Çmimet e Ansamblit “Shota” në Spanjë – fitore historike për Kosovën
10 Shtator 2024
Dy cmimet që ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” ka marrë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Zamora janë konsideruar fitore historike jo vetëm për institucionin, por edhe për diplomacinë e vlerat e trashëgimisë kulturore të Kosovës. “Është çmim i merituar, është hera e parë që ‘Shota’ vjen në Spanjë, sivjet kur kremton 60-vjetorin e themelimit si ansambël profesionist. Është sukses edhe për ne, edhe për Kosovën ku vlerësohen vlerat tona, arti, kultura, trashëgimia jonë kombëtare”, ka thënë për KOHËN Haki Mulliqi, anëtar i Këshillit Drejtues të Ansamblit
Si njëra prej fitoreve më me peshë në historinë gjashtëdekadëshe prej themelimit si institucion profesionist është konsideruar triumfi i “Shotës” në Spanjë.
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve ka marrë çmimin kryesor “Grand Premio” në festivalin ndërkombëtar të folklorit “Zamora Folk Festival”, si dhe ka marrë mirënjohje speciale për koreografi. Zamora ka qenë njëri prej stacioneve të “Shotës” në debutimin e saj në shtetin spanjoll, ku prej fundgushtit ka pasur një mini-turne.
Për kurorëzimin me fitore “Shota” ka shkruar se “ky triumf merr edhe më shumë vlerë duke konkurruar me ansamble të jashtëzakonshme nga Brazili, Panamaja, Kroacia, Malajzia dhe shumë të tjera”.
“Gjatë qëndrimit tonë në Spanjë, ansambli ynë prezantoi me krenari traditat tona para një publiku të ngrohtë, i cili na shpërbleu me duartrokitje të gjata dhe entuziazëm të veçantë”, shkruhet në njoftimin e “Shotës”.
Festivali spanjoll, por edhe pjesëmarrja në të tjera ngjarje e parakalime nëpër qytete ka qenë promovim për trashëgiminë e këngëve dhe valleve shqipe, bashkë me kostumografinë.
Vetëm në Festivalin e Zamoras që sivjet ka shënuar edicionin e 20-të, Ansambli ka interpretuar për tri net rresht me nga 15 minuta. Në natën finale janë kombinuar dy valle nga repertori i ansamblit “Shota”: “Vallja e Peshkopisë” dhe “Valle festive”. Ndërsa në netët paraprake ka luajtur kolazhe vallesh, midis tyre “Vallen e Tiranës”.
Koreografi Haki Mulliqi, anëtar i Këshillit Drejtues të ansamblit “Shota”, e ka konsideruar prezantimin e institucionit në Spanjë si diplomaci kulturore, ndërsa çmimin e ka konsideruar prej më të rëndësishmëve me të cilët është shpërblyer deri më tani.
“Është çmim i merituar, është hera e parë që ‘Shota’ vjen në Spanjë sivjet, kur kremton 60-vjetorin e themelimit si ansambël profesionist. Është sukses edhe për ne, edhe për Kosovën kur vlerësohen vlerat tona, arti, kultura, trashëgimia jonë kombëtare”, ka thënë Mulliqi për KOHËN, të hënë vonë.
Ai ka thënë se prisnin të shpërbleheshin në Spanjë, ngase ovacionet dhe reagimet e publikut ishin tregues për këtë. Ka treguar se pos performancës janë vlerësuar edhe detaje të tjera, që nga parakalimet nëpër qytet.
“Pos prezantimit, kostumeve, muzikës, qëndrimit në skenë, ndër të tjera vlerësoheshin edhe parakalimet që i bënin nëpër qytet. Ishte pakrahasueshëm më i realizuar prezantimi ynë, ndonëse kishte prezantime të tjera të bukura. Mbrëmë ansambli ‘Shota’ ishte në nivelin më të lartë artistik dhe me prezantimin e shkëlqyeshëm që është vënë re nga juria profesionale e ovacionet e publikut”, ka thënë Mulliqi.
Për suksesin e Ansamblit ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
“Super lajm, edhe një çmim botëror nga artistët tanë. Ansambli kombëtar ‘Shota’ fiton çmimin kryesor në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Zamora të Spanjës. Një tjetër përfaqësim e lartësim i shtetit tonë në botë. Përgëzime për performuesit dhe drejtuesit e Ansamblit”, ka shkruar Çeku në Facebook.
Në listën e fituesve të festivalit ku “Shota” kryeson me çmimin e parë dhe pasohet nga një përmendje speciale, vendi prej nga vjen institucioni përmendet si “territor i Kosovës”.
Në festival çmime kanë marrë edhe ansamble nga Kroacia, Panamaja, Brazili dhe Malajzia.
Drejtori artistik i “Shotës”, Ylber Asllanaj, ka shpërndarë postimin e “Shotës” ku shkruhet se institucioni ka ngjallur interes të madh te publiku spanjoll.
“Një ambasador i denjë i shtetit më të ri në botë! Me plot admirim dhe dashuri, kemi ngjallur interes të madh te populli mikpritës spanjoll për kulturën tonë. Kostumet, muzika dhe vallet tona kombëtare po krijojnë një jehonë të veçantë, duke përçuar trashëgiminë tonë tek një publik shumë kureshtarë e dashamirës”, shkruhet në postimin e “Shotës”.
Në incizimet e publikuara nga momenti i shpalljes së fituesit, Ansambli shihet duke valëvitur flamurin e Kosovës e duke pozuar me simbolin e shqiponjës dykrenare me duar. Skena bëhet arenë feste me vallëzimin e lirë të valltarëve të “Shotës”, të cilëve iu bashkohen edhe anëtarët e ansambleve të tjera.
Krejt në fund ata shihen tek koordinojnë lëvizjet për koreografinë e vallëzimit “Jerusalema”, e cila qe bërë e njohur gjatë bllokimit të pandemisë. Qe bërë një lloj sfide virale që shoqërohet nga kënga hit me muzikë të DJ afrikan “Master KG” e kënduar nga Nomcebo Zikode.
Valltarja e “Shotës”, Arta Mulliqi, ka shkruar se Ansambli ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm me performancën në këtë qytet. Sipas saj, publiku është magjepsur me interpretimet e tyre të mrekullueshme të trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Me një kombinim unik të këngëve, muzikës dhe valleve tradicionale, ‘Shota’ arriti të përcjellë emocionet, energjinë dhe bukurinë e folklorit shqiptar në një formë artistike të rafinuar. Një nga momentet kulmore të performancës ishte vallja e lashtë shqipe, e cila shpërfaqi harmoninë perfekte ndërmjet muzikës dhe lëvizjeve dinamike të trupit. Kjo valle u prit me duartrokitje të gjata dhe entuziazëm nga publiku spanjoll, i cili u përfshi në atmosferën festive dhe emocionuese të shfaqjes”, ka shkruar ajo.
Publiku i Zamorës, sipas saj, u shpreh i mahnitur “nga diversiteti dhe pasuria e kulturës shqiptare, të cilën ‘Shota’ e solli në mënyrë kaq të natyrshme dhe profesionale. Përmes interpretimit të tyre, Ansambli jo vetëm që paraqiti traditat shqiptare, por edhe forcoi lidhjet kulturore ndërmjet popujve”.
Festivali sivjet u mbajt më 6, 7 e 8 shtator. Ai organizohet nga Këshilli Ndërkombëtar i Organizimeve të Festivaleve të Folklorit dhe të Arteve Folklorike, që është i certifikuar nga kjo organizatë e trashëgimisë kulturore.
Që nga viti 1970, siç shkruhet në prezantimin e tyre, Këshilli punon për ruajtjen, promovimin dhe përhapjen e kulturës tradicionale. Nëpërmjet aktiviteteve të tij, Festivali thuhet se midis të tjerash synon promovimin e trashëgimisë shpirtërore nëpërmjet formave si kërcimi, muzika, lojërat rituale e arte të tjera, t’u shërbejë objektivave të UNESCO-s.
Festivali është mbajtur në qytetin 230 kilometra larg kryeqytetit, Madridi. Prej tij është emërtuar festivali.
Pos kësaj, “Shota” ka marrë pjesë edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Salamancas në qytetin spanjoll Salamanca dhe në qytetin Palencia.
Drejtori artistik, Ylber Asllanaj, ka thënë se paraqitja e Ansamblit nga Kosova ka qenë “prezantim dinjitoz i traditës sonë koreografike, muzikore e kostumografike para mijëra të pranishmëve, në sheshin qendror të qytetit historik spanjoll, Salamanca”.