CIA nis rekrutimet në Rusi, kërkon të bindë agjentët rusë të punojnë për SHBA
24 Janar 2024
Agjencia Qendrore amerikane e Inteligjencës (CIA) ka publikuar një video në gjuhën ruse, në tentim për të bindur punonjësit rusë të inteligjencës që të punojnë si agjentë të dyfishtë për Uashingtonin.
Drejtori i CIA-s, William Burns, deklaroi korrikun e vitit të kaluar se ka pakënaqësi në mesin e disa rusëve lidhur me luftën në Ukrainë dhe kjo pakënaqësi krijon mundësi për të rekrutuar spiunë dhe CIA do ta shfrytëzojë këtë situatë.
Videoja, e publikuar në kanalet zyrtare të CIA-s në rrjetet sociale, tenton të bindë ata që sugjeron se janë patriotë rusë që punojnë për shërbimet e inteligjencës dhe mund të ndihen të tradhtuar nga ajo që u cilësua si korrupsion në qarqet e elitës dhe mënyrës së dobët se si forcat e armatosura ruse janë të pajisura dhe furnizuara.
“Ata që janë përreth jush ndoshta nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën. Por, ne duam. Ju nuk jeni të pafuqishëm”, thuhet në videon që është e fundit në serinë e videove rekrutuese që shënjestrojnë Rusinë. Më pas, në video shfaqen mënyrat se si të kontaktohet CIA.
E shoqëruar me një muzikë melankolike, personazhi kryesor i videos, një personazh fiktiv, burrë 35 vjeç, shfaqet si një punonjës i agjencisë ushtarake të inteligjencës së Rusisë i cili e portretizon veten si patriot që e do Rusinë dhe që më parë ka shërbyer si parashutist.
“A keni guxim të mjaftueshëm që të përballeni me këtë tradhti”, thotë ai në video, para se ai të kuptojë se armiku i vërtetë brenda Rusisë është një formë e korruptuar e udhëheqjes.
Ky personazh fiktiv më pas thotë se për shkak të patriotizmit të tij ai ka vendosur që të veprojë dhe të punojë me CIA-n.
Një zyrtar i CIA-s, që foli në kushte anonimiteti, tha se ka parë interesim më të madh të rusëve si rezultat i këtyre videove. Por, ky pretendim nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ish-spiun i KGB-së që ka shërbyer në Gjermaninë e atëhershme Lindore, i ka bërë thirrje shërbimit të brendshëm të sigurisë, FSB, që të rrisë aktivitetet për të luftuar, atë që ai e ka cilësuar si rritje të spiunazhit nga Perëndimi.
Kremlini po ashtu ka thënë se ushtria është e pajisur me të gjitha që i duhen për luftën në Ukrainë, që ai e cilëson si “operacion të posaçëm ushtarak”. Po ashtu, ka hedhur poshtë pretendimet e ndryshme për korrupsion.
Videot rekrutuese të CIA-s janë publikuar në Facebook, X – që më herët njihej si Twitter – dhe Telegram, një platformë sociale mjaft popullore në Rusi.
“E dini, kjo praktikë është e zakonshme, agjencitë e inteligjencës në mbarë botën shpesh përdorin mediat dhe rrjetet sociale për të rekrutuar punonjës të ri. Të gjithë e dimë se CIA e bën këtë çdo vit”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Peskov sugjeroi se CIA po humb kohë duke tentuar që të arrijë te rusët përmes platformës X, që është e ndaluar në Rusi, dhe rusët mund ta përdorin atë vetëm duke përdorur VPN. Facebook-u po ashtu është i ndaluar në Rusi.
“Dikush duhet t’i tregojë CIA-s se në shtetin tonë VKontakte [rrjet social rus] është shumë më popullor se X, që është i ndaluar. Dhe se audienca në VKontakte është shumë më e madhe”, tha Peskov.