Çmimi i gjelit të detit është rritur: – Po erdhi ndonjë refugjat ndoshta do bëjmë punë, po nuk erdhën është shume keq.
26 Dhjetor 2023
Në fshatrat e gjelave të detit, rreth e qark Peqinit, edhe këtë vit çmimi i këtij shpendi është rritur me 100 deri ne 200 lekë për kilogram. Banorët e kësaj zone tregojnë se këtë vit gjelin e detit e shesin me 1200 lek/kg ndërsa pulën me 1400 lekë. Ata shtojnë faktin se mundi që duan për t’i rritur dhe kujdesur nuk shpërblehet as më këtë çmim.
“Nuk e dimë, po erdhi ndonjë refugjat ndoshta do bëjmë një çikë punë, po nuk erdhi është shume keq. Po i kërkojmë pak më shtrenjtë se vjet, sepse është shtrenjtuar ushqimi, e marrim misrin me 50. Më shtrenjtë është një çik por nuk po shiten, nuk ka pazar”, thotë një fermer. Fermerët e Peqinit, një nga furnizuesit më të mëdhenj të gjelave të detit në të gjithë vendin, thonë se rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e një procesi zinxhir. Ndërsa nisur nga cilësia dhe puna për rritjen e një gjeli deti ata gjykojnë se çmimet ende janë nën kosto.
“Në 100, 10 për qind ikin, bëjnë firo është normale. Nuk shiten për arsye se e vërteta e kësaj pune është kjo, se fshatarësia për 30 vjet është e harruar. Nuk ka vënë njëri dorë, nuk do të dijë ku e shet e si e shet, ne jemi të mbaruar”, shprehet një tjetër. Këtë vit në bashkinë e Peqinit, sipas të dhënave nga zyra vendore e bujqësisë, rezulton se janë rritur 27.500 gjela deti, në të gjithë fshatrat e Peqinit. Ndërsa në qarkun e Elbasanit mbarështohen rreth 50 mijë krerë gjela deti në vit.