Ç’po ndodh mes presidentit e qeverisë? “Koka” e Vuçiç do të varet në referendum, serbët në votime
15 Janar 2025
Fati i Aleksandër Vuçiç si president i Serbisë do të varet në një referendum. Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, gjatë të mërkurës do të dorëzojë 100 nënshkrime të deputetëve të shumicës qeverisëse për mbajtjen e një votimi popullor lidhur me besimin ndaj presidentit.
E në fakt, referendumin duket se e ka kërkuar vetë Vuçiç. Përmes një videoje të publikuar në rrjetet e tij sociale, presidenti serb thotë se Qendra Joqeveritare për Hulumtim, Transparencë dhe Përgjegjësi në Beograd, Crta, kohët e fundit publikoi rezultatet e një sondazhi, sipas të cilit, shumica e serbëve janë pro largimit nga posti.
“Crta objektive dhe e paanshme njoftoi publikun se shumica dërrmuese e qytetarëve janë pro largimit tim. Nuk ka asnjë burim më të besueshëm as për bashkësinë ndërkombëtare dhe as për partitë politike në Serbi. Kam luftuar për popullin dhe populli është forca ime. Nëse këto pohime janë të vërteta, është e pamundur që unë të mbetem në pozitën e presidentit të Serbisë”, u shpreh presidenti serb.
Për opozitën në Serbi, kjo “është një tjetër përpjekje e regjimit për të organizuar një referendum pa përmbushur kushtet zgjedhore, duke sjellë sërish votues të rremë” duke tjetërsuar rezultatin.
Gjithashtu konsiderohet edhe një tentativë që Vuçiç t’u japë fund njëherë e mirë protestave të studentëve që kërkojnë drejtësi për 15 personat që humbën jetën në Novi Sad pas shembjes së një strehe në një stacion trenash.
(A2 Televizion)