një bote tjetër ai do të gjestikulonte duke treguar, para podiumeve dhe një publiku kureshtar, jetën e tij. “…Unë nuk po thonja se do vras Envet Hoxhën. Unë flisnja dhe bisedonje për artin europian, duke lexuar rreth Pablo Picasso, duke treguar se më pëlqenin shumë pikturat dhe vizatimet e Henri Matisse-t dhe të Henry Moore. E po ky nuk ishte krim!”
Organet e tmerrshme të sigurimit të shtetit nuk janë më, por shenjat e tyre ndodhen në mjediset e familjeve shqiptare, ndodhen në kujtesën e njerëzve dhe rregjistrohen me të drejtë në qendra dhe fondacione të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Madje nxiten të tregohen në popull, për tu mos u harruar. Maks Velo flokbardhë, pas një heshtje, duke ngritur kokën lart për ta vështruar në ballë publikun e tij në UET University ngre zërin e rrevoltës “…Lidhja nuk duhej të ishte qendër e Sigurimit të Shtetit! …Ajo ishte qendër e rekrutimit të agjentëve dhe merrte në analizë një për një jetën dhe krijimtarinë e artistëve…para se të më arrestonin kam djegur dhjetra punime abstrakte…Unë mendonja se kisha shokë artistë. Ata ishin përbindësha…”.
Shumë në komunizëm dhe shpeshherë ishin plotësisht të bindur ndaj progresit që nxiste ideologjia komuniste. Disa mijra nuk e kuptonin ku jetonin ose thënë më drejtëpërdrejtë disa njerëz të edukuar në shkolla, që jetonin me të ardhura të mira, që mendonin se kishin miqësi të mira, që kishin lidhje familjare të afërta apo të largëta me familje të nomeklaturës, madje që jetonin në mes të Tiranës, ku përshkruanin xhirot e saj, nuk e kanë shquar mirë dëmin ideologjik dhe psikologjik që shkaktonte komunizmi mbi formimin e njeriut, madje te ata, mbi arrestimet dhe surgjynosjet ekzistonte koncepti se: “Shumë ka folur. Gjeti atë që kërkoi”. Natyrisht, disa e dinin mirë, në një mënyrë a në një tjetër, se deri ku ishin kufijtë e mënyrës së sjelljes dhe përshtatjes, sa duhej të flitej dhe për çfarë duhej të flitej në grup. Heshtja ose mosdija ishte rruga më e favorshme, ndërsa vetkontrolli shpëtoi qindra e qindra të rinj që vlonin së brendshmi për atë pak modernitet që e vidhnin përmes blerjeve nëndorë, librave dhe ekranit me miza të televizorve bardhë e zi. Velo do të justifikojë në këtë mënyrë lirinë e vet të të vepruarit para burgut në një rast kur: “…Asaj kohe nuk bëja ndonjë gjë të jashtëzakonshme…bleva një pallto amerikane bezhë, me një xhep e me rrip në mes tek dyqani i valutës, ku shiteshin sende të konfiskuara nga pakot që vinin nga jashtë. (blihej vetëm me dollarë). Nuk e kuptoj nuk kisha bërë ndonjë gjë që të më rëndojë…”. Epo, fatkeqësia e Maksit ishte se nuk kishte kuptuar, se ajo pallto që ishte normale për një artist e arkitekt apo për këdo tjetër, nuk ishte e tillë për një masë të gjërë njerëzish, të cilët bashkë me ata të Sigurimit të Shtetit e konceptonin si një veprim jo normal, shkelje të shijeve komuniste, një pallto bezhë me rrip në mes apo një xhaketë xhubox lëkure e zezë, veshje xhins etj. ishin nga veshjet e papranueshme.
Që në fillim të viteve 60, krahas arkitekturës Maks Velo ishte i lidhur pazgjidhshmërisht me vizatimin dhe pikturën. Krijimtaria tij e fillimit, që gjendet në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe e botuar në faqet e disa gazetave të asaj kohe duket se i përket pasqyrimeve realiste të shkaktuara nga emocionet e hedhura ballpërballë me objektet në natyrë dhe me portretet njerëzorë. Natyrshëm në rritjen e tij profesionale, por dhe në zbulimin e punës, jetës dhe mirëqenies së njeriut ai pas daljes nga burgu zbulon se një portret minatori i realizuar me pastele kishte shpëtuar bashkë me kutinë e pasteleve të blerë në vitin 1962. “…portreti që dua më shumë, i bërë me pastele është i minatorit nga Selenica, ka datën e shkruar 26. 12. 1969 dhe e njoha në kampin e punëtorëve në Vlorë, ku kisha vajtë të vizatonja nga natyra. Ai është njëriu që përfaqësonte atë se çfarë i kishte bërë komunizmi njeriut të punës…kur e pashë u gëzova, se asqë besonja se do të kishte shpëtuar ndonjë nga 248 punimet e djegura…”.
Ai në vitet 70 ishte pozicionuar si një i kundërt i realizmit socialist, pasi mbushja me dëshirën që ndjente duke vështruar artin modern të mjeshtrave botëror të shek. 19 dhe atyre 20 e kishin qartësuar mendimin e tij se ky art vlente dhe ai i realizmit socialist ishte vetëm një stil krijimi propagandë e asgjë më shumë. “…Në librat e mi – thotë Maksi- kam shkruar për të gjitha dilemat e mia ndaj artit, kundërshtitë e mia dhe ferrin që kemi hequr ne që i dolëm kundra…Kur ekspozova nudot në galerinë FAB, në 2012, kuptova se punët nuk duhej të ishin si studime shkollareske dhe te pikturat e nudove kam sjellë pozicione dhe gjendje të cilat shkaktojnë një mendim dhe një emocion. Kam abstraguar. Ato asnjëra nuk të kujtojnë trupin e gruas të përdorur si në një proces studimi…Tërë jetën time duhej ta përdornja për këtë punë dhe ajo pjesë që i përket pikturës është përdorur për këtë gjë…”.
Maks Velo si para dhe pas burgut i`a kushtoi jetën pikturës dhe atë e kishte të shenjtë. Asgjë nuk do ta tërhiqte jashtë saj. Edhe kur e kritikonin dhe e shpërfillnin nën thëniet pa vlerë se ai nuk është piktor por arkitekt, gjë e cila e shqetësonte, edhe pse e mërziste shumë, përsëri nuk e bëri të heqë dorë. Madje ai jepej më shumë pasi mendonte se: “Unë nuk përdor të zezë askurr…jam i dhënë pas ngjyrës, përballem me të sepse ajo është muzika e pikturës dhe kam arritur maksimumin, pasi e kam menduar gjithë jetën marrëdhënien me ngjyrat…kam pikturuar kompozime, nudo, peizazhe dhe portrete, edhe pse portreti është guri i provës për piktorin…Ti jepesh tërësisht artit është një lloj si t`i qendrosh besnik një gruaje dhe mos kërkosh asgjë tjetër. Unë nuk kam kërkuar ofiqe e pozicione partiake dhe administrative. Më kanë ofruar të bëhem drejtor e stërdrejtor, ministër e s`kam pranuar asnjëherë, sepse nuk do ta bënja dot, kam sakrifikuar tërë jetëm nga ana materiale e çdo gjë për t`i qëndruar besnik artit, pikturës…”. Kur vinte fjala për pikturën Maks Velo nuk ishte aspak modest, as i thjeshtë as i tërhequr. Ai ishte i vetndjerë. Besonte dhe guxonte të thoshte se piktura e tij është një e tillë e mirë e suksseshme.
8 vite të burgut janë jeta e tij e stërmundimeve që nuk ia shkaktonin as puna as lodhja, as hetuesia as spiunimet në vazhdimësi. Dhe as ditët e zymta të një ushqimi pavlerë. Mendimet, dyshimet, arsyetimet, justifikimet, të falurit dhe jo të falurit ndaj sistemit dhe njerëzve që e dëmtuan ishin cakejtë që i qëndronin mbi kokë, ishin halucinacionet fantazmagorike që e lodhnin, por edhe e bënin të ekzistonte në ditët në vijim, pasi nisi jetën duke pikturuar, shkruar, ekspozuar, ikur e udhëtuar drejt Korçës, vendit të origjinës; Pogradecit, vendit të miqve piktorë; drejt Francës vendit Henry Moore që e adhuronte; drejt Amerikës vendit ku zbulonte ekzistencializmin e mendimeve liberale apo radikale mbi artin dhe pikturën. Dhe askurr nuk harronte se: “Kur dola nga burgu, për dy vite radhazi nuk dilja kot në rrugët e Tiranës, vështroja atje ku nuk do të takoja sy që njihja dhe vetëm dhe pas dy vitesh pata guximin të dilja të vizatonja në rrugën e Elbasanit, atë godinën e verdhë, që u quajt më pas godina e të burgosurve politik. Dola dhe vizatova pazarin e ri siç kanë qenë me dyqanet e tij, më parë se të strukturohej, me sheshin dhe pishat që u prenë më vonë…”.
Në 10 shtator 2015, Maks Velo hapi ekspozitën vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve,në Tiranë dhe ekspozoi thuajse të gjithë krijimtarinë e tij. Nuk kishte intervistë që ai të mos fliste me entuziazëm për pikturën. Ndjente se kishte arritur një cilësi shumë të mirë në punimet e tij dhe nuk kishte asnjë ndrojte për ta thënë. Qendronte para pikturave dhe grafikave të veta, duke i soditur dhe duke iu dhënë shpjegime pa u lodhur të gjithë gazetarëve dhe publikut me moshë të re, që dëshironte të kuptonte diçka më shumë rreth jetës dhe artit të tij. Një nga mendimet e shprehura të tij në këtë ngjarje ishte se: “…Detyra jonë bëhet nëse ti punon. Ne punojmë pak ose shumë pak. Unë në jetë jam munduar të bëj detyrën time. Do vdes i qetë, sepse e kam bërë detyrën …”. Maks Velo ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë akute, në kohë pandemike me datë 7 maj 2020, duke lënë pas shumë gjëra në ajër, që do të dëshironte t`i përfundonte, t`i sistemonte ose të bisedonte. Ai nuk pati kohë. Por Maks Velo ka thënë shumë e shumë…
Gazeta Shqiptare