Çmimet e apartamenteve do të rriten
Çmimet e apartamenteve do të rriten
Nga Nertila Dosti
13 Mars 2022
Çmimi i tyre pritet të rritet me të paktën 10% dhe kjo për shkak të kostove të larta me të cilat po përballen ndërtuesit.
“S’jemi në luftë, jemi zhytur në korrupsion”, thirrjet para kryeministrisë: Po nuk ranë çmimet, do bjerë qeveria
Arben Dervishaj nga Shoqata e Ndërtuesve thotë se materialet bazë, hekuri e çimentoja janë shtrenjtuar javët e fundit me afro 50%.
“Materiali i hekurit, çimentos, bakrit si dhe tregues tjetër është çmimi i naftës të cilët kanë një rritje nga 30-50%. Në tregun e banesave kjo do reflektohet me një rritje çmimi. Nuk është se rritja e çmimit do të jetë në masën 50%, por do të jetë të pakën 10-15″%, tha Dervishaj.
Sipas Dervishaj kompanitë që zhvillojnë investimet publike po dalin me humbje nga rritja e lartë e çmimit të naftës.
“Një ndërtues ka mbyllur me çmime të caktuara një kontratë, kontratat shtetërore nuk e njohin rritjen e çmimit. Ose do dalin me fitim zero ose do dalin me humbje. Në këtë pikë shteti duhet të ndërhyjë”, tha ai.
Për të mos i pasqyruar kostot në çmimet e apartamenteve, Dervishaj thotë se qeveria duhet të ndërhyjë.
Ai propozon uljen e barrës fiskale për sektorin e ndërtimit.
“Në sektorin e banesave barra fiskale është e lartë. Pronarët e truallit marrin shumë por dhe shteti merr goxha taksa”, tha Dervishaj.
Shoqata e Ndërtuesve paralajmëron se shtëpitë do të shtrenjtohen më tepër nëse qeveria do të vendosë Taksën mbi Vlerën e Shtuar për apartamentet e reja.
OraNews