Çfarë po ndodh? “USS Harry Truman” zbret në Jon, anijet ruse ngecin në Egje. – NATO blindon Mesdheun
Çfarë po ndodh? “USS Harry Truman” zbret në Jon, anijet ruse ngecin në Egje.- NATO blindon Mesdheun
30 PRILL 2022
NATO ka shtuar ndjeshëm prezencën në Mesdhe pas sulmit të Rusisë në Ukrainë si një përgjigje ndaj kërcënimit të Putinit ndaj Europës. Aktualisht në Mesdhe ndodhen katër aeroplanmbajtëse të NATO-s, të cilat përbëjnë një forcë të konsiderueshme të aleancës ndaj anijeve ruse që tashmë kanë ngecur në portin e Tartusit pas mbylljes së Dardaneleve sipas traktakteve ndërkombëtare në raste lufte.
Sëfundmi, aeroplanmbajtësja amerikane “USS Harry Truman” ka lëvizur nga porti i Triestes në veri të Italisë për të zbritur për në Jon bashkë me grupin e anijeve që e shoqërojnë. “USS Harry Truman” qendroi disa ditë në Trieste pas misionit të gjatë në Mesdheun Lindor.
Krahas saj, në Taranto gjenden dy aeroplanmbajtëset italiane Cavour (C550) dhe Garibaldi (C551). Të dyja aeroplanmbajtëset janë të pajisura me avionë dhe helikopterë ushtarakë.
Ndërkohë, pak më në veri-perëndim, pikërisht në ujërat e Francës gjendet aeroplanmbajtësja “Charles de Gaulle”. Ajo u pozicionua në portin e Toulonit pas misionit në Egjeun Lindor.
Në zonë Jon gjenden edhe dy destrojerët amerikanë USS Ross (DDG-71) dhe USS Jason Dunham (DDG-109).
Sëfundmi është futur në Mesdhe përmes Gjibraltarit edhe nëndetësja bërthamore britanike HMS Audacious. Ajo u filmua sëfundmi në ngushticën e Gjibraltarit duke bërë kalimin për në brendësi të ujërave të Mesdheut.
Sa i përket rusëve, pjesa dërrmuese e flotës së tyre është përreth portit të Tartusit, përveç kryqëzorit “Marshall Ustinov” që gjendet në jug të Kretës.
Kjo anije është e ngjashme me atë “Moskva” që u fundos pak ditë më parë në detin e Zi nga ukranasit. Me fundosjen e “Moskvës”, rusët kanë humbur shumë nga kontrolli ajror dhe detar në luftë me Ukrainën. Ekspertët vlerësojnë se rusëve iu duhet prezenca e anijes “Marshall Ustinov” në ujërat e detit të Zi, por futja e saj nuk mund të ndodhë pas shkak se Turqia ka mbyllur tashmë ngushticat.
Krahas kruizerit “Marshall Ustinov” që kërkon të futet në detin e Zi, përballë Tartusit është edhe anija tjetër e klasit “Slava”, “Varyag”, e cila po ashtu synon futjen në ujërat përballë Ukrainës.
Rusia kishte në dispozicion vetëm tre kryqëzorë të klasit “Slava”. E para ishte “Moskva”, tashmë e mbytur, ndërkohë që kanë mbetur “Varyag” dhe “Marshal Ustinov”, të dyja të bllokuara në Egje.
Gazeta Shqip