“Çmendet” Edi Rama: Sot asnjë vend i BE-së nuk do të futej dot në BE…

3 Tetor, 2019

Kryeministri Edi Rama, ka mbajtur një fjalim plot mllef ndaj Bashkimit Europian, duke akuzuar disa vende anëtare, se po e penalizojnë Shqipërinë, për shkak të problemeve të tyre të brendshme. Sipas Ramës, Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet, por futja në BE është bërë aq e pamundur, sa edhe vendet që janë aktualisht në këtë union, nuk do të futeshin dot nëse aplikonin sot.

“Sot, cilido nga vendet e Bashkimit Europian, që është tanimë i integruar, pas rënies së perandorisë komuniste, do të ishte në pozicionin që të kërkonte të futej në BE, nuk do futej dot në BE. Sot, cilido nga vendet që është në BE, aktualisht po ju them, nuk do futej dot në BE. Madje vende që ishin në BE, përpara rënies së komunizmit nuk do futeshin dot. Sepse, sot BE është në debat të brendshëm, që nuk ka në konsideratë zgjerimin e BE-së, por daljen nga një situatë, e cila e ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me fuqitë e tjera“, u shpreh kryeministri.

Për të shpjeguar faktin se Maqedonia e Veriut, po veçohet nga Shqpipëria, Rama kishte gjetur si argument, faktin se Maqedonia e Veriut ka bërë një marrëveshje të madhe, duke iu referuar çështjes së emrin.

Me këtë fjalim kaq të ashpër ndaj “armiqve” në BE dhe me argumentin “magjik” për Maqedoninë e Veriut, Edi Rama duket se po i “lan duart” nga çdo përgjegjësi, duke e përgatitur terrenin e propagandës, në rast dështimi të negociatave.

/TPZ.al/