Çlirim Ceka. –
(02.02. Elbasan, 1945) Piktor, grafist, ilustrator.
Piktori Çlirim Ceka i përket artistëve të rëndësishëm shqiptarë të realizmit socialist. Ceka ka kryer Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë dhe po në këtë Institut ka punuar si pedagog i grafikës në vitet (1970-1975). Ceka bënte pjesë në grupin e piktorëve të realizmit socialist që trajtuan tablonë kompozicionale me prirje monumentale dhe me dimensione të mëdha. Kjo prirje e piktorëve të rinj të realizmit socialist, të porsa diplomuar, drejt dimensioneve të mëdha, krijoi tek këta artistë mundësinë e trajtimit të kompozimeve dhe sfondeve në formë simbolike e mjaft dekorative, gati pllakateske. Ky grupim artistësh përbëhej nga artistët që sapo ishin diplomuar në Akademitë lindore dhe ata të diplomuar në Shqipëri, të cilët sollën risi në pikturën shqiptare në vitet 1960-1970, sepse krijuan një lëvizje artistike drejt tablosë monumentale të propagandës me dimensione të mëdha. Tematika e tablove ishte pjesë e propagandës politike, “arti i porositur” apo “arti i angazhuar” i kornizuar brenda kanoneve të realizmit socialist me temat slogane të kohës, “pasqyrimi i njeriut të ri”, “ndërtimi dhe transformimi socialist i vendit’ dhe “tabloja historike heroike”.

  

 

Piktori Ceka ka realizuar edhe një murale në hollin e Muzeun Historik, Lushnjë, 1987 por kryesisht tematika e

kompozimeve të tij në vazhdimësi ka qënë ajo e punës për ndërtimin e socializmit dhe nga puna e klasës punëtore. Në pikturën e Cekës ndjehet prirja për një pikturë larg natyralizmit apo dhe realizmit akademik. Ai duke qënë një vizatues i fuqishëm, i realizon figurat e tij në mënyrë mjeshtërore në lëvizje duke krijuar situata të fuqishme grafike. Me mjaft interes janë tablotë nga fonderia, të cilat pasqyrojnë kryesisht  mjediset e atmosferës së punës në Kombinatin Metalurgjik Elbasan. Ai ishte pjesëmarrës deri në vititn 1975 në të gjitha ekspozitat kombëtare që organizonte Galeria e Arteve dhe Ministria e Kulturës e kohës.
Nga krijimtaria e artistit Çlirim Ceka në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, ndodhen njëzetedy vepra  të viteve 1968-1994.
Nga  ky koleksion gjatë mund të kujtojmë  “Punojmë dhe mësojmë” , 1969, (GKA, Tiranë), “Në kufi”, 1980, (GKA, Tiranë), “Në metalurgjik”, 1983 (GKA, Tiranë), “Dropullitja”, 1984 (GKA, Tiranë), “Metalurgu”, 1984 (GKA, Tiranë), etj.

Ceka ka realizuar ilustrime, kopertina librash dhe cikle grafike në teknikën e linoleumit. Ndër punimet e para grafike kujtojmë ”Punëtorët”, 1968 (GKA, Tiranë), “Fonditori”, 1968, (GKA, Tiranë),  “Shkrirësit”, 1969 (GKA, Tiranë), etj.


Veprat e tij ndodhen edhe në Galeritë e Arteve të qytetit të Elbasanit (tre vepra), të Lushnjës (një vepër) dhe të Vlorës (një vepër).
Piktori Çlrim Ceka ka marë pjesë në ekspozitat kolektive që Galeria Kombëtare e Arteve ka çelur jashtë Shqipërisë si në Pekin, RP të Kinës (1967), në Bienalen e Aleksandrisë, Egjypt (1968), në Shangai, RP të Kinës (1968), në Prishtinë, Kosovë (1972), Paris (Francë),  Romë (Itali), Athinë (Greqi), Spezano Albanese (Itali), Grac (Austri), Gorica-Kroaci (1997), Selanik (Greqi).
Më 1998, artisti emigroi në qytetin e  Selanikut, Greqi, ku zhvillon veprimtarinë artistike dhe jeton aktualisht me familjen. Ai është anëtar i shoqatës  së artistëve SKET-BE (Shoqata e artistëve figurativë të Greqisë së veriut) ku bëjnë pjesë artistë grekë, rusë, hollandezë, indianë. Në krijimtarinë e kësaj periudhe  artisti Ceka realizon vepra ekspresive figurative, me vija e njolla kryesisht gjeometrike që arrijnë deri në linja të ashpra  grafike ku mungon imazhi.
Krijimtaria e Çlirim Cekës në Greqi u fokusua kryesisht në gjininë e grafikës. Në koleksionin e kësaj periudhe artisti realizon grafika abstrakte si dhe ato me tema shqiptare (me motive folklorike). Ai synon në këto punime grafike drejt një gjuhe artistike të thjeshtëzuar, të stilizuar drejt dekorativitetit abstrakt.

Ylli Drishti
Studjues artistit

 

Vlerësime mbi artistin Çlirim Ceka.
Vizatimi është ajo ç’ka këtij piktori i jep forcë sovrane lëvizjes, nëpërmjet të të cilit krijon përmbajtje të pasura të cilat mbizotërojnë në veprat e tij artistike.
Mirëpo, në të njëjtën kohë opusi i tij është i pasur edhe me motive të cilat shprehin gjërësinë e mundësive të përmbajtjeve në pikturen e tij.
PROF. DR. ANTUN BAUER –  studiues dhe kritik i njohur Arti, Zagreb,Kroaci,
shënim kritik në katalogun e ekspozitës në galerine ”Kordic”, Velika Gorica – Zagreb 1994.