– Covid-19 nuk do ikë, bota po përpiqet të funksionojë me praninë e koronavirusit
– Covid-19 nuk do ikë, bota po përpiqet të funksionojë me praninë e koronavirusit.
Ju mund të jeni të rraskapitur, por pandemia e Covid-19 sapo ka filluar. Gjashtë muaj pasi shkencëtarët kinezë njoftuan Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për një virus të ri që shkaktonte pneumoni vdekjeprurëse, Covid-19 – siç u quajt më vonë sëmundja – është përhapur në thuajse çdo vend të botës dhe ka vrarë mbi 500,000 njerëz, shkruan The Economist. Në Londër, Madrid dhe Nju Jork, numri i vdekjeve ka qenë dy herë më i lartë se zakonisht. Brenda tre muajve, rastet globale arritën në një milion; por shifra dy milion u arrit në më pak se një javë.
Megjithatë, edhe në vendet me përhapje më të lartë, vetëm 5-15% e njerëzve janë infektuar. Ata mund të jenë imunë ndaj infeksioneve të ardhshme, të paktën për njëfarë kohe, por duke qenë se shumica e popullsisë është ende e rrezikuar, rikthimi në jetën normale është i pamundur. Sëmundja do të rritej sërish me shpejtësi. Spitalet do të mbingarkoheshin.
Një studim i fundit i botuar në revistën mjekësore Lancet, vlerëson se rreth 4.5% e njerëzve të infektuar nga Covid-19 në të gjithë botën, ka të ngjarë të sëmuren aq rëndë sa të kenë nevojë për t’u shtruar në spital. Për krahasim, më pak se 8% e amerikanëve duhet të kalojnë natën në spital në një vit normal.
Një vaksinë është mënyra më e mirë për të dalë nga kjo gjendje. Por edhe optimistët më të vendosur parashikojnë se ajo nuk do të jetë e disponueshme të paktën deri në janar 2021. Ndërkohë, bota po përgatitet të përballet me Covid-19 në planin afatgjatë. Teksa vendet lehtësojnë kufizimet dhe hapin kufijtë, rastet kanë filluar të rriten sërish. Nëse nuk mbahen nën kontroll, ato do të shkaktojnë valë të reja infeksioni. Karantinat mbarëkombëtare do t’i shkatërronin ekonomitë.
Kështu që vendet po kërkojnë masa të mesme që do të parandalojnë që sëmundja të mbingarkojë spitalet duke hequr njëkohësisht kufizimet më të rënda. Të përdorura së bashku, këto masa mund të parandalojnë valët e reja të infeksionit. Fakti nëse qeveritë do të zgjedhin t’i zbatojnë – ose do të kenë mjetet e duhura për këtë – dhe nëse njerëzit do t’i ndjekin rregullat e reja, është më pak i sigurt
Prioritetet.
Prioriteti është të mbrohen nga infeksioni njerëzit që kanë më shumë gjasa të sëmuren rëndë. Kjo bëhet e vështirë nëse infektohen një numër i madh personash.
Fakti nëse vendet që e kanë nën kontroll Covid-19 do të përjetojnë valë të reja të sëmundjes, do të varet nga mënyra se si sillen njerëzit dhe sa shpejt mund të zbulojnë autoritetet një rritje të rasteve, thotë Andrea Ammon nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Nëse autoritetet mund të identifikojnë shpejt shpërthimet e reja, ato do të jenë më të afta për të parandaluar përhapjen e tyre. Kjo do të thotë se çdo kufizim i imponuar në përgjigje mund të jetë më i kufizuar. “Ajo që kemi mësuar rreth këtij virusi është se nuk duhet të nënvlerësojmë as një shpërthim të vogël. Ai mund të jetë lehtësisht thelbi i një transmetimi më të madh”, thotë Dr. Ammon.
Parandalimi i përhapjes
Për të parandaluar që virusi të përhapet në mënyrë të pakontrollueshme, qeveritë po mbështeten në kombinimin e tre masave kryesore: testimin dhe karantinën; ndryshime në sjellje që ulin transmetimin (të cilat përfshijnë distancimin social, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve); dhe karantina specifike në vatrat e nxehta të virusit – një praktikë e njohur si “ndërprerje e qarkut” që ka qenë e njohur në vendet e Azisë Lindore dhe tani po praktikohet më gjerë.
Dështimi me azilet
Vendet që po përballen me valët e para të Covid-19 u gjendën të papërgatitura. Një nga tragjeditë më të mëdha ishte dështimi për të mbrojtur të moshuarit në azile. Ata kanë regjistruar rreth 40% të vdekjeve nga Covid-19 në Amerikë dhe në disa vende të tjera perëndimore. Qeveritë janë të vendosura të shmangin përsëritjen e këtij problemi. Masat e parandalimit të infeksionit në azilet e pleqve po përforcohen, duke përfshirë më shumë testime dhe përdorim më të gjerë të maskave nga stafi dhe vizitorët.
Përveç të moshuarve, tani është e qartë se njerëzit me probleme shëndetësore – përfshirë obezitetin, diabetin dhe sëmundjet e zemrës – janë veçanërisht të rrezikuar. Vlerësimet sugjerojnë se 22% e njerëzve në nivel global, kanë të paktën një sëmundje paraprake që i vë ata në rrezik më të lartë nëse infektohen. Në Amerikë, 38% e të rriturve hyjnë në këtë kategori, për shkak të moshës ose problemeve shëndetësore; gati gjysma janë në moshë pune.
Cilat janë shanset?
Është thelbësore që njerëzit të kuptojnë se si të vlerësojnë rrezikun e tyre – veçanërisht në rast të përhapjes së sëmundjes në zonën e tyre. Në mars, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Britanisë u dërgoi letra rreth 2.2 milionë njerëzve që konsiderohet se ishin me rrezik veçanërisht të lartë, duke i këshilluar të shmangnin daljet kur sëmundja ishte në fazën më të rëndë.
Në të ardhmen, mjekët dhe organizatat e pacientëve do të përfshihen më ngushtë, duke i këshilluar njerëzit e rrezikuar dhe familjet e tyre se si të balancojnë uljen e rrezikut të prekjes nga Covid-19, me nevojën për të pasur një jetë sociale.
Në ditët e para të pandemisë, pothuajse të gjitha vendet u përpoqën të “testojnë, gjurmojnë dhe izolojnë” njerëzit e infektuar, duke u përpjekur t’i karantinojnë ata për të thyer zinxhirët e transmetimit. Por shumë qeveri, si Britania, e braktisën këtë qasje kur rastet u rritën me shpejtësi dhe nuk kishin më testime dhe staf të mjaftueshëm për të kryer punën. Vendet në Europë dhe gjetiu që ishin mbërthyer nga paniku, vendosën karantina kombëtare në përpjekjen për të parandaluar mbingarkimin e spitaleve.
Por vendet që bënë një punë më të mirë në muajt e parë të pandemisë, ishin ato që nuk ndalën asnjëherë gjurmimin e kontakteve, thotë David Heymann nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër. Ato përfshijnë vende si Koreja e Jugut, Danimarka, Gjermania, Vietnami, Uruguai dhe Ruanda. Shumë vende europiane dhe disa shtete amerikane përdorën karantinat e tyre fillestare për të zgjeruar sistemin e testimit dhe gjurmimit të kontakteve dhe për të ndërtuar aplikacione që mund të bënin të mundur kryerjen e detyrës në mënyrë më efikase nëse do të vinte një valë e dytë.
Këto sisteme të përmirësuara kanë rezultuar në shkallë të ndryshme suksesi. Në Spanjë, Ministria e Shëndetësisë beson se ende po zbulon vetëm një të tretën e rasteve (që gjithsesi është një përmirësim në krahasim me normën fillestare prej 10% në kohën e fillimit të epidemisë në vend). Nga këto raste, 40% nuk kanë asnjë lidhje të njohur me personat e tjerë të infektuar.
Profesionistët e shëndetit publik thonë se sistemi ka nevojë për më tepër staf për të funksionuar në mënyrë efektive. Gjurmuesit e kontakteve në disa shtete të Amerikës po arrijnë më pak se gjysmën e atyre që testojnë pozitivë për Covid-19. Aplikacionet që njoftojnë përdoruesit për një kontakt të ngushtë me një person të infektuar, shpesh kanë rezultuar zhgënjyese. Ai në Francë u shkarkua nga më pak se 2 milionë njerëz dhe njoftoi vetëm 14 prej tyre se kishin qenë në kontakt të ngushtë me dikë të infektuar me Covid-19 në tre javët e para.
Disa nga qeveritë që rritën ndjeshëm sistemin e gjurmimit të kontakteve gjatë përhapjes masive të pandemisë, si Britania, zgjodhën ta drejtojnë atë në nivel qendror. Ky rezultoi një vendim i gabuar. Shkalla e suksesit në marrjen e detajeve të kontakteve dhe kontaktimin e njerëzve, ka qenë më e lartë kur detyra kryhej nga departamentet lokale të shëndetit ose organizatat e komunitetit. Është e vështirë të bindësh dikë që ka testuar pozitiv për Covid-19, të dorëzojë numrat e telefonit të miqve, familjes dhe kolegëve të punës. Ata kanë më shumë të ngjarë të bashkëpunojnë nëse thirrja që kërkon një informacion të tillë vjen nga dikush i nivelit lokal.
“Çdo epidemi është lokale”, thotë Madhukar Pai, një epidemiolog në Universitetin McGill në Kanada, “kështu që një kombinim i udhëheqjes lokale, të dhënave lokale për të gjurmuar çka po ndodh, dhe një ushtrie lokale të punonjësve shëndetësorë dhe vullnetarëve, është absolutisht i rëndësishëm për të mbajtur pandeminë nën kontroll”.
Në vendet e mëdha si India, thotë ai, suksesi i zonave të ndryshme në mbajtjen nën kontroll të Covid-19, do të variojë. Rastet e Covid-19 në Indi dhe vdekjet nga sëmundja po rriten në mënyrë të shpejtë. Por Dharavi, një zonë e varfër në Mumbai ku 850,000 njerëz banojnë në vetëm 2.5 km katrorë dhe 80 njerëz ndajnë çdo tualet, ka arritur të zbusë një shpërthim të virusit që nisi në prill. Autoritetet e atjeshme kanë krijuar klinika të posaçme për të kontrolluar temperaturën e njerëzve.
Punëtorët e kujdesit shëndetësor shkuan derë më derë për të ekzaminuar njerëzit për simptoma dhe i transferuan ata që ishin të infektuar në shkollat aty pranë dhe në fusha sportive të cilat ishin shndërruar në qendra karantine. Në gjysmën e parë të qershorit, kjo zonë shënoi vetëm gjashtë vdekje nga sëmundja, krahasuar me 71 në prill dhe maj.