7 Qershor 2024

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë futur Edi Ramën dhe qeverinë  e tij nën monitorim të plotë pasi aksionet e fundit të SPAK, i cili financohet nga SHBA treguan se në Shqipëri ligjin e bëjnë bandat, të cilat janë të lidhura ngushtë me politikën dhe policinë. Paralajmërimet e amerikanëve për të çuar më tej luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, mesazhet e forta për skemat e PS në bashkëpunim me grupin e Sali Berishës për të përmbysur SPAK dhe raportet e studimet se korrupsioni është kërcënimi më i madh për sigurinë e Shqipërisë tregojnë se “anija” e Edi Ramës po fut ujë me shpejtësi të madhe dhe nuk dihet nëse ai do ta ankorojë të sigurt në port në vitin 2025, apo do të mbytet rrugës.

“Ciklon amerikan”

Menjëherë pasi i Ngarkuari me Punë në ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, David Wisner, deklaroi se në Shqipëri duhet stabilitet, parashikueshmëri, angazhim, luftë kundër korrupsionit dhe përkushtim ndaj tij në mënyrë që të tërhiqen dhe bizneset amerikane, Zëri Amerikës publikoi dje anketën kombëtare nga Barometri i Sigurisë 2024.

Sipas kësaj ankete, shumica e qytetarëve mendojnë? se korrupsioni është kërcënimi më serioz për sigurinë e Shqipërisë. Në studimin e CSDG-së, me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert, thuhet se nga viti në vit është rritur numri i qytetarëve që e nënvizojnë korrupsionin si kërcënimin më serioz të sigurisë. Në vitin 2024 është 45 për qind, në vitin 2022 ishte 39 për qind, ndërsa në vitin 2020 ishte 37 për qind. Këtë vit, afro 22.5 për qind e të anketuarve e cilësojnë korrupsionin si kërcënimin e dytë më të madh për sigurinë. Mendoj se njerëzit gjithnjë e më shumë po konstatojnë që korrupsioni ka veti gërryese në përgjithësi në të gjitha fushat e jetës së shoqërisë. Korrupsioni shihet si një problem shumë i madh në shoqëri, edhe pse është një veprimtari e fshehtë dhe njerëzit e mendojnë në mënyrë të tërthortë. Kemi një shkallë të lartë të angazhimit në korrupsion të zyrtarëve të niveleve më të larta. Shumë emra nga të gjithë nivelet janë tashmë para drejtësisë dhe kjo e ka bërë më të prekshëm për qytetarët. Nga kjo e fundit buron edhe besimi i lartë tek SPAK-u”, thotë për Zërin e Amerikës Arjan Dyrmishi, një nga autorët e studimit dhe drejtues i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes. Kërcënimi i dytë më i madh i sigurisë në Shqipëri, pas korrupsionit, cilësohet krimi i organizuar nga afro 24 për qind e të anketuarve. Gjithashtu ky vlerësim është në rritje krahasuar me vitet e mëparshme, përkatësisht 19.2% në 2022 dhe 20.3% në 2020. “Korrupsioni është perceptuar si kërcënimi më serioz për sigurinë në çdo edicion të Barometrit Shqiptar të Sigurisë. Prandaj, nuk është befasuese që besimi në institucionet demokratike dhe elitën politike mbetet i ulët”, theksohet në studim.

Mesazhi i fortë për qeverinë “Rama”

Qytetarët shprehin në anketë një pasiguri të ndjeshme politike, teksa pjesa dërrmuese e të anketuarve pohojnë se nuk ndihen të përfaqësuar nga Kuvendi, qeveria dhe pushteti vendor. Vetëm 8.3% e të anketuarve thanë se ndjehen të përfaqësuar nga parlamenti, 11% e tyre pohuan kështu për pushtetin qendror dhe 16% të tjerë ndjehen të përfaqësuar në qeverisjen vendore. Shumica e të anketuarve, konkretisht 82 për qind e tyre, mendojnë? se drejtuesit e qeverisë shkelin ligjin ose abuzojnë? me pushtetin, dhe 71.6% e qytetarëve pohuan se krimet e kryera nga zyrtarët e qeverisë mbeten të pandëshkuara. Veprimtaria e qeverisë shqiptare, sipas anketës, ndikohet nga pronarët e bizneseve të mëdha, ndërsa ndikimi i vullnetit të qytetarëve ndaj hapave të qeverisë është i vogël. Vetëm 7 për qind mendojnë se Kuvendi dhe qeveria zbatojnë vullnetin e votuesve, ndërsa 45.7% pohuan se qeveria ndikohet në punën e saj nga pronarët e bizneseve të mëdha. Gjysma e të anketuarve nuk besojnë se zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë të lira dhe të ndershme, apo nëse do të fuqizojnë qytetarët për të zgjedhur lirisht alternativat politike.

Edi Rama “thumbon” SHBA

Gjithë këto mesazhe të forta drejtuar nga amerikanët drejt qeverisë së tij kanë shqetësuar Edi Ramën. Ai dje vendosi t’i thumbojë publikisht duke u kapur për marrëveshjen që nuk zbatuan për refugjatët afganë në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij bashkë me homologen Georgia Meloni, të cilët vizituan nga afër edhe kampin për pritjen e emigrantëve në Shëngjin si dhe atë në Gjadër, Rama tha se çdo të premte në Shqipëri vijnë avionë nga SHBA-ja me 90 deri 120 persona, të cilët qëndrojnë tre deri në gjashtë muaj për të filtruar kalimin e shtetasve afganë më pas në Shtetet e Bashkuara. Kreu i qeverisë  tha se “nuk do ishte çudi që SHBA t’i linte afagnët këtu, pasi duke qenë shumë të mëdhenj e harrojnë zotimin”. Rama tha se për afganët paguajnë hotelin dhe nuk thonë hajdeni merrini se do i hedhim në det duke thumbuar amerikanët.

Gazeta Sot