Çfarë pritet të bëjë Edi me qeverisjen e Ramës? –
Çfarë pritet të bëjë Edi me qeverisjen e Ramës? –
15/12/2018.
Nga Klementin Mile
Në protestat e famshme të studentëve të majit 1968 në Francë spikaste slogani “Teknicienë, pozicionohuni!”. Me këtë studentët jepnin mesazhin e rëndësishëm që kishte ardhur koha që edhe teknicienët të hiqnin dorë nga qëndrimi neutral, të cilin e justifikonin prej profesionit të tyre dhe të mbanin një qëndrim ideologjik të qartë. Homologët e tyre sot, studentët shqiptarë në protestën 10-ditore, janë tërësisht të justifikuar të dalin me një slogan të ngjashëm në formë, por të ndryshëm në përmbajtje. Ata duhet të ngrenë lart pankartën “Politikanë, pozicionohuni!”.
Kjo pankartë nuk do t’i vlente askujt më tepër se kryeministrit Rama. Flirtimet e tij përtej së majtës dhe së djathtës, me Rrugën e Tretë, me reformën e shijes (e cila gjithmonë gjykon më shpejt se arsyeja dhe prandaj është e rrezikshme për demokracinë) dhe me ndërhyrjet standarde në shoqëri e bëjnë Ramën të jetë politikani tipik që nuk pozicionohet ideologjikisht. Mirëpo nuk ka ardhur ende koha e fundit të ideologjisë. Paçka se një numër i konsiderueshëm studentësh mund të jenë zhgënjyer prej mosrealizimit të interesave imediate, shumica e tyre dhe, më gjerë, shumica e popullsisë shqiptare që mendon si të largohet nga vendi, është zhgënjyer nga mosrealizimi i vlerave.
Po çfarë pritet të bëjë Edi me qeverisjen e Ramës, në kushtet kur thellësisht të pakënaqur nuk janë vetëm studentët, por edhe minatorët, pronarët e vjetër dhe të rinj, pensionistët, njerëzit që kanë nevojë për asistencë sociale, shkodranët, kuksianët, lushnjarët, devollitët e kështu me radhë? Përpara Edit shtrihen tri rrugë të mundshme.
Rruga e dorëzimit. Përballë presioneve të shtuara nga grupe të rëndësishme të shoqërisë dhe problemeve komplekse të qeverisjes, Edi mund të vendosë t’i japë fund qeverisë Rama dhe të largohet nga skena politike. Por shanset që kjo të ndodhë janë 0 për qind. Edi është ende i ri dhe shumë ambicioz. Ashtu si mbreti mund t’ia lirojë fronin vetëm një mbreti tjetër, edhe Edi nuk mund të dorëhiqet pa qenë i sigurt se në vend të Ramës do të vijë një person që e ka tashmë staturën e kryeministrit. Momentalisht, Edi nuk duket të shohë kandidatura serioze, as në partinë e vet, as në ndonjë parti tjetër.
Rruga e reformizmit. Kjo nënkupton që Edi të pranojë dhe të ndreqë gabimet e Ramës. Si reformator, Edi duhet të përmbyllë reformat e lëna përgjysmë në arsim dhe shëndetësi dhe të fillojë konkretisht reformat në sektorë si energjia dhe ekonomia. Por shanset që kjo të ndodhë janë vetëm 1 për qind. Nevojitet shumë guxim për të qenë reformator, nevojiten edhe vota me shumicë. Këto të dytat Edi i ka patur. E megjithatë, paçka se shanset janë minimale, pikërisht si reformator Edi do të linte gjurmë të thella dhe të lavdishme në historinë politike të shqiptarëve.
Rruga e populizmit. Edi mund të shkojë deri aty sa t’u bashkohet studentëve, minatorëve, pronarëve dhe çdo grupimi qytetar tjetër për të protestuar kundër qeverisë së Ramës. Ai mund të vazhdojë me idenë populiste të bashkëqeverisjes me qytetarët, e cila, sigurisht, nuk është as bashkëqeverisje, as me qytetarët. Ka 99 për qind shanse që Edi të zgjedhë të ndjekë këtë rrugë. Populizmi do e ndihmonte qeverinë e Ramës të vazhdonte me anashkalimin e opozitës, por cinizmi që asgjëson opozitën ka një të metë fatale: ai nuk prodhon asgjë për popullin. Dhe është pikërisht me këtë të fundit që do duhet t’i bëjë llogaritë Edi. Si mund të sjellin ndonjë gjë pozitive për interesin publik reformat e lëna përgjysmë, qeverisja me fushata, inkoherenca ideologjike dhe vizioni i copëtuar?! Si populist, çka janë gjasat më të mëdha që Edi të zgjedhë për Ramën, ai do të hynte në histori si dështimi i madh i një premtimi të madh.
Pedagog në UET