Covid-19/ Mjeku ngre alarmin: – Spitalet rajonale janë në kaos si pasojë e mbingarkesës, qytetarët preferojnë të kurohen në shtëpi
Covid-19/ Mjeku ngre alarmin: – Spitalet rajonale janë në kaos si pasojë e mbingarkesës, qytetarët preferojnë të kurohen në shtëpi
– 26.01.21
Mjeku Erion Dasho ka ngritur alarmin se situata në spitalet rajonale është në kaos, si pasojë e mbingarkesës nga pacientët e infektuar me koronavirus.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, mjeku shkruan se familjarët e pacientëve refuzojnë transferimin në Tiranë dhe preferojnë trajtimin në shtëpi, duke rrezikuar kështu jetën.
Postimi i plotë:
Spitalet Rajonale në kaos si pasojë e mbingarkesës me pacientë të prekur nga COVID!
Familjarët e pacientëve refuzojnë transferimin në Tiranë dhe, kur nuk u ofrojnë vende në spitalin rajonal, preferojnë të trajtohen në shtëpi duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shkatërruar ekonominë!
7, 8 apo 9 humbjet e jetëve që raportohen çdo ditë janë vetëm një fraksion i numrit real të vdekjeve duke injoruar pacientët që vdesin në spitale rajonale, shtëpi, madje edhe në spitalet COVID (por që ministria dhe komiteti vazhdojnë t’i klasifikojnë si “SARS-CoV-2 negativë”!
Ministria vazhdon të mbajë stadiumin hapur dhe ende nuk ka përfunduar 975 vaksinat e “kontrabanduara” para tre javësh, kurse përqindja e rasteve që testojnë pozitiv në raport me rastet e testuara ka kaluar sërish mbi 25%!
Katastrofa shëndetësore e paralajmëruar prej muajsh të tërë është ulur këmbëkryq në Shqipëri këtë fund janari…
Gazeta Shqiptare