Cilin paralajmëroi Basha kur tha se “kemi ish-qeveritarë të korruptuar edhe në PD”?
Cilin paralajmëroi Basha kur tha se “kemi ish-qeveritarë të korruptuar edhe në PD”?
12 tetor 2021
Nga Jonida Halili
Sot Lulzim Basha ishte më i ashpër dhe më i vendosur se kurrë më parë. Ai bëri një deklaratë para medias dhe goditi me bërryl njerëzit e ish-kryeministrit Berisha, duke i quajtur të korruptuar.
Ja se çfarë tha ndër të tjera Lulzim Basha pas paralajmërimit për përjashtim nga grupi parlamentar të Flamur Nokës:
“Në 30 vjet ndërrohen qeveritë dhe këta vetëm pasurohen. Beteja ime dhe e PD-së është me ta dhe kërkohet fokus, vëmendje dhe guxim. A ka pasur llum në kohën e qeverisjes së PD? Padiskutim që po. Një pjesë e kemi pastruar, një pjesë nuk ia kemi dalë dot ta pastrojmë. Njerëz që kanë kontrata me inceneratorët.
Njerëz që hapin gropa sot në Tiranë për të pastruar paratë. Njerëz që kanë frikë nga gjëmat e tyre dhe janë të shantazhueshëm nga Edi Rama dhe janë shantazhuar nga Edi Rama për t’i shërbyer Edi Ramës. Këto para të vëna me praktika korruptive gjatë kohës që qeverisnim ne, i përdorin për të shantazhuar demokratët.
PD është shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshim. Ky është një moment fondamental i ndryshimit. Bishtat e korruptuar të ish-qeverisjes tonë, një pjesë e kemi pastruar por dhe një pjesë kanë mbetur, demokratët e dinë kush janë. Nuk do lejoj që askush t’i bjerë me shkelm sakrificës së demokratëve”, tha më tej Basha.
Kjo që tha Basha sot para shqiptarëve ka nevojë që të shoqërohet edhe me padi në SPAK për ish-qeveritarët e korruptuar në PD.
Nëse e bën këtë atëherë Lulzim Basha meriton përgëzimet publike. Por nëse e lëshon tymuesen sa për të zënë perden e së vertetës që zien në PD, nuk do besohet më kreu aktual i PD-së.
Lulzim Basha ndodhet para vendimit më të fortë të jetës së tij politike, ku pasi tha se “Bishtat e korruptuar të ish-qeverisjes tonë, një pjesë e kemi pastruar por dhe një pjesë kanë mbetur, demokratët e dinë kush janë”, duhet të niset drejt SPAK-ut dhe të dorëzojë faktet e emrat për të korruptuarit ish-qeveritarë në selinë blu.
Nëse shkon dhe u jep emrat e ish-ministrave, ish-zyrtarëve të korruptuar apo atyre që hedhin miliona euro të “gropat e bashkisë” e dikur kanë qenë në pushtet, Lulzim Basha meriton të jetë prapë kryetar i PD-së.
Lulzim Basha nëse do një PD për demokratët e thjeshtë të shkojë nëpër rrethet e vendit dhe t’ju shpjegojë se kush janë të korruptuarit në PD.
Por po mbeti të fjalët dhe deklarata bombastike te shkallet e PD-së, ashtu mund të dalin edhe kundërshtarët e tij dhe ta akuzojnë Bashën se ka bërë korrupsion si ish-ministër apo si ish-kryetar bashkie në Tiranë.
Gazeta Koha e Jone