Çmimi “At Zef Pllumi”, vlerësohen Frano Kulli e Bashkim Shehu
Çmimi “At Zef Pllumi”, vlerësohen Frano Kulli e Bashkim Shehu
22 SHKURT 2021
Konkursi mbarëkombëtar “At Zef Pllumi” në publicistikë e memuaristikë shpalli edhe këtë vit fituesit. Ky konkurs që u zhvillua këto ditë në Lezhë, ka nisur për herë të parë në vitin 2012, në Shëngjin,vendlindjen e françeskanit,shkrimtari i shquar i memories dhe ky është edicioni i pestë. Këtë vit juria për publicistikë shpalli fitues të çmimit të parë, autorin Frano Kulli me “Kohë e përlyeme” dhe Marçel Hila me “Djaj dhe ëngjëj të masakruar ”, që u shpërblye me çmimin e dytë. Për memuaristikë fitues u shpall Bashkim Shehu me “Liri Belishova dhe koha e saj”. Në këtë konkurs u akorduan, gjithashtu edhe 2 çmime nderi: At Aleks Baqli (pas vdekjes) – “Kujtime” dhe Zef Përgega -“Arkëmorti i përgjakur” . Juria e konkursit këtë vit ishte e përbërë nga Rudolf Marku, poet laureat; Vera Bekteshi, shkrimtare dhe Aleksadër Çipa, gazetar, pedagog. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua me pjesëmarrje të kufizuar sipas protokolleve kundër përhapjes së covid-19, por organizatorët kishin vendosur të mos e ndalonin aktivitetin. Në këtë konkurs, ndër vite janë nderuar me këtë çmim Ismail Kadare, Alfred Moisiu, Gjergj Meta, Besnik Mustafaj, Vera Bekteshi, Sabri Hamiti dhe të tjerë. Frano Kulli është një personalitet me kontribut të çmuar në fushën e kulturës dhe fushën e medias. Frano Kulli ka themeluar shtypshkronjën “Gjergj Fishta”, e para shtypshkronjë në historinë e qytetit të Lezhës. Në vitin 1994 themelon entin botues poligrafik “Gjergj Fishta”. Për studiues dhe autorë që kanë marrë pjesë në këtë konkurs, At Zef Pllumi nuk është vetëm misionar, por ai është edhe një shkrimtar i madh. Sipas tyre, është një njeri që ka shkruar një kryevepër jo vetëm në letërsinë shqipe, por edhe në atë botërore. Në vitin 2020, u rikthye pas 4 vitesh në Lezhë çmimi letrar “At Zef Pllumi”. Botimet më të mira në publicistikë, memuaristikë dhe monografi u vlerësuan nga kjo njësi vendore, në një aktivitet organizuar me pjesëmarrje mjaft të gjerë atë vit. Çmimin letrar “At Zef Pllumi” u krijua në vitin 2012. Zef Pllumi (Bogë, 1924 – Romë, 2007) qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane. Dëshmia e tij “Rrno vetëm për me tregue” u përkthye në anglisht nga Kathleen Schank botuar më 2008 nën titullin “Live to tell”, ndërmarrje ndaj të cilës kishte përpjekje qysh në të gjallë të fratit nga miku i tij, përkthyesi Petro Zheji. Më 6 mars 2014 u prezantua edhe varianti në italisht i përkthyer nga Keda Kaceli.
Gazeta Sot