8 Janar 2025

Nga Gazeta Dita

Çmimet globale të banesave pritet të rriten në dy vitet e ardhshme. Projeksioni del në raportin e Fitch Rating, i cili pret që shumica e shteteve të shënojnë rritje nga 2 deri në 15%.

Në këtë ritëm nuk do të ngelet pas as Shqipëria, e cila sot është në një stad zhvillimi urban, veçanerisht në kryeqytet dhe në zonat bregdetare.

Historiku i çmimit të apartamenteve tregon se rritja mesatare vjetore deri para vitit 2015 ka qenë rreth 6%, ndërsa pas vitit 2022, ajo ishte 17%.

Edhe tabelat zyrtare me çmimet e tregut në vitin 2024 tregojnë se çmimi mesatar për m2, në të gjitha qytetet kryesore u rrit nga 1000 lekë deri 10 000 lekë.

Madje në zona të ndryshme të kryeqytetit apo bregdetit, luhatja ka shkuar edhe përtej çmimit maksimal.

Lejet e dhëna për ndërtim, rrugët e reja dhe kërkesa për të blerë prona, janë arsye, që për agjencitë imobiliare do të vazhdojnë të ushtrojnë presion për rritje të çmimeve.

Ndërkohë, për ndërtuesit shtrenjtimi i çmimit të banesave lidhet me detyrimet që ata kanë për taksat, çmimet e referencave dhe kostot e materialeve e punëtorëve.