Covid ka bërë kërdinë te stafi mjekësor. Vlerësimi i OBSH: Deri në 180 mijë viktima

21 TETOR 2021

Covid ka prekur stafet mjekësore në mbarë botën më rëndë nga sa perceptohet, me shifrën e mjekëve, infermierëve dhe punonësve të tjerë të shëndetësisë që kanë humbur jetën që shkon deri në 180 mijë vetë.

Kështu thotë OBSH, që deklaron se këtyre punonjësve duhet t’u jepet përparësi në vaksinim. Vdekjet kanë ndodhur midis janarit 2020 dhe majit të këtij viti.

OBSH paralajmëroi se shpërndarja e pabarabartë e vaksinave mund të çojë që pandemia të zgjasë edhe përgjatë të gjithë vitit tjetër. .

“Të dhënat nga 119 vende sugjerojnë se mesatarisht, dy në pesë punonjës të kujdesit shëndetësor globalisht janë plotësisht të vaksinuar. Por sigurisht, kjo mesatare maskon dallime të mëdha midis rajoneve dhe grupimeve ekonomike. Më pak se një në 10 punonjës të kujdesit shëndetësor u vaksinuan plotësisht në Afrikë krahasuar me tetë në 10 në vendet me të ardhura të larta”, tha shefi i OBSh, Tedros Adhanom Ghebreyesus

Më pak se 5% e popullsisë së Afrikës janë vaksinuar, krahasuar me 40% në shumicën e kontinenteve të tjera.

Shumica dërrmuese e vaksinave Covid në përgjithësi janë përdorur në vendet me të ardhura të larta, ose me të ardhura mesatare të larta. Afrika përbën vetëm 2.6% të dozave të administruara globalisht.

Gazeta Shqip