Çmimit i veçantë shkencor “Shuteriqi”, që do të ndahet për botimet dokumentare
22 Krrik 2023
Kryesia e Akademisë së Shkencave e Shqipërisë vendosi për themelimin e çmimit të veçantë shkencor “Shuteriqi” për botimet dokumentare. Kryesia e Akademisë së Shkencave e mori këtë vendim në mbledhjen e saj të zhvilluar këto ditë.
“Në kuadër të konferencës shkencore ndërkombëtare Shteti i Arbërit dhe Arbëria në shekujt e humanizmit europian, që organizohet në 555-vjetorin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, që do të mbahet më 8-10 tetor 2023, të themelohet çmimi i veçantë Shuteriqi, që akordohet për botimet dokumentare-burimologjike më të suksesshme për historinë, gjuhën, kulturën, trashëgiminë dhe identitetin shqiptar”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave për këtë çmim, që është themeluar së fundmi. Sipas kryesisë së ASH në këtë konkurs do të pranohen vepra nga viti 2001 deri këtë vit.
“Në konkurs të pranohen vepra të botuara nga autorë e institucione nga viti 2001 dhe vijim, duke përfshirë vitin 2023; me burime dhe dokumente për periudhën Mesjeta deri tek Rilindja Kombëtare”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Kryesisë së Akademisë së Shkencave. Dhimitër Shuteriqi (1915-2003) ishte shkrimtar dhe historian i letërsisë, profesor, akademik, Mësues i Popullit. Lindi në Elbasan. Kreu Liceun Kombëtar (francez) të Korçës (1936) dhe ndoqi studimet e larta e u diplomua për filozofi në Universitetin e Grenoblës (1942). U kthye në atdhe më po atë vit dhe mori pjesë aktive në Luftën ANÇ. Pas çlirimit pati detyra me përgjegjësi në institucione arsimore, kulturore dhe letrare të vendit. Është ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë (tetor 1945), kryetar i saj në vitet 1954-1973, drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik në vitet 1947-1950, deputet i Kuvendit Popullor në vitet 1950-1974. Dhimitër Shuteriqi e nisi veprimtarinë letrare në mes të viteve ’30 me vjersha, tregime dhe artikuj kritikë. Fusha kryesore e punës së Dhimitër Shuteriqi si shkencëtar ka qenë historia e letërsisë, tradita e hershme e shkrimit të shqipes, folklori dhe disa figura historike.