Ç’po u ndodh kompanive që po kërkojnë kurën ndaj koronavirusit? FBI e shqetësuar: Kemi parë që…

17 prill 2020

Një zyrtare e lartë e FBI-së për sigurinë kibernetike tha të enjten se hakera të qeverive të huaja kanë ndërhyrë në rrjetet e kompanive që kryejnë kërkime për kura të mundshme për COVID-19, sëmundjen e frymëmarrjes nganjëherë fatale që shkakton koronavirusi.

Zv.Ndihmës Drejtorja e FBI-së Tonya Ugoretz u tha pjesëmarrësve në një panel në internet të organizuar nga Instituti Aspen se FBI-ja kohët e fundit kishte parë hakera të mbështetur nga shtete të huaja që gjurmonin përreth një seri institucionesh të kujdesit shëndetësor dhe institucionesh kërkimore.

“Ne sigurisht kemi parë veprimtari zbulimi dhe një numër ndërhyrjesh në disa nga këto institucione, veçanërisht ato që e kanë identifikuar publikisht veten se janë duke bërë punë kërkimore për COVID-in“, tha ajo.

Zonja Ugoretz tha se është e kuptueshme që institucionet që punojnë për kura premtuese ose një vaksinë të mundshme të lajmërojnë publikisht për punën e tyre. Sidoqoftë, tha ajo, “ana e trishtë është se kjo i bën ata një objektiv për shtetet e tjera që janë të interesuara të grumbullojnë detaje të sakta rreth asaj që po bëhet dhe ndoshta edhe të vjedhin të dhënat e pronësisë intelektuale nga këto institucione“.

Zonja Ugoretz tha se hakerat e mbështetur nga shteti shpesh e kanë patur në shënjestër industrinë bio-farmaceutike, por tha se “sigurisht që kjo është shtuar gjatë kësaj krize”. Ajo nuk i përmendi vendet konkrete.

Zonja Ugoretz gjithashtu nuk identifikoi kompanitë e vëna në objektiv të sulmeve. FBI-ja nuk iu përgjigj një emai-il ku kërkoheshin komente të mëtejshme.

/VOA