![](https://i0.wp.com/www.shqiperia.com/blog/wp-content/uploads/2025/02/4624.webp?fit=1200%2C900&ssl=1)
Çmimet dhe kostot e larta të jetesës janë shqetësimet kryesore të qytetarëve në 2025
7 Shkurt 2025
Nga Gazeta Dita.
Niveli i pagave, kostot e jetesës, çmimet e ushqimeve e kanë vështirësuar jetesën për mijëra familje që jetojnë në Shqipëri. Raportet e institucioneve të ndryshme e nxjerrin vendin tonë me nivel të lartë varfërie dhe pamundësi ekonomike për afro 30% të popullsisë.
Kjo gjendje konfirmohet edhe në sondazhin e Barometrit, të prezantuar në Euronews Albania, ku pjesa dërrmuese e qytetarëve ankohen për çmimet e larta në treg, kostot e jetesës dhe korrupsionin.
Në kampionin me 1,600 persona të pyetur, 685 prej tyre ose 42.8% kanë thënë se përballen me çmime të papërballueshme.
I njëjti pyetësor është bërë edhe 4 vite më parë, ku kriza shihej te papunësia, korrupsioni dhe sistemi shëndetësor.
Të pyetur se si ka punuar qeveria për të ndikuar në uljen e kostove të jetesës dhe çmimeve në treg, më shumë se 70% e qytetarëve theksojnë se ka punuar pak ose aspak.
Për të kundërshtuar çmimet e larta, ditët e fundit ka nisur edhe një fushatë nga organizata të ndryshme që bëjnë thirrje për bojkot të supermarketeve.